‘Trafiku i drogës’, Basha: Qeveria e ka mizën nën kësulë

Shqipëria

‘Trafiku i drogës’, Basha: Qeveria e ka mizën nën kësulë

Më: 21 prill 2014 Në ora: 14:10

Kryetari i Partisë Demokratike e cilëson qesharake kërkesën e mazhorancës për ngritjen e një komisioni hetimor në lidhje me akuzat për përfshirje të Forcave të Armatosura në trafikun e drogës.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Basha theksoi se mazhoranca po mban qëndrimin e dikujt “që e ka mizën nën kësulë”.
“Të enjten e kaluar u munduan të silleshin si gaztorë, këtë të enjte kanë paralajmëruar të sillen si të shkalluar. Duan të hetojnë pse e tha ai që e pa, pse nuk mbyllen sytë specialistët në ushtri apo Policinë e Shtetit, pse e panë. Duan ti japin mësimin e heshtjes këtyre punonjësve dhe përmes tyre edhe drejtësisë”- deklaroi Basha.
Dy ditë më parë, maxhoranca zyrtarizoi kërkesën për ngritjen e një komisioni i cili kërkon “zbardhjen e plotë të motiveve dhe arsyeve, verifikimin e plotë të fakteve dhe të provave që provojnë ose përgënjeshtrojnë akuzat e artikuluara publikisht nga përfaqësues të lartë politikë kundrejt Forcave të Armatosura për vënien në dispozicion të infrastrukturës së Ushtrisë për veprimtari kriminale: transport i lëndëve narkotike”.
Sipas shumicës, zbardhja e këtyre akuzave ka rëndësi për imazhin e Forcave të Armatosura. “Zbardhja e plotë e motiveve dhe arsyeve, si dhe tregimin e fakteve dhe provave mbi të cilat janë mbështetur këto akuza, kanë një rëndësi të veçantë për imazhin e Forcave të Armatosura të një vendi anëtar të NATO-s, në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga ky anëtarësim”, thuhet në kërkesën e deputetëve të maxhorancës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat