Gjyqtarët dhe prokurorët e denoncuar nga qytetarët te “Stop korrupsioni”

Shqipëria

Gjyqtarët dhe prokurorët e denoncuar nga qytetarët te “Stop korrupsioni”

Më: 21 prill 2014 Në ora: 11:26

Dy ditë më parë, gjyqtarët e Shqipërisë i kërkuan Ministrisë së Drejtësisë të mos i publikojë denoncimet e qytetarëve pa i verifikuar më parë. Në rezolutën e KGJK kërkohej që të merreshin masa menjëherë, ndërsa nuk përcaktonte se ku publikoheshin këto denoncime. Megjithatë, burimet nga ministria pohojnë se bëhet fjalë për portalin e internetit “Stop korrupsionit”, ku gjithsecili mund të akuzojë gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë, përmbarues, krerë bashkie apo komune, si dhe zyrtarë të hipotekës, ALUIZNI-t etj., nëse ka fakte apo prova. Por, duket se më shumë u ka “djegur” pikërisht gjyqtarëve, të cilët kërkojnë të merren masa. Gazeta Shqip ka bërë një vëzhgim në këtë portal, të menaxhuar nga Ministria e Drejtësisë, ku vijojnë të bëhen denoncime publike. Mësohet se, “gjahu” i qytetarëve janë pikërisht gjyqtarët dhe prokurorët, duke i përmendur me emra konkretë, ashtu siç kërkuan edhe vetë togat e zeza. Sipas vëzhgimit, i cili i referohet vetëm këtij portali (denoncimet mund të mos jenë të vërteta), vetëm gjatë vitit 2014 janë regjistruar rreth 80 denoncime të reja. Mësohet se ka një ulje të këtyre denoncimeve, pasi fluksi më i madh ka qenë në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar. Në total, në këtë portal janë regjistruar 758 denoncime online, ndërsa ka pasur edhe individë të ndryshëm që kanë denoncuar nga dy herë. Por, ka edhe nga ata qytetarë që i kërkojnë shpjegime Ministrisë së Drejtësisë, përse nuk i ka marrë në konsideratë denoncimet e tyre. Duket se edhe vetë denoncuesit kanë pakënaqësitë ndaj ministrisë, pasi deri më tani, ende nuk është bërë publike ndonjë masë ndaj ndonjë gjyqtari, prokurori, apo zyrtari tjetër, që mund të ketë shkelur detyrën. Zyrtarisht, ministria thotë se po verifikon këto denoncime dhe nëse kanë elemente të veprës penale, informohet zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Ndërkohë, nëse ka parregullsi nga ana e gjyqtarëve, në drejtim të asaj gjykate, niset një grup inspektorësh. Më poshtë po publikojmë disa nga denoncimet online në portalin e internetit “Stop korrupsionit”, që janë regjistruar në vitin 2014.

Denoncimet e 2014-s

Denoncimi i fundit është regjistruar në muajin mars të këtij viti. Qytetari është identifikuar vetëm me emrin Ilir, ndërsa çdo denoncim ka edhe një numër protokolli, që në këtë rast, ka numrin “PR1049”. Ai thotë se është nga Elbasani dhe ka një pronë. Ka 16 vjet në gjykatë dhe nuk i jepet asnjë e drejtë e kësaj prone, por edhe as paratë. “Gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit merr lekë. Emri i tij është Arben Vrioni dhe është kryetar gjykate në Elbasan”, – thotë denoncuesi.

Ankesa e radhës është nga Nikollaq Deliu. Ai shkruan se do të denoncojë Kryeprokurorin e Fierit, Ardian Ylli, ku prej tre vjetësh kërkon drejtësi për pushtim toke dhe falsifikim dokumentesh nga pushteti vendor. Ai thotë se i është drejtuar prokurorisë në vitin 2010, kur filluan hetimet, megjithëse pretendon se edhe ish-paraardhësi i Yllit, ka abuzuar me detyrën. “U abuzua nga ish-kryeprokurori i Fierit, z. Besnik Cani, dhe prokurori Genci Mane, në vazhdim nga prokurorja Elida Hoxhaj, që kam bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, por që deri më tani nuk ka asnjë reagim nga institucionet më të larta”, – thuhet në këtë denoncim.

Denoncimi i radhës është bërë nga qytetari që është identifikuar vetëm me emrin Hodo. Sërish ankesa ka të bëjë me një çështje pronash. “Në gjykatën e rrethit kam fituar unë, ndërsa në Gjykatën e Apelit gjyqtari Dali Bushi, pas katër seancave, i dha të drejtë kundërshtarit tim. Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe për këtë pronë janë bërë dy vendime të Gjykatës së Lartë në kundërshtim me ligjin. Pas 22 vitesh ende nuk kam marrë asnjë përgjigje”, – thotë denoncuesi.

Arben Bektashi ka një denoncim për Gjykatën e Pogradecit. “Korrupsion i paparë këtu në Gjykatën e Pogradecit, vendime gjyqësore, për punonjësit e larguar nga puna, sekseri av. Armand Zerka, ju premton fitoren me gjyqësorin, kundrejt shpërblimit. Vetëm ish-drejtori i Ujësjellësit ka fituar gjyqin me një vlerë 45 milionë lekë, e bëtë gjyqësorin pazar”, – thotë Arbeni.

Më pas, ka një kallëzim nga “Marina Durrës sh.p.k”. “Gjyqtarja Dhurata Bilorn ka vjedhur kundër të gjitha ligjeve, pa autorizim, 500 hektarë tokë në Kallm, Currila, Reparti Ushtarak, Park Kombëtar Turistik, të

gjitha plazhet, pavarësisht nga ligji”, – thuhet në kallëzim.

Më datë 22 shkurt, Arjana Gjoka Konomi ka shkruar tek “Stop korrupsionit” për grabitjen e shtëpisë së saj. Ajo pretendon se ka ikur azilante në Itali, ndërsa banesa e saj në Sarandë i është vjedhur. Ajo thotë se i kanë kërkuar një mijë euro në Hipotekë. “Ju drejtuam Gjykatës së Sarandës dhe gjykatësja Enkeleda Doda më kërkoi 500 euro për të më dhënë shtëpinë. Unë nuk pagova para dhe çështja shkoi në apel në Gjirokastër. Në apel gjyqi u shty në 14 seanca duke pritur paratë gjykatësi. Gjykatësi Ylli Minga më kërkoi 2000 euro për të më dhënë shtëpinë”, – pretendon Arjana.

Ndërkohë, Eugen Lici, denoncon gjyqtaren Brunilda Kadi për veprime korruptive: “Në çështjen nr. 6924, datë 20.12.2013, përveç faktit që gjykatësja Brunilda Kadi ka marrë një vendim në kundërshtim me ligjin pa asnjë bazë ligjore, pezullimin e së drejtës së votës së aksionerit në një shoqëri aksionere duke ju referuar neneve të ligjit që flasin për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar. Nuk zbardh as ecurinë e procesit në uebsajtin e gjykatës, por mban dhe dosjen që prej datës 13.01.2014, duke mos na dhënë mundësi të zhvillojmë procesin në Apel”.

Në datën 14 janar, Elsa Haxhillari, është ankuar për prokurorin Bujar Memia dhe për OPGj-në. “Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në të gjitha mënyrat mundohen si t’i deformojnë faktet e shkeljes të ligjit të kryera nga kryetari i komunës, Rroshi Tollozhina, i cili duke shpërdoruar detyrën në mes të ditës, më grabiti pronën”, – thuhet në denoncim.

Aldo Tila i drejton disa pyetje Ministrisë së Drejtësisë. “A keni verifikuar ndonjëherë se si zhvillohet një seancë gjyqësore në Gjykatën e Fierit? Alarmante! Për regjistrim audio as që bëhet fjalë, por edhe procesverbalet me shkrim përpilohen sipas qejfit të sekretares me urdhra të gjyqtares. Arroganca është në maksimum. Lirohen kriminelë të ndryshëm me pazare në sallat e famshme të gjyqeve. Bëni një verifikim të dosjeve penale dhe është e qartë të evidentohen manipulimet që bëhen në proces. Nuk kam shumë besim se do ndryshojë diçka, por e shkrova thjesht për të bërë detyrën si qytetar. Zgjidhja është të jetojmë larg vendit”, – thotë Aldo.

Armant Rrudha kërkon të ndiqen penalisht për krim të organizuar, për motive të qarta politike ndaj ish-prokurores Ina Rama, prokurorët Besnik Cani dhe Çlirim Sino. Denoncon edhe gjyqtarët Lindita Sinani, Matilda Shalla dhe Engert Pëllumbi.

Ndërkohë, Gramozi denoncon prokurorin e Sarandës, Çlirim Shahinin, pasi me urdhër të këtij prokurori, Gramozit i sekuestrohet kali. E akuzojnë për vjedhje, ndërkohë që pretendon se kalin e ka pasur prej vitit 2001, madje ka edhe disa filmime të vjetra.

Denoncuesi Vasil Stefanidhi ka akuzuar prokurori Elio Mazreku, në lidhje me disa mallra të sekuestruara, sipas të cilit, në vend që ‘ti jepeshin pronarit që iu vodhën, iu dhanë kriminelëve.

Dorotea denoncon shkeljet e kancelarit të Gjykatës së Tiranës, Ilir Kadiu. “Ka marrë 2000 euro për shortin e shtetasit Lavdërim Tufa, për kërkesën t’i falet dënimi 15 muaj. Dhe mua si nënë për djalin tim më kërkoi të njëjtën shumë. Unë nuk kam bukë për të ngrënë, jo më t’i jap atij 2000 euro. Ngrihu o shtet e merr masa mbi këta njerëz të pangopur”, – thotë Dorotea.

Në portalin “Stop korrupsionit” gjendet edhe një ankesë e Shoqatave të Gazetarëve të Jugut, të cilët pretendojnë se kolegu i tyre, Thoma Nika, është dënuar nga gjyqtarja Albana Xhelili me 150 mijë lekë, për një lajm me titull “Tritol mjetit të ish-shefit të urbanistikës”. Gazetarët thotë se vënësi i tritolit në këtë makinë shëtit i lirë, madje mbetet i paidentifikuar, ndërkohë që ndëshkohet ai që dha lajmin!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat