Basha uron besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve

Shqipëria

Basha uron besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve

Më: 20 prill 2014 Në ora: 16:49

Urimi i kryebashkiakut, njëherësh kryetar i PD, Lulzim Basha për besimtarët katolikë: “Të gjithë besimtarëve katolikë u uroj nga zemra “Gëzuar Pashkët!”. Jam shumë i lumtur që në këtë Pashkë, besimtarët katolikë morën një dhuratë kaq të bukur, shqiptarët morën një dhuratë kaq të bukur me xhestin kuptimplotë të Papës Francesku i cili hodhi mbi supe flamurin arbëror të Gjergj Kastriot Skënderbeut, flamurin shqiptar, duke vlerësuar kontributet e jashtëzakonshme të të krishterëve shqiptarë, të Klerit shqiptar të martirizuar ndër shekuj e në veçanti gjatë periudhës së ndalimit kriminal të besimit fetar në Shqipëri, të regjimit komunist, duke nderuar kontributin e shenjtëve të Kishës Katolike, të Nënë Terezës por gjithashtu kontributin e heshtur të dhjetëra e qindra famullitarëve, priftërinjve, klerikëve që u shërbejnë besimtarëve të krishterë, i shërbejnë Kishës, i shërbejnë shoqërisë, u shërbejnë të paprivilegjuarve.
Falënderimet e mia shkojnë për të gjithë ata që me përkushtim e përgjegjësi bëjnë të mundur që në ditë si kjo e ringjalljes së shpresës, t’u ringjallin sa më shumë shpresën dhe besimin njerëzve në nevojë dhe gjithë shoqërisë se e nesërmja do të jetë më e mirë se e sotmja. Gëzuar Pashkët!”
Urimi i kryebashkiakut, njëherësh kryetar i PD, Lulzim Basha për besimtarët ortodoksë:
“Në këtë ditë kremtimi të ringjalljes hyjnore, dua t’u uroj të gjithë besimtarëve të krishterë, vëllezërve e motrave tona, anembanë Shqipërisë dhe trojeve shqiptare: “Gëzuar Pashkët, mirësi e mbarësi sjelltë Zoti për ju dhe familjet tuaja!”.
Dua të falënderoj nga zemra të gjithë famullitarët, priftërinjtë, pastorët për përkushtimin dhe dashurinë me të cilën i shërbejnë besimtarëve, i shërbejnë Kishës dhe Zotit.
Dua të përfitoj nga ky rast, të bëj thirrje për më shumë përgjegjshmëri, më shumë dhembshuri, më shumë solidaritet mes të gjithëve nesh, në mënyrë që të gjithë të punojmë për një të ardhme më të mirë, për një të nesërme më të mirë se e sotmja, që është edhe mesazhi i shpresës dhe besimit të Pashkëve. Gëzuar!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat