Hetim parlamentar akuzave të PD për drogën

Shqipëria

Hetim parlamentar akuzave të PD për drogën

Më: 20 prill 2014 Në ora: 12:23

Pas rrëzimit të kërkesës së opozitës që ministrja e Mbrojtes të raportonte në Komisionin e Sigurisë nëse kishte apo jo dijeni për përdorimin e infrastrukturës ushtarake në trafikun e drogës, me një lëvizje surprizë mazhoranca ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar.

Kjo kërkesë e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, siç bëhet e ditur në një deklaratë të nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka për objekt zbardhjen e plotë të motiveve dhe arsyeve, verifikimin e plotë të fakteve dhe të provave që provojnë ose përgënjeshtrojnë akuzat e artikuluara publikisht nga përfaqësues të lartë politikë kundrejt Forcave të Armatosura për vënien në dispozicion të infrastrukturës së Ushtrisë për veprimtari kriminale: “Transport i lëndëve narkotike.”

Në deklaratë thuhet se zbardhja e plotë të motiveve dhe arsyeve, si dhe tregimin e fakteve dhe provave, mbi të cilat janë mbështetur këto akuza, kanë një rëndësi të veçantë për imazhin e Forcave të Armatosura të një vendi anëtar të NATO-s, në përmbushje të detyrimeve që rrjedh nga ky anëtarësim.

Ngritja e këtij komisioni, shikohet si një garanci për të provuar ose në të kundërt për të përgënjeshtruar akuzat e ngritura nga përfaqësues të lartë politikë. Ky Komision do të kërkojë administrimin e provave dhe fakteve, mbi të cilat janë ngritur akuzat. Kërkohet të informohet opinioni publik për angazhimin që ka marrë përsipër qeveria shqiptare, për të identifikuar dhe parandaluar çdo shfaqje dhe veprim korruptiv me pronat dhe infrastrukturën e Forcave të Armatosura si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, – thuhet më tej në deklaratë.

Partia Demokratike i ka kërkuar ministres së Mbrojtjes dhe kryeministrit që të përgjigjen nëse kanë informacion për përdorimin e infrastrukturës ushtarake për trafik droge. Demokratët flasin për dokumenta të Sherbimeve Inteligjente, ekzistenca e të cilave u pranua edhe nga deputeti socialist Erjon Braçe.

Sipas opozitës, avionë që transportojnë drogë janë ulur në pistën e bazës ushtarake të Gjadrit, por edhe në Divjakë apo në rrugën Tepelenë – Gjirokastër. Mazhoranca i ka quajtur qesharake këto sulme dhe vetë kryeministri Rama tha se avionët për të cilët flet opozita janë mushkonjat e Divjakës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat