Gjyqtarët, dhjetë rekomandime KLD-së: Bëni transparencën!

Shqipëria

Gjyqtarët, dhjetë rekomandime KLD-së: Bëni transparencën!

Më: 20 prill 2014 Në ora: 09:50

Konferenca Gjyësore Kombëtare i është drejtuar me 10 rekomandime Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke i kërkuar marrjen e një sërë masash, që janë të nevojshme në sistemin e drejtësisë. Në një deklaratë zyrtare, në emër të gjithë gjyqtarëve të Shqipërisë, drejtuesit e konferencës, i kërkojnë KLD-së rritjen e transparencës së punimeve dhe të procesit të vendimarrjes brenda mureve të këtij institucioni. Ky rekomandim është bërë në një periudhë, ku prej disa kohësh Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ka mbyllyr dyert duke mos zhvilluar asnjë mbledhje me dyer të hapura.

Një tjetër rekomandim bën fjalë dhe për trajtimin në mbledhjet e KLD të çështjes së mbivendosjes së kompetencave të Inspektorateve të KLD–së dhe Ministrisë së Drejtësisë për gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme ligjore, të cilat të marrin në konsideratë parimin e pavarësisë së gjyqësorit nga njëra anë, si dhe parimin e kontrollit dhe balancimit të pushteteve nga ana tjetër.

Vlerësimi i gjyqtarëve
Mes dhjetë rekomandimeve që Konferenca Gjyqësore Kombëtare i ka drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, bën fjalë dhe për procesin e vlerësimit të gjyqtarëve. Ky process tepër i diskutuar, por shumë i ngadalshëm, ka mbetur thuajse në vend numëro në KLD, ndërkohë pak ditë më parë ministri i Drejtësisë Nasip Naço, ka depozituar në Komisionin e Ligjeve një projektligj, ku jepet dhe skema se si duhet të kryhet procesi i vlerësimit të gjyqtarëve. Në këtë proces përjashtohet ministri i Drejtësisë Nasip Naço dhe Presidenti i Republikës Bujar Nishani, duke u konsideruar si figura politike.

Sipas këtij projektligji, procesi i vlerësimit do të funksionojë me vetëvlerësimin e gjyqtarit, më pas me vlerësimin e Kryetarit të Gjykatës, dhe më tej nota përfundimtare do të vendoset pranë komisionit që do të ngrihet posaçërisht, pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Diskutim në 3 panele
Nga ana e kryetarëve të komisioneve të kësaj konference dhe përfaqësuesve të Konferencës Gjyqësore Kombëtare në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, u prezantua veprimtaria e strukturave të tyre, si dhe objektivat që duhen pasur parasysh në të ardhmen, në funksion të përmirësimit të punës së sistemit gjyqësor. Në mbështetje të funksionit të saj për përmirësimin e veprimtarisë gjyqësore, risia e kësaj konference kishte të bënte me organizimin e ndarjes së gjyqtarëve në tre panele të veçanta sipas fushave, civile, administrative dhe penale.

Gjyqtarët diskutuan çështje të praktikës gjyqësore, shkëmbyen mendime, evidentuan probleme me qëllim interpretimin e drejtë të ligjit dhe zbatimin efektiv të vendimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë, jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese dhe standardeve të vendosura në vendimet e GJEDNJ-së, në funksion të ngritjes së cilësisë në vendimarrjen e tyre.

Diskutimet në konferencë, u fokusuan edhe në arritjet dhe sfidat që kanë sjellë ndryshimet që janë kryer në kuadrin ligjor për reformimin e sistemit të drejtësisë, siç janë krijimi i gjykatave administrative dhe miratimi i legjislacionin për funksionimin e tyre.
Theksohet se objektivat dhe qëllimet e realizuara në punimet e kësaj konference do të shërbejnë në vijim për të motivuar gjyqtarët në punën e tyre, me qëllim arritjen e rezultateve për përmirësimin e sistemit gjyqësor.
- See more at: http://www.shqiptarja.com/aktualitet/2731/gjyqtar-t-dhjet--rekomandime-kld-s--b-ni-transparenc-n--210659.html#sthash.z7DQRrsv.dpuf

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat