Borxhi nga FMN-ja, replikat në Konferencën e Kryetarëve

Shqipëria

Borxhi nga FMN-ja, replikat në Konferencën e Kryetarëve

Më: 20 prill 2014 Në ora: 08:44

Orët e gjata me akuza në seancën plenare për miratimin e marrjes së huasë prej 331 milionë euro nga Fondi Ndërkombëtar Monetar pasuan debatet në mbledhjen me dyer të mbyllura të Konferencës së kryetarëve, ku mazhoranca nuk ka rënë dakord me paraqitjen e amendimeve të deputetëve të opozitës në lidhje me këtë huamarrje. Replikat janë zhvilluar mes kreut të PR-së, Fatmir Mediu, kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe si kreut të Kuvendit, Ilir Meta.

Replikat Meta: Amendamentet nuk lidhen me projektligjin dhe nuk mund t’i nënshtrohen procedurës parlamentare, pasi nuk ke se si ti votosh dhe për çfarë t’i votosh, prandaj, ky ishte një problem të cilin unë nuk mund ta trajtoja vetëm si Kryetar i Kuvendit.

Spaho: Është hera e parë që miratojmë një ligj, marrëveshje të kësaj natyre dhe nuk kaloi në atë formën klasike dhe ne e kemi pranuar që të mos ketë një marrëveshje nga mbrapa. Kuvendi që të miratojë një hua duhet të ketë edhe një marrëveshje të firmosur ndërmjet palëve.

Meta (Mediut): Tani një pyetje kam për ty si deputet i vjetër që je. Unë si Kryetar Parlamenti si do të hedh në votim një amendament që ke paraqitur ti apo zoti Braçe, për një memorandum, që është shumë i rëndësishëm si do ta hedh nga ana procedurale?

Mediu: Atëherë, të bëj unë një kundërpyetje. Çfarë po votojmë ne sot! Do votojmë qeverinë që ka sjellë këtë projektligj?

Bregu: Prandaj është mendimi i parë i Florion Mimës, që kërkon ta kthejë mbrapsht shqyrtimin e projektligjit në Këshillin e Ministrave, sepse ne i bie që sot të votojmë titullin e ligjit.

Braçe: E para nuk ka marrëveshje, e dyta që është më e rëndësishme është që ne kemi ardhur për të votuar për të marrë huanë, kaq.

Spaho: Po disa kushte ka, kjo huamarrje?

Braçe: Ku i ke kushtet! Mi trego kushtet! Kush të tha që do rritet çmimi i energjisë, ja do ta shikojmë. Ju po kërkoni të amendoni një memorandum.

Paloka: Ka mungesë në Rregullore apo nuk ka mungesë në Rregullore kjo është tjetër çështje, për tu parë.

Braçe: Fare more, s’ka ardhur asnjëherë memorandumi.

Braho: Amendamentet janë të paraqitura në kundërshtim me rregulloren. Nuk mund të amendojmë ligjin dhe të prishim relacionin, megjithatë, problemi është se edhe po të futej do të bëhej shumë qesharake, pastaj i fusim dhe i rrëzojmë bam-bam, pasi është jashtë objektit.

Paloka: Kryetarin nuk e detyrojmë, por ne kërkojmë një të drejtë tonën. Kryetari ka kompetencat e veta dhe vepron sipas kompetencave.

Ruçi: Kjo është kredi e marrë dhe, e ratifikon apo nuk e ratifikon Parlamenti, është e drejta e tij. Ti thua: Që çdo ligj financiar, në qoftë se nuk është i konsultuar, të konsultohet, pa të vijë në Parlament. E dyta memorandumi është i miratuar midis meje dhe teje, që është: Qeveria në njërin krah dhe FMN-ja në kahun tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat