PS: Raporti pozitiv i Fullanit, falë marrëveshjes me FMN

Shqipëria

PS: Raporti pozitiv i Fullanit, falë marrëveshjes me FMN

Më: 20 prill 2014 Në ora: 08:42

Partia Socialiste ka vlerësuar raportin pozitiv të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të këtij viti. Deputetja Evis Kushi tha se, ky raport është vlerësimi i dytë pozitiv pas atij të Standard & Poor’s, për punën e qeverisë dhe më konkretisht i marrëveshjes me FMN. Ja një pjesë e fjalës së deputetes Evis Kushi në daljen për shtyp: “Pas studimit të kompanisë së njohur ndërkombëtare në fushën e financave Standard and Poors, që e nxori ekonominë shqiptare nga niveli negativ dhe e klasifikoi në nivel të qëndrueshëm, një tjetër sinjal pozitiv vjen nga raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të vitit 2014. Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e parë të këtij viti, treguesi i ndjesisë ekonomikë është përmirësuar ndjeshëm. Vlen për tu theksuar se besimi i biznesit dhe konsumatorëve, sipas studimit të Bankës së Shqipërisë, ka nisur trendin pozitiv që tetorin e vitit 2013, duke u përmirësuar muaj pas muaji.

Rritja e besimit në ekonominë shqiptare përkon me fillimin e punës së qeverisë së re dhe masat e marra për të nxitur prodhimin ven vendas, shlyer borxhet dhe injektuar para në ekonomi. Rritja e besimit muaj pas muaji ka ndodhur në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në sektorin e industrisë u përmirësua me 4,2% këtë tremujor. Në sektorin e ndërtimit është përmirësuar me 13,9%, sektori i shërbimeve me 10%. Besimi në sektorin e tregtisë jo vetëm është rritur këtë tremujor, por qëndron 5,2% më lart se mesatarja afatgjatë. Të gjithë këto tregues provojnë qartë klimën e re optimiste që mbizotëron në ekonominë shqiptare. Një klimë e re që vjen si rezultat i marrëveshjes së qeverisë shqiptare me FMN, falë të cilës po shlyhen borxhet e akumuluara nga qeveria e mëparshme dhe po nxitet zhvillimi ekonomik.”.

Rama : Të dhënat e BSH-së, tejet inkurajuese

Në një postim në rrjetin social “Facebook” Rama shkruan se, këto rezultate janë inkurajuese për rritjen e lartë të optimizmit në ekonomi dhe baza e ndryshimit real që pritet. “Të dhënat e Bankës se Shqipërisë tejet inkurajuese për rritjen e lartë të optimizmit në ekonomi, baza e ndryshimit real që presim më tej!”- ka shkruar kryeministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat