Legalizohet në Korçë greqisht rruga “Kryepiskopi Anatstas Janullatus”/ Kryeministri ortodoks Rama dhe Peleshi i tij presin shiritin

Shqipëria

Legalizohet në Korçë greqisht rruga “Kryepiskopi Anatstas Janullatus”/ Kryeministri ortodoks Rama dhe Peleshi i tij presin shiritin

Më: 19 prill 2014 Në ora: 23:17

Kryeministri Edi Rama shpërndau sot në zonat informale në Korçë certifikatat e para të pronësisë për objekte të legalizuara, i shoqëruar nga zv/kryeministri Niko Peleshi, ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, si dhe kreu i ALUIZNI-t Artan Lame formalizuan edhe rrugën “kryepeshkopi Anastas”.

Kryeministri tha se qeveria është e vendosur t’i japë fund asaj që e quajti plagë të infektuar në vite: çështjes së legalizimeve. Sipas shefit të qeverisë, procesi i legalizimeve do të jetë transparent dhe i shpejtë,

Më tej, Rama akuzoi qeverinë e demokratëve për zvarritje të këtij procesi, duke përmendur edhe ato që i quan ‘Shaban-tapi’, tapitë false të shpërndara në periudhë fushatash.

Procedurat
Kryeministri Rama theksoi se procesi është ndryshuar dhe të gjithë qytetarët që do të kryejnë procedurat për legalizimet do t’i bëjnë me mbështetjen e ALUIZNI-t. “Kemi bërë një ndryshim themelor në proces duke vendosur jo më që të shkoni ju te ALUIZNI por të vijë ai te ju.”- tha Rama

Sipas shefit të qeverisë, “gjithë dokumentacioni që deri dje kushtonte një djall e gjysmë do të plotësohet falas”.

Personat që kanë ndërtuar në tokën e vet nuk do të paguajnë për legalizimin e banesës së tyre.

“Ata që kanë ndërtuar në një pjesë toke të shtetit, do të ndjekin një procedurë tjetër. Do të duhet të kontribuojë që me fondin e mbledhur nga këto kontribute të mund të shlyhen detyrimet ndaj ish-pronarëve. Me kontributin për tokën që është fare simbolik në krahasim me çmimin real të tokës, konflikti me pronarët të mos jetë më rrezik për të ardhmen.”

“Kush paguan menjëherë, ka 20% ulje çmimi dhe përfitim letrash me vlerë. Kush nuk paguan menjëherë, e merr përsëri legalizimin, bëhet pronar dhe ka mundësi të paguajë pas një viti, por nuk përfiton nga ulja 20%, por vetëm pjesën e letrave me vlerë. Kush nuk paguan as pas një viti nuk përfiton asnjë ulje, e merr legalizimin por ka kufizim hipotekor. Është pronë që mund të shitet, por kufizimin e merr ai që e blen.” – sqaroi kryeministri Rama.

PELESHI: LEGALIZIMI I ZONAVE INFORMALE I HAP RRUGËN URBANIZIMIT
“Legalizimi i zonave informale i hap rrugë urbanizimit të vendit”, tha Zv/Kryeministri Niko Peleshi, në çelje të fjalës së tij. Duke i uruar qytetarët për festën e Pashkëve, Peleshi tha se kjo është dhurata më e bukur që qeveria shqiptare i ka bërë qytetarëve të saj.

“Legalizimi i zonave informale është tejet i rëndësishëm. Falenderoj Z. Lame për punën e bërë, pasi ne po ju japim mundësi të gjithëve ju të merrni cerfitikatën e pronësisë. Misioni jonë, tha Peleshi është integrimi i zonës ku ju jetoni me qytetin apo komunën ku bëni pjesë, pra, shtoi ai, ne duam që çdo banor i kësaj zone të jetë dhe të ketë mundësi të barabarta me personat që jetojnë në zonat formale”, -tha Peleshi duke kujtuar se këto certifikata duhet të ishin shpërndarë prej kohësh, por keqmenaxhimi i qeverisë së shkuar na sjellë sot këtu.

Numri dy i qeverisë i garantoi banorëve të zonave informale në emër të qeverisë shqiptare, por edhe në emër të drejtuesve vendor të qytetit të Korçës që së bashku do të punojnë për të kthyer zonat formale në zona qytetare.

GJERMENI: QEVERIA MBAN PREMTIMET E SAJ
Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni theksoi se kjo vepër e qeverisë shqiptare dëshmon se qeveria mban premtimet e saj.

“Ne mbajmë premtimet tona. Jam shumë e lumtur që jemi këtu të bëjmë realitet atë që ju kërkoni prej kohësh, por që politika e la në hije. Urbanizimi i këtyre zonave është hap kyç në zhvillimin e vendit, prandaj ju ftoj të keni besimin se qeveria është në krahun tuaj, përkujdesi ndaj jush është kryefjala jonë. Ne jemi pranë gjithsecilit prej jush, jemi pranë familjeve në nevojë ekonomike, jemi pranë familjeve me status të veçantë, ku pjesë e tyre ka persona me probleme shëndetësore, tretraplegjik..etj, prandaj dhe formula jonë është legalizime falas. Pra, qasja jonë është luftë korrupsionit dhe aleancë me qytetarin. Kjo qeveri po krijon një model europian të udhëhequri.”, përfundoi Gjermeni.

LAME: KY PROCES DUHEJ TË ISHTE MBYLLUR ME KOHË
Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame vuri në dukje mosbesimin që qytetarët kanë treguar ndaj qeverisë në nisje të punës së saj. “Teksa inspektorët vinin për të vlerësuar pronat tuaja, ju ishit mosbesues, në sytë tuaj kishte mosbesim dhe kjo për shkak të shijes së hidhur që qeveria shkuar ju dhuroi, por ne jemi ndryshe.”, tha Lame.

Sipas Kreut të ALUIZNI-t ky proces duhej të ishte mbyllur me kohë. “Pas 24 vitesh demokraci jemi ende duke folur për certifikatat e pronësisë dhe kjo nuk është e drejtë për ju, prandaj ne po ju ofrojmë një formulë si kurrë më parë, legalizimi falas dhe me pagesat e tjera në varësi të mundësisë”, përfundoi Lame, i cili i siguroi banorët se tashmë do të jetë ALUIZNI-t që do të shkoj tek qytetarët dhe jo anasjelltas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat