Ish kryetari i SHISH, Klosi: Sali Berisha nuk ka ndonjë kontribut për t’u përgëzuar në luftën e Kosovës

Shqipëria

Ish kryetari i SHISH, Klosi: Sali Berisha nuk ka ndonjë kontribut për t’u përgëzuar në luftën e Kosovës

Më: 19 prill 2014 Në ora: 23:09

Ish kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, Fatos Klosi, thotë se Sali Berisha nuk ka ndonjë kontribut për t’u përgëzuar në luftën e Kosovës.
Në një intervistë për gazetën “Mapo” Klosi komentoi kështu ceremoninë e organizuar për 15 vjetorin e eksodit të shqiptarëve.

“Kjo ceremoni ishte një ceremoni përkujtimore për një ngjarje të shënuar në historinë moderne të popullit shqiptar, ngjarje që evidentoi solidaritetin e natyrshëm të dy pjesëve të kombit shqiptar që për shumë vite kishin jetuar në dy shtete të ndryshme. Nga ana tjetër, kjo ceremoni kërkonte të evidentonte dhe solidaritetin reciprok që kërkohet të forcohet midis qytetarëve të dy shteteve shqiptare dhe të dy qeverive, që mesa duket kanë plane dhe programe të rëndësishme për bashkëpunimin midis dy vendeve në të gjitha fushat. Në këtë kuadër, kjo ceremoni e kapërcen kontekstin historik dhe synon të evidentojë më shumë të ardhmen që pritet”.

“Edhe mirënjohja e shprehur ndaj Berishës besoj se ishte në këtë kuadër, jo aq për meritat e tij për ngjarjen apo kohën e saj, por më shumë për të kërkuar njëfarë mirëkuptimi dhe solidariteti për realizimin e planeve të bashkëpunimit midis dy shteteve shqiptare. Përpos kësaj ishte dhe një mesazh për zbutjen e klimës së brendshme politike. Kontributin e vërtetë të Berishës në ngjarjet që çuan në pavarësinë e Kosovës e dinë të tërë dhe besoj se nuk ka asnjë element për të cilin mund të përgëzohet”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat