Meta takon Zv.Kryeministrin turk: Bashkëpunimi kontribut për stabilitetin ekonomik

Shqipëria

Meta takon Zv.Kryeministrin turk: Bashkëpunimi kontribut për stabilitetin ekonomik

Më: 19 prill 2014 Në ora: 11:51

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka pritur në takim Zv.Kryeministrin e Turqisë Emrullah Isler, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. Në vijim Meta shprehu kënaqësinë për krijimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Turqi në Kuvendin e Shqipërisë, i cili do të drejtohet nga deputeti Blendi Klosi dhe theksoi se puna e përbashkët e dy grupeve të miqësisë në të dy Parlamentet do t’i shërbejë forcimit të shkëmbimeve ndër-parlamentare, ekonomike e kulturore mes dy vendeve.

Nga ana e tij Isler u shpreh se Turqia i kushton vëmendje të veçantë forcimit të marrëdhënieve me Shqipërinë si në planin dypalësh ashtu edhe në planin ndërkombëtar. Në këtë kuadër ai nënvizoi se bashkëpunimi i ngushtë mes Turqisë dhe Shqipërisë është një kontribut për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit.

Në përfundim të takimit Meta dhe Isler ndanë bindjen e përbashkët se projektet ekonomike dhe investimet e nisura si dhe ato të pritshme turke në Shqipëri, do të promovojnë zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin përmes vendit tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat