Meidani: Festimet e Kukësit, si retushimi i fotove në kohën e Enver Hoxhës

Shqipëria

Meidani: Festimet e Kukësit, si retushimi i fotove në kohën e Enver Hoxhës

Më: 18 prill 2014 Në ora: 19:35

Ish- Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, i cilëson festimet e bëra në Kukës, në 15 vjetorin e eksodit të madh kosovar, si retushime të fotove të kohës së Enver Hoxhës.


“Histori tipike shqiptare! Prandaj dhe fotografitë u retushuan aq shumë, madje edhe disa herë, si në kohën e Enver Hoxhës. Mesa duket, mendje të ngjashme janë jo të pakta dhe në ditët tona,” tha Meidani për gazetën Panorama.


“Unë kam parë një festë në Kukës pak kohë më parë. U mblodhën së bashku familje shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës. Madje, ajo që kam parë në atë kohë në televizion, ishte me të vërtetë një ngjarje shumë e bukur, e mbushur me mjaft thjeshtësi dhe dashuri, me spontanitet e mirënjohje. Asnjeri nuk u përpoq të merrte merita, as të klasifikonte apo emëronte heronj, as të merrte dhe të jepte medalje- një pasqyrim ky sa i thjeshtë po aq i fuqishëm, i shpirtit të vërtetë shqiptar”, vijon Meidani.


Ai shprehet se nuk ka pasur ftesë për këto festime.


“Që në fillim mund të them se unë nuk kam parë me sy ndonjë të tillë, edhe pse unë nuk do të mund të merrja pjesë në këtë ngjarje për arsye të një angazhimi ndërkombëtar të fiksuar kohë më parë. Kështu, të mërkurën në mbrëmje, unë u ktheva nga një mision ndërkombëtar në Moldavi, pikërisht për të nxitur dhe përshpejtuar procesin e asociimit të këtij vendi me BE-në”. “Pikërisht të mërkurën, më 16 prill 2014, kur arrita në shtëpi në darkë, hapa të gjitha letrat, ftesat e materialet e dërguara gjatë mungesës time, por nuk kishte ndonjë ftesë për takimin e Kukësit. Vonë fare ndoqa lajmet dhe dëgjova e pashë çudinë shqiptare. Dhe kaq! Veçse edhe çudia më e madhe nuk zgjat aq shumë!…”


Ish-presidenti Meidani pohon se gjatë krizës kosovare dhe ai u shndërrua në një “yll” të medias ndërkombëtare.


“Kriza e Kosovës e bëri Shqipërinë, por edhe mua si kryetar të saj, një “star” të kohës, një “yll” të politikës dhe medias ndërkombëtare”.


Meidani vlerëson politikanët kryesorë të asaj kohe, që ishin protagonistë në menaxhimin e krizës kosovare, si Kryeministri Pandeli Majko, kreu i Kuvendit, Skënder Gjinushi, zv.Kryeministri Ilir Meta, koordinatori për krizën kosovare, Kastriot Islami, apo kreu i SHIK, Fatos Klosi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat