Legalizimet në zona të mbrojtura, 7 zyrtarë nën akuzë

Shqipëria

Legalizimet në zona të mbrojtura, 7 zyrtarë nën akuzë

Më: 18 prill 2014 Në ora: 14:55

Legalizimi i 202 objekteve pa leje në zonat arkeologjike, në bregdet, në kanale kulluese dhe pranë hekurudhës i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëmi rreth 560 mijë eurosh. Dy ish-drejtorë, Andi Lila dhe Erjon Jakova dhe pesë ish-përgjegjës sektori të ALUIZNI-t Durrës janë dërguar për ndjekje penale nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pas verifikimit të dosjeve të legalizuara në qytetin bregdetar. Sipas KLSHsë, 7 të denoncuarit kanë kryer legalizime të jashtëligjshme për 202 subjekte në zonat arkeologjike, pranë vijës bregdetare, brenda brezit mbrojtës të hekurudhave, si dhe brenda ose pranë vijës së ndërtimit të strukturës së rrugës dhe kanaleve kullues, me një dëm ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit në vlerën 78,7 milionë lekë, ose 560 mijë euro.

Auditimi është është kryer në Agjencinë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/ Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) Durrës, për periudhën Janar 2011- Shtator 2013 dhe rezulton se janë zbuluar në shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për ish-drejtorët e këtij institucioni, Andi Lila dhe Erjon Jakova si dhe për ish-përgjegjësit e sektorëve me inicialet K.S., A.L, P.I., G.D. dhe F. Ç., për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Shkeljet

Sipas raportit të KLSH-së, punonjësit e kallëzuar në prokurori kanë kryer legalizimin e 202 ndërtimeve informale, nga të cilat 22 ndërtime mbi monumentet arkeologjike, duke cënuar integritetin e Monumenteve të Kulturës (Zonat Arkeologjike “A” dhe “B” të Bashkisë Durrës), 157 ndërtime informale pranë vijës bregdetare, Studimin Urbanistik të Zonës së Plazhit Durrës (rrugët, lartësitë dhe distancat midis objekteve), 4 raste brenda brezit mbrojtës të hekurudhave, 19 raste brenda ose pranë vijës së ndërtimit të strukturës së rrugës dhe kanaleve kullues. KLSH konstatoi shkaktimin e dëmit ekonomik në Buxhetin e Shtetit, në vlerë 72.5 milionë lekë dhe mungesës së të ardhurave për fondin e kompensimit monetar ndaj ish-pronarëve, në vlerë 6,2 milionë lekë si dhe moskryerjen e procedurave ligjore gjatë procesit të legalizimit.

Skema

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbardhur edhe skemën e abuzimit. Sipas raporit, për ish-drejtorin Andi Lila të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Durrës, KLSH konstatoi shkelje, të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në përgatitjen e dokumentacionit për kualifikimin dhe certifikimin e objektit informal (leje legalizimi), shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale, si dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje; lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin në 8 raste në Zonat Arkeologjike “A” dhe “B” të Bashkisë Durrës.

Gjithashtu në 24 raste janë konstatuar shkelje brenda ose pranë vijës së ndërtimit të strukturës së rrugës, brenda brezit mbrojtës së hekurudhave, në Studim Urbanistik të Zonës së Plazhit Durrës me kushtet urbanistike të tij (rrugët, lartësitë dhe distancat midis objekteve) dhe kanalet kullues). Në 8 raste dëmet arrijnë një vlerë prej 4,812,828 lekë, për moszbatimin e procedurave ligjore për llogaritjen e vlerave të tarifës së parcelës ndërtimore. Ndërkohë në në 2 dosje për sipërfaqen prej 730 m2, si diferencë e pagesës së sipërfaqes së parcelës ndërtimore të papaguar, duke i shkaktuar dëm ekonomik si e ardhur e munguar në Buxhetin e Shtetit.

Procedurat me lejet

KLSH i ka kërkuar Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit që, për objektet informale të pajisura me leje legalizimi dhe për ato që kanë lidhur kontratat, të fillojnë procedurat, për rishikimin e lejeve të legalizimit, të dhëna në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi. Gjithashtu, KLSH i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore “Zgjidhje kontratës së punës” për dy ish-drejtuesit e ALUIZNI- t Durrës dhe pesë përgjegjësit e mësipërm, si dhe marrjen e masave të tjera disiplinore për tre nëpunës të tjerë të këtij institucioni e pesë nëpunës në Drejtorinë Qendrore të ALUIZNI-t Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat