Skenari i zëvendësimit të Gërvenit pa firmën e Nishanit

Shqipëria

Skenari i zëvendësimit të Gërvenit pa firmën e Nishanit

Më: 18 prill 2014 Në ora: 09:02

Kristaq Gërveni, atasheu ushtarak i Shqipërisë në NATO pritet të zëvendësohet gjatë këtyre ditëve, me një gjeneral tjetër. Emri më i lakuar për zëvendësimin e tij mësohet se është gjenerali Arian Zaimi, por për shkak të mungesës së dekretit të Presidentit të Republikës, Zaimi nuk mund të shkojë në këtë detyrë, pa kaluar nga zyra e presidentit. Zaimi është shkarkuar me dekret presidencial dhe nuk ka mundur të emërohet gjeneral sërisht me dekret. Nisur nga këto kushte sipas burimeve mundësia e vetme, duket se është ajo e komandimit të tij në këtë detyrë të posaçme, nga vetë ministria e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Nuk dihet me saktësi nëse do të arrihet një transferim i tij, duke përdorur këtë procedurë, ku do të shmangte Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Procedura e komandimit mund të kryhet vetëm brenda 3 muajve dhe jo më tepër se kjo periudhë kohore. Sipas burimeve duket se ky është skenari, në rast se presidenti Nishani refuzon të dekretojë emrin e gjeneralit që ministria e Mbrojtjes, Kodheli, do i propozojë për atashe ushtarak në NATO kreut të shtetit.

Përfundoi mandati
Në 31 mars Kristaq Gërvenit i ka përfunduar mandati i qëndrimit si atashe ushtarak pranë qëndrës së NATO-s në Bruksel. Përfundimi i mandatit ka sjellë përplasje mes Nishanit dhe Kodhelit, pasi kjo e fundit i ka kërkuar Gërvenit nëpërmjet një shkrese të linte detyrën dhe të kthehej në atdhe. Një urdhër të tillë nuk e ka zbatuar Kristaq Gërveni,ndërkohë Nishani gjatë një emisioni televiziv ka deklaruar se në këtë rast i ishin marrë kopetencat ligjore nga Ministria e Mbrojtjes. Shkarkimi i Gërvenit në këtë detyrë, është bërë pak ditë më parë nga presidenti Nishani, ndërkohë ky i fundit ende nuk ka vendosur dekretimin e një gjenerali tjetër në këtë post të rëndësishëm. Sipas burimeve, nëse Nishani nuk dekreton emrin e gjeneralit që do i propozohet nga Mimi Kodheli, atëherë kjo e fundit do të përdorë mekanizmin e komandimit të një gjenerali për tre muaj në këtë detyrë.

Gjenerali i detit
Gjeneral Kristaq Gërveni,prej kohësh vijon të jetë një figurë mjaft e debatueshme në mjedisin politik dhe atë ushtarak shqiptar, për shkak se ishte një nga arkitektët që i fali Greqisë mijëra kilometra katror nga deti shqiptar me mbështetjen e ish-qeverisë Berisha, sërish vijon të jetë në qendër të debateve. Këtë rradhë lidhur me largimin e tij si përfaqësues i Shqipërisë në NATO, post të cilin ai duket se më shumë e morri për shërbimin që bëri duke i falur detin fqinjit tonë helen sesa për ndonjë karrierë të spikatur ushtarake. Por, largimi i tij duket se ka hasur në rezistencë nga ana e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani i cili ka firmën përfundimtare në rastet kur kemi të bëjmë me largimin e gjeneralëve. Vetëm pas shumë debatesh Nishani ka firmosur dekretin për largimin e Gërvenit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat