E turpshme, Thaçi harron rrugën Durrës – Kukës dhe meritat e Berishës

Shqipëria

E turpshme, Thaçi harron rrugën Durrës – Kukës dhe meritat e Berishës

Më: 17 prill 2014 Në ora: 17:58

Hashim Thaçi: “Më lejoni që në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, në emër të qytetarëve të Kosovës, të falenderoj kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, që atë që s’ndodhi për 15 vitet e kaluara të Kosovës në liri, u bë e mundur në këto 7-8 muaj të qeverisjes së tij. Dy qeveritë tona i bënë dy takime, dy mbledhje, të rëndësishme, të bashkëpunimit tonë ndërshtetëror. Faleminderit shumë i nderuar kryeministër.”

Ky ishte konstatim i kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, dje në 15 vjetorin e eksodit kosovar në Kukës. Konstatim që i shtangu të gjithë shqiptarët jo vetëm andej e këtej kufirit, jo vetëm ata shqiptarë e ata udhëtarë që kanë bërë rrugën Durrës – Kukës prej 170 kilometrash, tunelin prej 6 kilometrash dhe 27 ura të cilësuara si vepra arti, por edhe ata që thjesht kanë parë në video apo në foto këtë rrugë, ëndrra e çdo shqiptari të vdekur, të gjallë dhe atyre që nuk kanë lindur akoma.

Konstatimi bëhet më absurd po të kihet parasysh se ai ka qenë vetë protagonist i përurimit të kësaj rruge të tunelit duke realizuar ëndrrën shekullore të shqiptarëve kudo që ndodhen.

Ndërkohë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama edhe pse jo protagonist i përurimit të kësaj rruge edhe pse në një kontekst ku po përkujtohej eksodi i 15 viteve më parë, kur opozita e atëhershme dhe lideri i saj Sali Berisha nuk ishin aktorë në pushtet, nuk nguroi të falenderonte Sali Berishën për kontriburin e dhënë në çështjen e Kosovës.

Edi Rama: “Unë këtu dua të shpreh mirënjohjen edhe për Sali Berishën edhe për Partinë Demokratike në qeveri, si pjesë e përpjekjes së përbashkët për pavarsinë e Kosovës.

Ne ndahemi thuajse për të gjitha, madje nqs e kthejmë në çështje politike, ne mund të ndahemi edhe për sa është ora, apo a është drekë apo darkë, por ne fatmirësisht nuk ndahemi tek çështja e madhe që deri dje mbante emrin çështja e Kosovës, por që sot natyrshëm ka emrin çështja e shqiptarëve.”

Padyshim që kryeministri i Shqipërisë ka pasur parasysh edhe këtë rrugë. Këtë vepër gjigande që e ka mbyllur bilancin edhe për shekullin e ardhshëm, sepse është një rrugë që është bërë tërësisht me sakrificat e shqiptarëve të Shqipërisë, pa asnjë ndihmë nga jashtë, që i kushtoi shqiptarve, mbi 1 miliardë euro. Sepse nga mbi 10 orë rrugë të mundimshme, tashmë Tirana dhe Prishtina janë vetëm 2 orë e gjysmë larg. Sepse nga 170 kilometra rrugë, mbi 60 kilometra të këtij segmenti për nga natyra e egër kanë qenë tabu të prekeshin edhe në letër edhe nga inxhinierët më të mirë në botë. Sepse në fund të fundit shqiptarët nga të dyja anët e kufirit, qofshin biznesmenë, tregtarë, fermerë, studentë, artistë apo mjekë, vetëm për shkak të kësaj rrugë, tani ndjejnë që janë një.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat