Reforma territoriale, depozitohet në Kuvend kërkesa për ndryshimin e komisionit

Shqipëria

Reforma territoriale, depozitohet në Kuvend kërkesa për ndryshimin e komisionit

Më: 17 prill 2014 Në ora: 17:27

Mazhoranca ka depozituar në Kuvend kërkesën për ndryshimin e funksionimit të komisionit për reformën territoriale, tre muaj pasi opozita nuk u bë pjesë e tij. Të hënën e ardhshme, kërkesa do të shqyrtohet në Konferencën e Kryetarëve, për t’i hapur rrugën fillimit të ndarjes së re të territorit në Kuvend.

Kërkesa do t’i mundësojë komisionit të reformës mbledhjen dhe vendimmarrjen në të, që më herët kërkonin domosdoshmërinë e deputetëve të opozitës, së cilës i ishte lënë edhe e drejta e vetos. Pas largimit të opozitës, mazhoranca, në seancën e sotme plenare, miratoi amendimin e ligjit për mjetet lundruese, ku synohet disiplinimi i tyre në det dhe liqene, si dhe pajisja me GPS për të ditur vendndodhjen e tyre në çdo kohë.

Në këtë seancë u miratua gjithashtu shtyrja me një vit i pasaportave të fëmijëve që janë lëshuar në mënyrë të parregullt me afat 10-vjeçar, përkundër nga sa ligji parashikon vlefshmërinë e tyre për 5 vjet. Mbi këtë afat, ndryshimi i ligjit zgjat vlefshmërinë e tyre edhe për një vit tjetër, për t’i dhënë kohë autoriteteve dhe shtetasve të bëjnë rregullimin në pasaportat e fëmijëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat