Basha lobon për statusin, takim me ambasadorët e BE

Shqipëria

Basha lobon për statusin, takim me ambasadorët e BE

Më: 16 prill 2014 Në ora: 19:01

Lobimin pro marrjes së statusit të kandidatit në muajin qershor e ka vijuar edhe në Tiranë me ambasadorët e Bashkimit Europian, për të cilët shtroi dhe një drekë punë. Kreu i opozitës Lulzim Basha tha se në drekën që zgjati për afro dy orë, përfaqësuesve të lartë të BE-së në Tiranë u kërkoi që çështjen e statusit ta ndanin nga shqetësimet e opozitës, pasi sipas tij shqiptarët e meritojnë një vendim pozitiv nga Brukseli.

Kreu i opozitës tha se i kishte vënë në dijeni ambasadoret edhe në lidhje me bllokimin që sipas tij qeveria po i bën rezolutës së përbashkët Shqipëri-Bashkimi Europian për rekomandimin e statusit të vendit kandidat. I pyetur për rrëzimin e kërkesës së demokratëve për të thirrur ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli në një seancë dëgjimore në komisionin e sigurisë , lidhur me dyshimet për një përfshirje të mundshme të infrastrukturës së Forcave të Armatosura në trafikun e lëndëve narkotike, Basha tha se është një rast i paprecedentë dhe i paligjshëm nga ana e mazhorancës.

Përsa i përket skadimit të afatit të vënë nga mazhoranca për reformën administrative territoriale, Basha u shpreh se opozita tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin e saj, se nuk do të bëhet pjesë e asnjë farse të konsensusit në kuvend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat