BE: Integrimi varet nga reformat; Gjosha: Presim përgjigje pozitive në qershor

Shqipëria

BE: Integrimi varet nga reformat; Gjosha: Presim përgjigje pozitive në qershor

Më: 16 prill 2014 Në ora: 16:15

Qeveria shqiptare është e angazhuar për tu bërë pjuesë e Bashkimit Europian dhe shpreson në një përgjigje pozitive në qershor. Kështu deklaroi sot Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, ndërsa mori pjesë në konferencën e organizuar nga Qendra e Informimit të BE-së me rastin e 10 vjetorit të zgjerimit të Bashkimit Evropian: “Përvjetori i 10-të i një historie suksesi”.
“Qeveria jonë është e vendosur për të garantuar zhvillim dhe realizim të reformave.Qeveria shqiptare është e angazhuar që të vazhdojë punën në kuadrin e procesit të integrimit, në bashkëpunim me Komisionin dhe Shtetet Anëtare.Mbetemi te fokusuar në 5 prioritetet kyçe që janë dhënë nga Komisioni si një parakusht për të hapur negociatat e pranimit. Ne jemi të angazhuar plotësisht në reformimin e sistemit gjyqësor, sepse është shkaku rrënjësor i shumë problemeve të tjera që kanë sjellë dështimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne jemi të angazhuar plotësisht për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin me çdo mjet në dispozicion dhe në fakt, vijimësia e rezultateve (track rekord) anti-korrupsion është përmirësuar me 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me 55% më shumë të dyshuar penalisht. Koordinatorët kundër korrupsionit dhe pikat fokale janë caktuar dhe janë funksionale në secilën ministri. Strategjia Ndër-sektoriale e Menaxhimit të Integruar të Kufirit dhe Plani i tij i Veprimit për 2014-2020 është miratuar në mars të 2014.Gjithsesi, çdo shqiptar e ndjente përkatësinë me Evropën dhe ndihej natyrshëm qytetar i Evropës.Sot, unë ndihem qytetare e Evropës më shumë se kurdo. Sot, shqiptarët gëzojnë të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor, gëzojnë të drejtën e lëvizjes në vendet e BE-së, kemi një ekonomi tregu funksionale ku mund të përfitojmë nga heqja e barrierave në shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së. Sot, shqiptarët janë të lirë të mësojnë gjuhë të huaja dhe të dëgjojnë muzikë që duan. Sot, kufijtë mes Shqipërisë dhe vendeve të Evropës po bëhen gjithnjë e më të padukshme”tha Gjosha duke shtuar se qeveria shpreson që në qershor të hyjmë në një fazë të re të integrimit evropian.
Ndërsa përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Tiranë tha se është bërë progres, por vendimi do të bazohet në zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Europian.
“Shqipëria ka bërë progres dhe është shumë ndryshe nga ajo që ne kemi parë në fillim të viteve ‘90. Distanca ndërmjet Shqipërisë dhe BE është shumë e vogël. Në qershor ne kemi një vendim për të marrë për të zvogëluar këtë hapsirë dhe për të vendosur mbi statusin e vendit kandidat. Vendet anëtare të Këshillit po shikojnë se reformat për sundimin e ligjit po ecin përpara ashtu siç e kemi bërë të qartë që kjo kërkon një reformë tepër të fortë përsa i përket investigimit të dënimeve dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit. Shqipëria duhet të fukusojë energjitë e saj dhe t’i shpërndajë në ato objektiva që kanë treguar që janë të realizueshme dhe të plotësueshme dhe që kanë përmirësuar shoqërinë dhe demkracinë, sundimin e ligjit, liritë themelore dhe prosperitetin ekonomik”tha zv .ambasadori i BE në Tiranë, Henry Jardine.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat