KLD, ndëshkon 5 gjyqtarë, MD: U zhdukën 3 dosje

Shqipëria

KLD, ndëshkon 5 gjyqtarë, MD: U zhdukën 3 dosje

Më: 16 prill 2014 Në ora: 08:27

E ndërsa Ministria e Drejtësisë bën kallëzim penal në Prokurori, pasi në arkivën e saj janë zhdukur dosjet për tre gjyqtarë, KLD, me dyer të mbyllura, ‘kryqëzon’ pesë gjyqtarë të tjerë. Konstatimi i zhdukjes së dosjeve ka ardhur pas një inspektimi të bërë në vitet 2012-2013, ku ka rezultuar se mungojnë tri dosje për tre gjyqtarë. Dosjet e humbura, kanë të bëjnë me një inspektim për një gjyqtar nga Durrësi, një nga Korça dhe një nga Lezha. Por vetëm pak orë pas bërjes publike të këtij fakti Këshilli i Lartë i Drejtësisë i drejtuar nga Presidentit Bujar Nishani ka shkarkuar nga detyra, gjyqtarin e Shkodrës Albano Çepele dhe ka marrë masa ndëshkimore për katër gjyqtarë të tjerë, emrat e të cilëve i janë dërguar nga Ministria e Drejtësisë. Kështu, përveç shkarkimit të Çepeles, KLD-ja ka vendosur transferimin nga Gjykata e Tiranës në një gjykatë të nivelit më të ulët, për një periudhë dy vjeçare, gjyqtaren Elona Gjoka.

Po ashtu, KLD-ja i ka dhënë vërejtje me paralajmërim për pushim nga detyra për tre gjyqtarët e tjerë: Enkelejda Hoxha, Nazmije Pengili, Ëngjëllushe Tahiri, të tria në Gjykatën e Krujës. Për tri gjyqtaret e Krujës, Ministria e Drejtësisë e ndryshoi propozimin fillestar nga "Shkarkim nga detyra" me "Vërejtje me paralajmërim". Mbledhja e KLD-së u zhvillua me dyer të mbyllura në kushtet e mungesës së plotë të transparencës dhe krejt në kundërshtim me deklaratat e Nishanit për të zbardhur të vërtetat në sistemin e drejtësisë. KLD-së i është kërkuar nga Ministria e Drejtësisë të marrë masa ndaj pesë gjyqtarëve, të cilët rezultuan me shkelje në detyrën e tyre pas kontrollit që ndërmori Inspektoriati i KLD-së. Në adresë të këtyre gjyqtarëve ka pasur një mori ankesash që konsistonin në zvarritje të pajustifikueshme të proceseve gjyqësore, shkelje haptazi të ligjit procedurial dhe moszbatim të vendimeve unifikuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat