Thaçi në Kukës: Faleminderit që na u gjetët në ditë të vështira (Video)

Shqipëria

Thaçi në Kukës: Faleminderit që na u gjetët në ditë të vështira (Video)

Më: 16 prill 2014 Në ora: 07:18

(E plotesuar)- Në Kukës kryeministrat e dyja vendeve, atij të Shqipërisë dhe Kosovës vlerësuan se në tragjedinë më të madhe që u ndodhi kosovarëve, nga Shqipëria u tregua fisnikëri e paharrueshme.
Kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi se pa prapavijën e shtetit shqiptarë, as Kosova nuk do të qëndronte në ballë të luftës dhe nuk do të kishte mbështetjen ndërkombëtare.

“Faleminderit që na u gjetët në ditë të vështira. Ju dhatë ndihmë të pakursyer të civilëve tanë që po përjetonin dramën e rëndë. Është fisnikëri e paharrueshme ajo që ju bëtë për neve”, tha Thaçi.

Kosova dhe Shqipëria po shënojnë eksodin e 99-tës

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, po shënojnë sot në Kukës, 15 vjetorin e përndjekjes së shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave serbe të sigurimit.

"Pesëmbëdhjetë vjet më parë, pika kufitare në Vërmicë, ishte vërshuar nga një numër i jashtëzakonshëm shqiptarësh të dëbuar dhunshëm, të cilët strehimin e parë e kishin gjetur në qytetin e Kukësit. Manifestimi i sotëm mbanë emrin “Nga Eksodi te Partneriteti Strategjik”.

Me këtë rast, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj e vlerësoi lartë takimin e sotëm të dy qeverive. “Flet për vetëdijen tonë historike. Flet për atë se sa rrugë e gjatë e me sakrifica të mëdha kemi mundur të vijmë në atë pike, ku jemi sot. Së dyti, flet për atë se si popujt e vegjël me një vetëbesim të krijuar në histori mund ta formësojnë të ardhmen e tyre. Dhe për këtë, shembulli më i mirë është lufta e UÇK-së. Së treti, flet se, pas mbledhjes së dy qeverive dhe pas nënshkrimit të partneritetit strategjik, u krijua një vizion strategjik se si mund të duket e ardhmja e bashkëpunimit”, tha ndër të tjera ai.

Eksodi i vitit 99, Rama pret Thaçin në kufi

​Dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, mblidhen sot në Kukës, në takimin e përbashkët në shenjë përkujtimi për 15 vjetorin e eksodit të shqiptarëve gjatë vitit 1999 dhe në nderim për të gjithë ata shqiptarë që i pritën të ikurit nga Kosova. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pritur në pikën kufitare në Vërmicë, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët janë nisur për në Kukës.

Bëhet e ditur se dy qeveritë do të mblidhen në mënyrë ceremoniale për të kujtuar UÇK-në dhe bujarinë e atyre që hapin dyert e shtëpisë dhe që krijuan lidhje të jashtëzakonshme mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Sipas një agjende nga Qeveria e Kosovës, përveç kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Shqipërisë Edi Rama, prezent do të jenë shumica e ministrave të dy qeverive.

Shqiptarët nga Kosova rikthehen në Kukës, 15 vjet nga eksodi. Takohen qeveritë Kosovë-Shqipëri
Qeveritë e dy shteteve të kombit shqiptare ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë janë takuar sot në Kukës, për të përkujtuar 15-vjetorin e eksodit të dhimbshëm të vitit 1999 ku qindra mijëra kosovarë iu drejtuan bashkëkombësve të tyre për t’i shpëtuar persekutimit çnjerëzor serb të Millosheviçit.

Dy kryeministrat, Edi Rama dhe Hashim Thaçi bashkë me kabinetet e tyre qeveritare kanë marrë pjesë në ceremoninë e nisjes së aktiviteteve të parashikuara për ditën e sotme, të cilat janë të shumta, ndërsa më pas janë drejtuar në Pallatin e Kulturës së qytetit të Kukësit. Për të pranishmit është shfaqur një dokumentar me pamje të luftës së dhimbshme që solli mijëra të vdekur e të zhdukur, e deri te zgjidhja e krizës me bombardimet e NATO në Serbi dhe shpalljen e Kosovës shtet të pavarur e demokratik.

Pas shfaqjes së tij, mori fjalën ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, i cili vuri theksin tek mikpritja që treguan shqiptarët për vëllezërit e tyre.

“Jemi mbledhur për të përkujtuar eksodin e 1 milion shqiptarëve në një kohë të errët. Shpirti i shqiptarit nuk u përkul dhe i tregoi botës çfarë do të thotë mikpritje dhe vëllazëri. Jemi mbledhur së bashku nga të gjitha trevat shqiptare për të konfirmuar vlerat tona europiane dhe për t’i shprehur mirënjohjen SHBA-së dhe NATO-s”, tha Bushati.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, e konsideroi këtë mbledhje si një “pikëtakim i elitave politike dhe të ardhmes sonë të përbashkët”.

Hoxhaj falenderoi edhe qytetarët kuksianë që ndihmuan familjet kosovare gjatë eksodit: “Kur kosovarët ishin para asgjësimit fizik, ishin kuksianët dhe shumë familje të tjera shqiptare që hapën dyert duke pranuar mijëra familje nga Kosova. I falenderojmë kuksianët dhe shqiptarët për mikpritjen vëllazërore”.

Zv.kryeministri i Shqipërisë, Niko Peleshi, që e mori fjalën më pas, ka shtjelluar në mënyrë të detajuar të gjitha marrëveshjet e nënshkruara mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat si dhe aksionet e përbashkëta.
Peleshi theksoi se pas mbledhjes së Prizrenit u inicua një bashkëpunim strategjik që si pjesë kryesore ka pasur ndërtimin e autostradës strategjike për të ndërtuar dy linja të interkonjeksionit mes dy vendeve. Zv.kryeministri shqiptar ka raportuar në detaj çfarë është bërë pas samitit të 11 janarit në Prizren për ta konkretizuar në terren të gjithë korpusin e marrëveshjeve. Duke renditur me data dhe takime, Peleshi ka bërë me dije të gjitha takimet, protokollet dhe marrëveshjet e arritura për ta konkretizuar platformën e rëndësishme të samitit të Prizrenit.
Zv.kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka rissjelë kujtimet e shqiptarëve të ikur 15 vite më parë nga dhuna serbe duke falënderuar të gjithë shqiptarët. Qytetarët tanë meritojnë një jetë më të mirë dhe për këtë bindemi çdo ditë. Rinisë sanë i nevojitet një prespektivë më e mirë theksoi Pacolli, i cili deklaroi se bashkimi kombëtar duhet të ndodhë duke nisur prej ekonomisë.
“Kemi ende shumë punë për të bërë. Do të doja të shoh kamionët e zhdoganuar në Shqipëri e të kalojë pa pengesë në Kosovë dhe anasjelltas të njëjtat procedura të bëhen edhe për biznesin nga Kosova. Pra të kemi një unifikim doganor dhe çmime të njëjta si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë”, theksoi Zv/kryeministri i Kosovës, i cili bëri thirrje për heqjen e barrierat doganore.
“Të kemi vetëm një doganë jo barriera, kufiri i takon së kaluarës, ne nuk kemi kufinj mes vetes”, theksoi Pacolli.

“Eksodi ’99", dy qeveritë Shqipëri-Kosovë mblidhen sot në Kukës

Në 15-vjetorin e përkujtimit të eksodit më të madh të shqiptarëve të Kosovës, ku nën dhunën dhe represionin serb u deportuan në Shqipëri mbi 1 milionë kosovarë, të dy qeveritë kanë vendosur të organizojnë aktivitete ndryshe.

Një risi përkujtimi, pasi nuk do të ketë mbledhje të përbashkët të dy qeverive. Do ketë konferencë në kujtim të eksodit ku do të flasin kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi dhe ministrat e jashtëm, të arsimit e të kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës.

Në qytetin e Kukësit, në imitim të atij fluksi të madh të larguarish me forcë nga Kosova prej dhunës serbe 15 vite më parë, do të ngrihen kampingje të improvizuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat