Athinë, emigrantët shqiptarë protestë për toponimet

Shqipëria

Athinë, emigrantët shqiptarë protestë për toponimet

Më: 16 prill 2014 Në ora: 00:04

Emigrantë shqiptarë kanë protestuar pasditen e të martës në Athinë, para parlamentit grek, kundër bllokimit të lëvizjes së fëmijve të lindur në Greqi. Problemi i njohur tashme me emrin Toponimet, krijon vazhdimisht vështirësi për shumë familje emigrantësh, që duan të shkojnë në atdhe për të takuar të afërmit e tyre. Protesta u organizua nga federata e shoqatave shqiptare në Greqi, me qëllim sensibilizimin e autoriteteve greke.
Kryetari i federatës, Etmond Guri, pas tubimit shkoi në Ministrinë e Jashtme Greke, ku dorëzoi një peticion drejtuar personalisht ministrit të jashtëm grek, Evangelos Venizelos. Në të kërkohet të dihen arsyet bllokimit të lëvizjes së lirë të fëmijëve të emigrantëve, por edhe hapat e bëra në drejtim të zgjidhjes.
Ky shqetësim i emigrantëve shqiptarë ka gjetur mbështetje edhe nga kandidati për kryetar bashkie në Athinë, Petros Konstantinu
Është një kërkesë plotësisht e drejtë e Federatës së Shoqatave Shqiptare nël Greqi, sepse fëmijtë e emigrantëve shqiptarë do të duhej të merrnin nënshtetësinë greke, mirëpo, në vend që t’u jepen më shumë të drejta, atyre u merrren edhe të drejtat elementare. Me preteskt toponimet, duan t’ua bëjnë jetën skëterrë emigrantëve. Prandaj ne jemi kundër këtyre qëndrimeve. Nuk mund të vendosë një diplomat se kur duhet të udhëtojnë. Diplomatët po diskutojnë prej vitesh për të gjetur një zgjidhje, mos vallë nevojitet një shekull që të arrijnë zgjidhjen?
Edhe kësaj here, autoritetet greke kanë lejuar për një afat të shkurtër daljen dhe kthimin pa problem të fëmijve që kanë probleme me toponimet në pasaporta. Por afati i dhënë, nga data 13 prill, deri më 5 maj, nuk është se e zgjidh problemin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat