Tahiri: Çdo mjet motorik do të pajiset me GPS, moratoriumi dëmtoi turizmin

Shqipëria

Tahiri: Çdo mjet motorik do të pajiset me GPS, moratoriumi dëmtoi turizmin

Më: 15 prill 2014 Në ora: 21:13

Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, raportoi sot në Komisionin parlamentar të Sigurisë në lidhje me p/ligjin e miratuar në Qeveri “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8663, datë 18.09.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 NT”.

Tahiri theksoi se një ndryshimet në ligj synojnë rregullimin e situatës kaotike sa u takon mjeteve lundruese motorike.

“Ju menduat se deti përdorej vetëm për not”, tha Tahiri duke theksuar se duke ndëshkuar detin me anë të moratoriumit të skafeve, qeveria paraardhëse harroi se droga kishte dhe rrugë të tjera trafiku.

Ai sqaroi se ndryshimet në ligj parashikojnë regjistrimin dhe pajisjen çdo mjeti lundrues me GPS, çka do t’i japë zgjidhje edhe problematikës së zhdukjeve të peshkatarëve në det, për gjetjen e të cilëve, autoritetet kanë pasur vështirësi.

Gjatë seancës dëgjimore nuk kanë munguar debatet me mes deputetëve të opozitës dhe ministrit Tahiri.

Nënkryetari i komisionit, ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka, e lidhi rastet e kapjes së sasive të lëndëve narkotike ditët e fundit në vendet fqinje me transportin e këtyre lëndëve në rrugë detare. Ndërsa Tahiri u përgjigj se edhe gjatë kohës kur ishte në fuqi moratoriumi ka pasur raste të tilla.

“Me statistikë mund t’iu them se moratoriumi nuk ka pasur efekt dhe nuk ka ndikuar në trafikun e lëndëve narkotike. Edhe në kohën kur ishte në fuqi moratoriumi, mjetet lundruese transportonin lëndë narkotike drejt fqinjëve. Moratoriumi ndikoi negativisht në zhvillimin e turizmit, por ne kemi një qasje tjetër. Ne mendojmë se mund të garantojmë sigurinë detare për qytetarët shqiptare. Të garantojmë zhvillimin e turizmit, do e realizojmë duke disiplinuar lëvizjen detare. Ju vendosët moratoriumin, por prishët të gjithë radarët e monitorimit. Ju menduat se deti përdorej vetëm për not, ne mendojmë se mund të përdoret dhe për mjete lundruese”, iu përgjigj Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat