Prokuroria nuk ka marrë ende vendim për hetime mbi ushtrinë

Shqipëria

Prokuroria nuk ka marrë ende vendim për hetime mbi ushtrinë

Më: 15 prill 2014 Në ora: 19:14

Prokuroria shqiptare bëri sot të ditur se ende nuk ka marrë ndonjë vendim rreth kërkesës së ministrrisë së mbrojtjes për të hetuar mbi deklaratat e Partisë Demokratike se ushtria është përfshirë në trafik narkotikësh. Zëdhënësi i prokurorisë, Albi Serani, i tha “Zërit të Amerikës” se brenda pak ditësh prokuroria e përgjithshme mori dy herë kërkesa nga ministria e mbrojtjes, që, bazuar në deklaratat e Partisë Demokratike mbi përzjerjen e ushtrisë në trafik lëndësh narkotike, të nisin hetime për të sqaruar situatën. Asnjëra palë nuk ka bërë padi dhe nuk ka sjellë ndonjë fakt, tha zëdhënësi, duke shtuar se nuk mund të jepte këtë çast asnjë koment, por qëndrimi i prokurorisë mbi këtë temë do të bëhet i ditur disa ditë më pas, kur të merret një vendim lidhur me kërkesën e ministrisë së mbrojtjes, pra nëse vetë prokuroria mund të nisë apo jo hetime kryesisht.
Ministrja e mbrojtjes, Mimi Kodheli tha se qeveria është e motivuar të ruajë dinjitetin e ushtrisë dhe të ndalojë keqpërdorimin e saj nga politika. “Rastet e fundit tregojnë se ende nuk është hequr dorë nga presioni politik ndaj ushtrisë. Koha e presionit politik ndaj forcave të armatosura dhe stafit të ministrisë së mbrojtjes ka marrë fund” - tha ajo. Zonja Kodheli i bëri këto komente në konferencën e Institutit të Studimeve Ndërkombëtare për 5-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në një panel me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu.
“SHBA vlerësojnë që përpjekjet e ministres Kodheli për të zhvilluar reformën dhe për të luftuar korrupsionin kanë qenë të frytshme. ShBA nxitin që këto përpjekje të vazhdojnë, për të patur një forcë aleanciste moderne, të lëvizshme dhe të mirëtrajnuar. Nxit ministrinë që të qëndrojë e fokusuar në këto çështje dhe të vazhdojë punën e shkëlqyer që ka bërë deri tani” - tha ambasadori Arvizu.
Dyshimet e Partisë Demokratike se struktura ushtarake janë përzjerë në trafikun e lëndëve narkotike u diskutuan përsëri sot nga kryetari i Partisë demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar. “Sërish i drejtohem kryeministrit Rama dhe ministres së tij të Mbrojtjes: Keni apo jo dijeni ju për përdorimin e strukturave të ushtrisë për transportin e lëndëve narkotike? Prokuroria dhe drejtësia do të bëjnë punën e tyre, padyshim, por në këtë çast, për shkak të rëndesës që paraqet, problemi ka nevojë të trajtohet me urgjencë nga Kuvendi dhe institucionet e tjera të shtetit” - tha zoti Basha.
Ndërkaq, komisioni parlamentar i sigurisë rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për të thirrur ministen e mbrojtjes Kodheli që të raportojë mbi akuzat e opozitës se struktura të ushtrisë janë përzjerë në trafikim lëndësh narkotike. Kërkesa e opozitës u rrëzua me shpjegimin se ajo nuk bazohet në asnjë provë apo dëshmi konkrete.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat