Droga e sekuestruar në Bari, PD: Ka kaluar nën hundën e autoriteteve tona

Shqipëria

Droga e sekuestruar në Bari, PD: Ka kaluar nën hundën e autoriteteve tona

Më: 15 prill 2014 Në ora: 13:54


Në një deklaratë për shtyp, deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani në emër të forcës politike që ai përfaqëson, ka akuzuar qeverinë si përgjegjësen kryesore për sekuestrimin e bërë sot nga autoritetet italiane në Bari të Italisë.

Deputeti i PD-së tha se, droga ka kaluar nën hundën e autoriteteve tona. Më tej ai tha kjo çështje parashtron jo vetëm shqetësimin e opozitës, por edhe të opinionit publik, pasi sipas tij segmentet e rëndësishme të shtetit dhe anëtarët e qeverisë janë përfshirë në këtë trafik.

Deklarata

1.4 tonë drogë i ka shpëtuar kontrollit të kufirit shqiptar, ka kaluar nën hundën e autoriteteve tona, në mos me bashkëpunimin e tyre, dhe u kap dje në Bari.

Kjo vërteton edhe një herë shqetësimin e opozitës dhe të opinionit publik në Shqipëri, se segmente të rëndësishme të shtetit dhe anëtarët e qeverisë janë përfshirë në këtë trafik, duke e kthyer edhe një herë vendin tonë në listën e zezë të drogës.

Droga e kapur dje në Itali, si një medalje e re në gjoksin e Tahirit, konfirmon gjithashtu mashtrimin me shifrat qeveritare dhe të vërtetën e përkeqësimit të treguesve të rendit dhe lëshimit skandaloz të punës nga drejtuesit e policisë.

Kjo medalje, por edhe medaljet e tjera që dalin nga mesazhi i Edi Ramës për Saimir Tahirin, e bëjnë edhe më urgjente rritjen e koshiencës për situatën.

Droga e kapur dje në Itali është në serinë e këmbanave të alarmit, dhe kjo dukuri po shqetëson tashmë jo vetëm vendet fqinje, por gjithë Europën.

Partia Demokratike i bën thirrje kryeministrit që të marrë masa të menjëhershme dhe të ndalojë këtë trafik të çmendur droge, që nuk mund të zhvillohet pa dijeni dhe pa bekimin e tij dhe të ministrave të tij.

PD-ja nuk mund të pajtohet me damkosjen e imazhit të vendit dhe me zhbërjen e gjithë reformave dhe punës së realizuar në vite për sigurimin e kufijve dhe për nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e zezë e drogës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat