Rama: Do të nisim transformimin e Policisë së Shtetit

Shqipëria

Rama: Do të nisim transformimin e Policisë së Shtetit

Më: 15 prill 2014 Në ora: 12:07

“Gjetëm një polici me infrastrukturë tejet të lodhur, ndërsa sot nis faza e re e transformimit të policisë. Duke vënë një gur të ri themeli, për një Polici Shteti të mbështetur në teknologji të re, e cila do të monitorojë marrëdhënien e policit me qytetarët”. Kështu u shpreh sot kryeministri Rama gjatë prezantimit të pajisjeve të reja dhuruar Policisë së Shtetit nga një kompani turke.

Duke u ndalur në situatën logjistike aktuale të Policisë së Shtetit, Rama tha se sipas raportit të fundit të partnereve amerikan, policia ndodhej në një gjendje tejet të lodhur.

“Në Evropë jam i sigurt, por besoj se edhe në botë, do të jetë një ushtrim absolutisht i vështirë nëse do të kërkojmë një rast të dytë që Ministria e Punëve të Brendshme është në këtë derexhe dhe kjo është derexheja ku ne gjetëm jo vetëm një godinë të ministrisë së Punëve të Brendshme, por një strukturë të tërë të punëve tona të brendshme të policisë sonë të shtetit. Me 46% të ambienteve dhe ndërtesave në gjendjen të dobët ose shumë të dobët, me 70% të automjeteve në gjendje të dobët dhe me policë pa radio”, u shpreh Rama.

Kryeministri premtoi se tashmë kjo situatë ka marrë fund, dhe ka nisur faza e dyte e transformimit rrënjësor të Policisë së Shtetit.

Rama tha se falë pajisjeve dhe kamerave që do të vendosen në automjete dhe motorët e policisë, por edhe ne trupin e tyre do të monitorohen marrëdhëniet mes policëve dhe qytetarëve.

“Puna e policisë në themel do të jetë transparenca. Do të rrisim përgjegjshmërinë e policisë. Do të ketë përfundimisht një “divorc” mes policisë dhe krimit, sepse pak kohë më parë krimi bashkëjetonte me policinë”, u shpreh Rama

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat