Familjarët e një polici që vritet përfitojnë shtëpi nga shteti

Shqipëria

Familjarët e një polici që vritet përfitojnë shtëpi nga shteti

Më: 15 prill 2014 Në ora: 09:35

Kur një polic që nuk ka pasur banesë vritet në krye të detyrës, familja e tij përfiton automatikisht një shtëpi nga shteti. Kjo është një nga risitë e projektligjit për Policinë e Shtetit që pritet t’i kalojë qeverisë përmes Ministrisë së Brendshme dhe më pas të miratohet në Kuvend, bashkë me ndryshime të tjera thelbësore që kanë të bëjnë me trajtimin financiar të policëve, gradat, karrierën, etj. Ndërkaq, parashikohet që nëse polici vdes në detyrë, çdo familjar të marrë nga një pagë mujore të tij, gjë e cila do të ndodhë çdo përvjetor vdekjeje si dhe të merren përsipër e të mbulohen shpenzimet e varrimit dhe studimet e fëmijëve.

Pagat gjatë punës

Në rrogën mujore, përfshihet paga mujore që përbëhet nga paga për gradë, paga për vjetërsi shërbimi në masën 1% për çdo vit deri në 25 vjet dhe paga për natyrë të veçantë pune e shërbimi. Polici merr edhe shpërblim në fund të vitit në masën e një page mujore. Ndërkaq, policët përfitojnë kompensim për privacionet që i krijohen për largësi nga vendbanimi sipas kostos së transportit publik dhe pagën për papunësinë e bashkëshortit/es, përveç të ndëshkuarve me masë disiplinore, të përjashtuarve apo të dënuarve.

Shteti do të rimbursojë në masën 100% shpenzimet mjekësore në institucionet mjekësore private apo shtetërore, brenda apo jashtë vendit, në rastet e dëmtimeve gjatë kryerjes ose për shkak të detyrës, si dhe në rastet e sëmundjeve. Ndërkaq, parashikohet kompensimi në masën e një page mujore neto për trajtim me veshmbathje një herë në vit, trajtim me ushqim me një vakt (drekë) ose, në pamundësi, kompensim në vlerë, ndihmë financiare në masën e një page mujore në rastet e fatkeqësive në familje e shpërblim nga Drejtori i Përgjithshëm deri në masën e 6 pagave mujore, për rezultate të larta në kryerjen e detyrës.

Shpërblimi përballohet nga fondi i pagave. Së fundmi, policët përfitojnë gjithashtu ndihmë të menjëhershme financiare në masën e 6 pagave mujore, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, ndërsa punonjësit civilë trajtohen me shtesë page në masën 20% të pagës.

Kredia, strehimi e pensioni
Polici përfiton kredi për strehim ose për sipërfaqe më të madhe banimi, me një interes në masën 3%. Rimburisimi i interesave të kredisë ndërpritet kur përjashtohet. Punonjësi i policisë kur emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, brenda dhe jashtë vendit, i jepet kompensim për qera banese, kur nuk i sigurohet banesa. Punonjësi i policisë ka të drejtë të dalë në pension shërbimi kur ka plotësuar 25 vite vjetërsi shërbimi dhe moshën 55 vjeç. Ai që përfiton pension shërbimi, përfiton shpërblim të menjëhershëm në masën e 12 pagave të pagës referuese të muajit të fundit.

Masa e pensionit është 65% e pagës referuese të muajit të fundit dhe për çdo vit shërbimi mbi 25 vjet masa e pensionit rritet me 1% të pagës, por nuk duhet të kalojë 85% të pagës. Polici që mbush moshën përfiton pension pleqërie, që përfshin pensionin e përllogaritur sipas ligjit për sigurimet shoqërore dhe një shtesë në masën 2% të pagës referuese të muajit në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim, për çdo vit shërbimi. Shtesa nuk duhet të jetë më e lartë se pensioni i pleqërisë i përfituar sipas ligjit për sigurimet shoqërore.

Në momentin e daljes në pension pleqërie, polici përfiton shpërblim në masën e 3 pagave mujore referuese të muajit të fundit. Polici që ndërpret punën, përfiton pagë kalimtare në masën 50% të pagës referuese të muajit të fundit, 3 vjet, si dhe shpërblim 6 paga.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat