Falen 3.3 miliardë lekë gjoba ndaj biznesit

Shqipëria

Falen 3.3 miliardë lekë gjoba ndaj biznesit

Më: 15 prill 2014 Në ora: 08:02

Kuvendi miratoi dje parimisht një projektligj, i cili fal gjobat që bizneset morën në periudhën 1 mars deri në 31 gusht të vitit 2013. Shifra e gjobave që falen është 3.3 miliardë, por falen edhe 500 milionë lekë, të cilat janë paguar nga bizneset dhe, pas miratimit ligjit, do të rimbursohen. Bëhet fjalë për rreth 4 mijë biznese që kanë gjoba të marra në prag dhe gjatë fushatës.

Komisioni

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave shqyrtoi projektligjin “Për faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave, të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore të kryera për periudhën 1 mars deri më 31 gusht 2013. Të pranishëm në komision për të mbrojtur projektligjin në fjalë ishin zëvendësministri i Financave, Ervin Mete dhe zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Brunilda Paskali. Në fjalën e saj përpara komisionit, Paskali në cilësinë e përfaqësueses së ministrisë që ka marrë këtë nismë, theksoi se ky projektligj paraqitet në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe përmirësimit të shërbimeve që u ofrohen sipërmarrjeve. Sipas Paskalit, nisma për këtë projektligj ka ardhur si rezultat i shqetësimeve që biznesi në mënyrë të vazhdueshme, ka ngritur lidhur me vendosjen e gjobave abuzive dhe në bazë selektive. “Bazuar në filozofinë e qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit në vend jo vetëm propozohet anulimi i gjobave të vendosura për periudhën 1 mars - 31 gusht 2013, por njëkohësisht do të rimbursohen bizneset që i kanë paguar këto gjoba”, tha zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, duke theksuar se në këtë mënyrë vendoset një partneritet publik afatgjatë midis qeverisë dhe sipërmarrjes. Ndërkohë, zëvendësministri i Financave, Mete sqaroi se në total gjatë kësaj periudhe janë vendosur 4069 gjoba, që kapin shifrën e 3,3 miliardë dollarëve, ndërsa gjobat e paguara, por që do të rimbursohen, në total arrijnë në 500 milionë. “Kjo nismë është në frymën e rivendosjes së partneritetit me biznesin”, tha Mete, ndërsa shtoi se vlera e gjobave që do të rimbursohen është bazuar në vendimet e dhëna nga gjykata e Apelit. Në vijim anëtarët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat drejtuan pyetje lidhur me numrin e gjobave me orientim politik, me numrin e inspektorëve tatimorë që kanë vendosur gjoba abuzive dhe masat e marra ndaj tyre, me numrin e gjobave që nuk janë ankimuar, etj. Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve, Mete sqaroi se nuk është bërë një ndarje mes gjobave të vendosura, pasi në këtë mënyrë nuk do të mund të garantohej barazia. “Logjika e ligjit na detyron të mos e bëjmë këtë ndarje, pasi nuk do të garantonte barazi për të gjithë. Në këtë mënyrë vendosëm që për atë periudhë të nxehtë të fushatës, kur kemi marrë ankesa pafund për instrumentalizim të organeve tatimore, të falim të gjitha gjobat. Së dyti, amnistia ka limitet e veta kohore. Ne kemi menduar të falim gjobat e kësaj periudhe, nisur edhe nga indiciet që kemi marrë, si dhe bazuar në faktin që risku i vendosjes së gjobave abuzive është më i lartë në periudhat zgjedhore”, tha Mete. Në përgjigje të pyetjes mbi mënyrën si është proceduar ndaj zyrtarëve abuzues të organeve tatimore, Mete sqaroi se përmirësimi i kapaciteteve të administratës tatimore është një proces në vazhdim. Në këtë kuadër, zëvendësministri i Financave sqaroi se 94 raste janë çuar në prokurori, ku krahas vendosjes se gjobave abuzive, përfshihen edhe raste shkeljesh më të rënda.

Debati

Anëtari i komisionit, Pjerin Ndreu propozoi që në projektligj të parashikohet edhe falja e gjobave të vendosura nga autoritetet tatimore lokale, propozim që u miratua dhe që u reflektua gjatë shqyrtimit të disa neneve të projektligjit. Anëtari i komisionit, Ridvan Bode e konsideroi projektligjin demagogji të qeverisë, pasi falen gjobat, por jo detyrimi tatimor apo kamatëvonesat. “Mendoj se nuk ka asnjë lloj justifikimi për të mbështetur këtë demagogji. Përkundrazi, biznesi zhytet thellë e më thellë, sepse nëse pranohet falja e gjobës, pranohet edhe detyrimi tatimor. Për të lehtësuar qytetarët dhe biznesin duhet zgjeruar fokusi i veprimit të projektligjit. Nëse doni të bëni një ligj për të çliruar ngërçin, zgjeroni fokusin, ndryshe mbetet demagogji”, tha Bode. Por komentet e Bodes u kundërshtuan nga anëtarët e komisionit përfaqësues të mazhorancës, të cilët theksuan se projektligji nuk është demagogji, por është një përgjigje ndaj një realiteti të konstatuar gjatë fushatës zgjedhore. Ervin Koçi vuri në dukje se gjatë 6 muajve të fundit të qeverisjes, numri i gjobave të vendosura nga autoritetet tatimore është 3,5 herë më i vogël, ndërsa të ardhurat janë rritur nëpërmjet mbledhjes së taksave. “Është e vërtetë që ka pasur një angazhim të Partisë Socialiste gjatë fushatës për të falur gjobat e vendosura në mënyrë abuzive, por nuk do të falim asnjë detyrim tatimor, sepse nuk jemi angazhuar për këtë. Detyrimi tatimor është detyrim ligjor që duhet ta paguajë dikush. Gjoba e vendosur për arsye banale është e padrejtë dhe padyshim ne i qëndrojmë angazhimit tonë për t’i falur”, tha kryetari i komisionit, Erjon Braçe, ndërsa theksoi se shqetësimi për gjobat abuzive është ngritur nga të gjitha shoqatat e bizneseve dhe dhomat e tregtisë në takimet dhe forumet e organizuara me qeverinë.

Rruga Tiranë-Elbasan, miratohet kredia

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin mori sot në shqyrtim dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit të ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafë e Plloçës”. Projekti për ndërtimin e rrugës Tiranë - Elbasan është në zbatim e sipër dhe për të është siguruar financimi i plotë. Realisht, financimi që po sigurohet nga Fondi Saudit për Zhvillim, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, shërben për të plotësuar financimin e nevojshëm për projektin e ndërtimit të rrugës Qukës - Qafë e Plloçës. Me kreditorin u ra dakord për një emërtim më të gjerë të projektit, duke përfshirë dhe segmentin Tiranë - Elbasan, kjo vetëm për arsye të thjeshtësimit të procesit të miratimit të kredisë nga menaxhimi i këtij institucioni, duke marre parasysh faktin që Fondi ka shprehur fillimisht angazhimin për të marrë pjesë në financimin e projektit të ndërtimit të rrugës Tiranë - Elbasan, por gjatë zbatimit rezultoi i panevojshëm ky financim për atë projekt. Financimi i ofruar nga Fondi Saudit u konsiderua me vlerë për projektin e ndërtimit të rrugës Qukës - Qafë e Plloçës. Projekti i ndërtimit të rrugës Qukës - Qafë e Plloçës, pjesë e korridorit rrugor Tiranë – Korçë (Korridori VIII) konsiston në ndërtimin e një segmenti rrugor prej 43,4 km të gjatë, që do të kalojë ndërmjet Qarkut të Elbasanit dhe atij të Korçës e që, së bashku me ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan, do të sigurojë një lidhje më të shpejtë dhe komode midis portit të Durrësit e vendeve të tjera të Ballkanit, si Maqedonia, Greqia, Bullgaria, Turqia etj., duke e bërë Shqipërinë vendin më të përshtatshëm për të kryer tranzitin nga vendet e Ballkanit drejt Evropës dhe anasjelltas. Kjo rrugë shërben, gjithashtu, si një bypass për qytetin e Pogradecit, një nga kryeqendrat turistike të Shqipërisë Juglindore, duke shmangur kështu ndotjen e qytetit dhe liqenit të tij si pasojë e tranzitit të mjeteve të rënda, e cila do të rrisë komoditetin turistik në këtë rajon e, për pasojë, do të sjellë rritjen e numrit të turistëve. Për sa i përket zhvillimit lokal mund të themi se kjo rrugë që kalon në zonën e Mokrës dhe krijon akses me tregjet e Korçës, Pogradecit, Librazhdit, Elbasanit apo edhe më gjerë do të sjellë investime të reja në bujqësi, rritje të konsiderueshme të prodhimit vendas e, për pasojë, ulje të konsiderueshme të papunësisë. Gjatësia e segmentit Qukës - Qafë e Plloçës është 43,4 km, nga të cilat 2.9 km e para kanë filluar të ndërtohen me fonde të buxhetit të shtetit, ndërsa pjesa tjetër,prej 40.5 km, do të financohet nga Banka Islamike për Zhvillim (IDB) (marrëveshja përkatëse e huasë është nënshkruar dhe ratifikuar në Parlament), dhe nga Fondi Saudit për Zhvillim (SFD). Rruga në 10 km e para kalon përgjatë lumit Shkumbin e më pas vazhdon në malësinë e Mokrës, e cila njihet si një zonë me terren të vështirë dhe për këtë arsye do të ndërtohen një numër i madh muresh mbajtës dhe pritës, më shumë se 20 (njëzet) ura dhe viadukte si dhe një tunel 375 m i gjatë. Rruga do të ketë gjerësi prej 12 m, me 2 korsi me gjerësi 3.75 m secila (7.5 m në total), 2 bankina të asfaltuara, me gjerësi 1.5 m secila, dhe 2 bankina të paasfaltuara, me gjerësi 1 m secila. Projekti do të ndahet në 3 seksione ndërtimi. Kostoja totale e projektit mendohet të jetë 152.75 milionë USD. Pas diskutimeve në parim, Komisioni për Veprimtaritë e miratoi edhe nen për nen e në tërësi projektligjin në fjalë dhe u shpreh dakord për kalimin e tij në seancë plenare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat