Ministria e Mbrojtjes dorëzon dy padi të reja

Shqipëria

Ministria e Mbrojtjes dorëzon dy padi të reja

Më: 14 prill 2014 Në ora: 17:22

Ministria e Mbrojtjes ka dorëzuar në prokurori dy dosje, duke deklaruar zyrtarisht se ato kanë lidhje me përdorimin anti-kushtetues të Forcave të Armatosura.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes është shumë i rezervuar në informacionet për këtë çështje, por nga aq sa shpjegohet aty rezulton të bëhet fjalë për një akuzë që nuk është ngritur kurrë më parë gjatë 23 viteve të fundit.

Sipas ministrisë, dy dosjet e dorëzuara në prokurori lidhen me përdorimin e Forcave të Armatosura në kundërshtim të hapur me misionin e tyre kushtetues.

Ministria e Mbrojtjes thotë se e mbështet këtë akuzë në shkeljen e dy ligjeve: ligjin “Për Forcat e Armatosura të Republikes se Shqipërisë”, si dhe të ligjit që rregullon pushtetet dhe autoritetet e komandimit dhe të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura.

Njoftimi shumë i shkurtër i Ministrisë së Mbrojtjes nuk thotë se kundër kujt rëndojnë dy dosjet e dorëzuara në prokurori, si dhe kush dhe kur është përdorur ushtria në kundërshtim me Kushtetutën.

Autoritetet në Ministrinë e Mbrojtjes thonë se çështja është sensivitive, përmban informacione sekrete të sigurisë kombëtare, prandaj nuk janë dhënë detaje të tjera.

Sipas Top Channel, i cili u referohet burimeve të tij, në dy dosjet e fundit implikohen zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë.

Paditë janë në ngarkim të ish-ministrit Arben Imami, ish-shefit të Shtabit Xhemal Gjunkshi, ish-shefit të Shërbimit Informativ të Ushtrisë Ylli Zyla, por të përfshirë, sqarojnë burimet ka edhe persona të tjerë.

Veprat penale për të cilat këta zyrtarë akuzohen nga Ministria e Mbrojtjes janë ato të shpërdorimit të detyrës, shpërdorimit të kontributeve të dhëna nga shteti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat