Qeveria shqiptare fal gjobat për biznesin

Shqipëria

Qeveria shqiptare fal gjobat për biznesin

Më: 14 prill 2014 Në ora: 17:14

Qeveria fal gjobat nga muaji mars deri në muajin gusht 2013 që biznesi ka marrë nga administrata lokale. Projektligji për faljen e gjobave u miratua parimisht në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Në faljen e gjobave të vëna në mars - gusht të vitit 2013, do të përfshihen edhe ato të vëna nga administrate lokale. Janë 4069 gjoba me vlerë mbi 500 milionë lekë.

Zv/ministri i Financave, Ervin Mete gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend, tha se ky është një premtim elektoral i kësaj qeverie që do të mbahet, shkruan shekulli.

"Në këtë mënyrë vendosëm që për atë periudhë të nxehtë të fushatës, kur kemi marrë ankesa pafund për instrumentalizim të organeve tatimore, të falim të gjitha gjobat. Së dyti, amnistia ka limitet e veta kohore. Ne kemi menduar të falim gjobat e kësaj periudhe, nisur edhe nga indiciet që kemi marrë, si dhe bazuar në faktin që risku i vendosjes së gjobave abuzive është më i lartë në periudhat zgjedhore,” tha Mete.

Ky projektligj u bë publik nga kryeministri Edi Rama disa javë më parë gjatë një bashkëbisedimi me biznesin dhe u miratua në mbledhjen e qeverisë në fillim të këtij muaji. Falja është mirëpritur nga sipërmarrjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat