Shoqata e Policëve në Lirim denoncon dhunën në protestë: MB të nxjerrë përgjegjësit

Shqipëria

Shoqata e Policëve në Lirim denoncon dhunën në protestë: MB të nxjerrë përgjegjësit

Më: 14 prill 2014 Në ora: 16:59

Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim – 2013 ka denoncon dhunën e përdorur nga segmente të Policisë së Shtetit ndaj të rinjve që protestuan përpara ambasadës greke, kundër torturimit deri në vdekjen e Ilia Karelit, në burgun e Nigritas në Greqi.

“Dhuna e ushtruar nga Forcat Speciale dhe patrullat “Shqiponja”, në tejkalim dhe shkelje të ligjit dhe procedurave standarde, përfundoi me dhjetra protestues të plagosur rëndë, 26 prej të cilëve u shoqëruan në ambientet e komisariateve në kryeqytet.

Një rast tjetër i paprecedent është dhuna e ushtruar ndaj medias , ku në ambientet e Komisariatit nr. 2 , gazetari Armand Bajrami (gazeta Panorama) është tërhequr zvarrë dhe dhunuar nga efektivët e policisë teksa fotografonte jashtë murit rrethues të komisariatit. “- thuhet në reagimin e shoqatës.
Sipas kësaj shoqate kjo ngjarje dëshmoi edhe njëherë mungesën e profesionalizmit dhe mosnjohjen e akteve normative dhe procedurave standarde të punës nga drejtuesit aktualë, në strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit.

“Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim – 2013 u bën thirrje drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe agjencive të tjera ligjzbatuese në vend, që të hetojnë dhe nxjerrin përgjegjësinë, jo vetëm për policët që aktualisht janë të pezulluar nga puna, por edhe të urdhërdhënësve të tyre, drejtuesve të komisariateve dhe të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.”- mbyllet reagimi i shoqatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat