Olta llastohet para kamerave: “Bruna e pëlqente vdekjen, nuk e vrau Partia Socialiste”

Shqipëria

Olta llastohet para kamerave: “Bruna e pëlqente vdekjen, nuk e vrau Partia Socialiste”

Më: 14 prill 2014 Në ora: 13:03

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për vetëvrasjen e një nëne me dy fëmijë pas largimit nga puna. Në një deklaratë për mediat Kordinatorja për marredheniet publike Grida Duma u shpreh se dyshja Rama –Meta nuk dëgjuan lutjet e Bruna Mejkos e cila është vetëhelmuar pas largimit nga puna.

“Një grua, një bashkëshorte dhe nënë, e vetmja e punësuar në një familje korçare, i ka dhënë fund dje jetës, pasi spastrimet që po bën qeveria në administratë e hodhën atë në rrugë. Bruna Meko nuk e përballoi dot dhunën e dyshes Rama-Meta që pas një terrori psikologjik, dhe në dëshpërim e sipër nëna e dy djemve dhe bashkëshortja e një burri që lëngon prej vitesh në shtrat, u vetëhelmua.

Puna që 52-vjeçarja bënte prej më shumë se 10 vitesh, ishte e vetmja e ardhur financiare për familjen Meko. Të afërmit dhe kolegët e saj tregojnë se ajo i kishte paralajmëruar zbatuesit e spastrimeve në administratë, se nuk do ta përballonte dot nëse do ta hiqnin nga puna”, u shpreh Duma.

Ajo cilësoi qeverinë përgjegjëse për vdekjen e 52-vjeçares dhe “zhdukjes së shpresës që po shkaktojnë me shkarkimet denigruese nga puna”.

“Por revanshi i shkarkimeve masive, skema anti-ligjore dhe anti-humane e dyshes Rama-Meta është e verbër për të parë dhe e shurdhër për të dëgjuar lutjet e një gruaje, të një nëne dhe të një bashkëshorteje. Partia Demokratike është thellësisht e indinjuar nga kjo ngjarje dhe gjendet sot pranë familjes Meko në këtë ditë të tmerrshme.

Parti Demokratike akuzon Edi Ramën dhe Ilir Metën, dhe spastruesit e tyre në terren, si përgjegjës të zhdukjes së shpresës që po shkaktojnë me shkarkimet denigruese nga puna, si përgjegjës të ndarjes nga jeta të Bruna Mekos,”- theksoi Duma.

XHAÇKA: PD BEN POLITIKE ME VDEKJEN, DUMA TE KERKOJE FALJE

Selia rozë i është përgjigjur akuzave të Partisë Demoktratike sa i takon çështjes së vetëflijimit të një 52-vjeçare nga Korça. Me anë të një deklarate për shtyp, deputetja e qarkut Korçë, Olta Xhaçka ka reaguar, duke i cilësuar të turpshme shpikjet e Grida Dumës. “Sot ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë.

Përmes Grida Dumës, Partia Demokratike sot ka zgjedhur të bëj politikë me vdekjen dhe me fatkeqësinë. Kjo është e pamoralshme, e turpshme dhe e pafalshme.”-tha Olta Xhaçka.

Sipas Xhaçkës, akuza e bërë nga PD, ishte një shpikje e radhës. “Prej vitesh jemi mësuar me lumin e akuzave, fyerjeve, shpifjeve, baltës, që buronin nga zyrtarë të Partisë Demokratike dhe goja e ish Kryeministrit. Por kjo e sotmja, është shumë e rëndë. Një grua, nënë, bashkëshorte, është ndarë nga jeta. Kjo është një fatkeqësi, për të cilën sot vuajnë familjarët, të afërmit dhe miqtë e saj.”- vijoi deputetja Xhaçka.

Sipas Olta Xhaçkës, opozita shfrytëzon këtë rast për të bërë politikë, sërish përmes shpifjes dhe baltës.
“Për arsye plotësisht dhe vetëm etike, në respekt të një personi që sot nuk jeton më dhe familjarëve të saj, të cilëve i shprehim ngushëllimet më të sinqerta, nuk dëshiroj të jap asnjë detaj për çështje të cilat nuk do të përbenin asnjë interes publik nëse Grida Duma nuk do të kishte bërë sot shfaqjen e turpshme që bëri.”- tha më tej Xhaçka.

Ne pozitën e deputetet së qarkut, Xhaçka bëri me dije se për këtë rast nuk ka pasur pushim apo largim nga puna të të ndjerës Meko. “I bëj thirrje Partisë Demokratike, Grida Dumës dhe çdo personi tjetër të përfshirë në këtë deklaratë të turpshme, të kërkojnë ndjesë dhe të mos kërkojnë përfitim politik nga çdo gjë. Të paktën, jo nga vdekja dhe fatkeqësia.”-përfundoj deklaratën e saj Olta Xhaçka.

DREJTORESHA E ISSH-SË, ANA VERUSHI PËR NEWS24: MEKA KA QENË NË MARRËDHËNIE PUNE, ISHTE ME RAPORT

E kontaktuar në telefon nga News 24 Drejtorja e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Korçë, Ana Verushi, ka pohuar se 52-vjeçarja Brunilda Meka me profesion ekonomiste, deri në momentet e fundit të jetës ka qenë në marrëdhënie pune në këtë drejtori.

Verushi konfirmon se Brunilda Meka ka paraqitur pranë Zyrave Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të këtij qarku një raport mjekësor, duke bërë të ditur se nga data 5 deri në 19 prill nuk është në gjendje shëndetësore për punë.

Pas reagimeve dhe debateve mes dy kampeve politike, të majtë dhe të djathtë, për vetëflijimin e 52-vjeçares Brunilda Meka, ka reaguar bashkëshorti i saj. Sipas tij, gruaja e tij u transferua me qëllim persekutimi, si inspektore bujqësie në fshatin Mollas të Kolonjës.

“Që në vitin 93 gruaja ishte në marrëdhënie pune. Ajon është lajmëruar në datën 4 për një transferim nga vendi i punës, duke e dërguar nga Korça në Ersekë. Në dokumentin zyrtar që unë zotëroj, vërtetohet se ajo e ka transferuar të ndjerën gruan time në Mollas të Ersekës, me detyrën inspektore e Bujqësisë. Tani s’mund të merrem me këtë çështje, pasi jam në mort, por do i publikojë të gjitha faktet”- kështu është shprehur për News24 bashkëshorti i të ndjerës.

Sipas tij, ai dhe familja e tij nuk është përfaqësues i asnjë partie politike. “Gruaja na la një letër lamtumire, ku thuhej se: më morën në qafë, zoti i faltë”- shton më tej Driton Meka. Brunilda ishte emëruar në detyrë si inspektore e Bujqësisë në Mollas të Kolonjës dhe duhej të bënte çdo ditë afërsisht 100 km rrugë.

“Pasi erdhi ky lajm, gruaja ishte e mërzitur dhe e përjetojë shumë keq dhe kaloj parainfart. Mendoj se zonja Ana Venushi bashkë me një shefe tjetër, e persekutuan dhe e shtyn deri sa ajo mori këtë përsipër të ndërmerrte këtë akt”- është shprehur bashkëshorti i të ndjerës, Driton Meka. Sipas tij, ai do ta ndjek çështjen në Gjykatë dhe i drejtohet institucioneve që të zbardhin këtë ngjarje të rëndë dhe shkakun e vërtetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat