“Në 3 vite Italia ka financuar 19 milionë euro projekte në Shqipëri”

Shqipëria

“Në 3 vite Italia ka financuar 19 milionë euro projekte në Shqipëri”

Më: 14 prill 2014 Në ora: 11:36

Ditën e sotme janë prezantuar tre projektet e financuara nga Kooperacioni italian për vitin 2014, në sektorin e zhvillimit territorial, përfshirjes sociale dhe formimit profesional. Këto investime do të shkojnë për shëndetësinë, arsimin dhe punësimin, të cilat së shpeti pritet të vihen në jetë në Shqipëri.

Në fjalën e tij, zv/kryeministri Niko Peleshi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, ndërsa shtoi se Italia ka qenë gjithmonë mbështetëse ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit. Gjithashtu, ai theksoi faktin se Italia veç lobimit që ka bërë për vendin tonë, ajo e ka ndihmuar Shqipërinë edhe përmes ndihmave materiale.

“Sot ne jemi në një proces të rëndësishëm për Shqipërinë siç është integrimi në BE dhe është një fat që kemi si shtet fqinj, një vend si Italia që na ka dhënë mundësi të ecim në rrugën e integrimit, por edhe në proceset tona zhvillimore, ekonomike dhe sociale. Jo thjesht e vetëm me inkurajim, me avokati dhe lobim, siç ka ndodhur në vazhdim, por edhe me një paketë ndihmash që renditet në vendet e para në raport me donatorët e tjerë” tha Peleshi.

I pranishëm në këtë eveniment ka qenë edhe ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani, i cili tha këto projekte do t’u vijën në ndihmë qytetarëve shqiptarë. Sipas tij, në realizmin e tyre, veprojnë mbi 20 OJF dhe ka një total financimi prej 6 milionë eurosh, që do të ndihmojë në zhvillimin e Shqipërisë dhe kryesisht në shëndetësi, arsimi, kulturë dhe zhvillimin rural.

“Mbi 20 OJQ italiane që veprojnë në të gjithë sektorët, që nga shëndetësia arsimi, zhvillimi rural duke promovuar përfshirjen e fashave sociale më pak të avantazhuara, dhe të gjithë këto projekte garantojnë një prani të rëndësishme në terren të Kooperacionit italian. Në 3 vitet e fundit Kooperacioni italian ka financuar projekte nga OJQ me një total prej 19 milionë euro, që nga 2012. Pas propozimeve që u bënë në 2013 Ministria e Jashtme e Italisë zgjodhi 3 projekte që kanë të bëjnë me Shqipërinë, me një vlerë prej 6 milionë euro, 2 milionë nga Kooperacioni italian, dhe 4 milionë financohet nga vetë fondet e organizatave”, - shpjegoi ambasadori Italian në fjalën e tij para prezantimit të projekteve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat