Nevoja emergjente për përkthyes

Shqipëria

Nevoja emergjente për përkthyes

Më: 14 prill 2014 Në ora: 09:18

Nëse deri dje dikush kishte guximin që të vinte në lojë gjuhët e huaja dhe të fliste me një lloj përçmimi për to, sot do të ishte rasti i mirë që të kërkonte falje. Ndoshta një përgjigje e mori edhe nga ministrja e Arsimit disa ditë më parë, e cila u bëri thirrje të rinjve maturantë që të zgjedhin gjuhën e huaj për studimet universitare, si mënyrë për t’i sjellë zhvillim vendit. Të rinjtë detyrimisht duhet t’i zgjedhin gjuhët e huaja dhe t’i studiojnë ato, por pa kaluar në arbitraritet që, kur nuk kemi ku t’i çojmë, të hapim valvulin e shkarkimit te gjuhët e huaja. Fakultetet ku studiohen gjuhët e huaja, në radhë të parë duhet të garantojnë një diplomë të qëndrueshme dhe të konkurrueshme në tregun e punës, por kjo kërkon që së pari të përzgjidhen individët që do i studiojnë ato. Është koha që universitetet shqiptare t’i kthehen testeve hyrëse që të përzgjidhet elementi i duhur dhe më pas të punohet me të për të siguruar garanci, që formimi i tij nuk do të mbetet në mes, apo do të dështojë pasi merr diplomën. Nuk mund të tolerohet më mendimi që të gjithë nxënësit e shkollave të mesme duhet me doemos të bëhen studentë dhe që në tetor të këtij viti duhet t’i thuhet ndal abuzimit me ta.

Ministria mund të jetë nismëtarja e krijimit edhe të një organizmi që të sigurojë cilësinë e përkthyesve dhe ndihmën që puna të vazhdojë më tej me kërkesa të larta drejt tregut, i cili ka hapësira të panumërta për integrimin e tyre në punë. Turizmi është një prej mundësive që duhet shfrytëzuar maksimalisht tek ne meqë është një nga drejtimet prioritare për një vend si Shqipëria. Turizmi veror ndoshta mbetet më i preferuari, prandaj këtu duhen drejtuar vëmendja dhe synimi në mënyrë që edhe agjencitë e udhëtimeve të mos ndeshen me punë diletanteske në përkthim. Kjo kërkon më tej edhe një formim më të gjerë kulturor për përkthyesit apo simultanët, të cilët nuk duhet ta anashkalojnë këtë formim të dytë pas atij gjuhësor. Te fqinjët tanë përkthyesi dhe ai simultan kanë një rëndësi të madhe, pasi nuk promovojnë vetëm turizmin, por edhe kulturën dhe gjuhën. Te ne kjo lidhje duket se është harruar fare dhe i lihet gjithçka rastësisë apo ndonjë lloj klientelizmi që nuk prodhon asgjë të mirë dhe promovuese për vetë vendin. Në një botë që po priret drejt globalizmit, harrimi apo prirja vetëm ndaj një gjuhe krijon një hendek të madh, për të mos folur për moszotërimin e gjuhëve të huaja në rang global. Nuk ka mundësi që me qytetarë të ndryshëm nga bota të flasësh me një gjuhë të vetme, pasi nuk do të ishte produktive edhe për vetë ata që janë të interesuar të investojnë. Në këtë pikë, janë përkthyesit ata që mund të luajnë një rol të madh për ta plotësuar këtë vakum, por që nga ana tjetër është një garanci për punësim.

Në Perëndim mjaft efikase është tendenca më e re që të merresh me ndërmjetësim kulturor, pasi emigrantët nga Afrika dhe Azia janë të shumtë, për të mos folur për lulëzimin e biznesit me oligarkët e shumtë rusë që gjithnjë e më shumë kërkojnë tregje në Europë. Edhe te ne, pasi të kemi një forum të ekselencës për përkthyesit mund të operojmë edhe në një lloj tjetër tregu, që përsëri do të sjellë punësim, atë të specialistëve të ndryshëm, pra me diploma në degë specifike, të cilët mund të ndjekin kurse specializimi gjuhësore në sektorin që përfaqësojnë. Kërkohet vetëm që këta përkthyes t’i akreditojnë njohuritë e tyre pranë qendrave të specializuara apo instituteve përkatëse dhe përmes seminareve, konferencave të jenë pjesë e trajnimit të vazhdueshëm. Të pranosh që një punë të tillë mund ta kryejë edhe një i diplomuar në degë tjetër, me njohurin të pakta gjuhësore, do të thotë që krizës të mos i përgjigjesh me alternative të reja, informalitetit t’ia lësh të hapur derën. Koha sot dhe tregu kërkon zhdërvjelltësi në veprim dhe punë, specialist të mirëfilltë dhe jo “gjithologë”, pra njerëz që mund të bëjnë gjithçka, por specialistë të denjë për punën që do kryejnë si në përkthim letrar apo edhe specifik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat