Aksidenti tragjik me 7 viktima/ Shoferi fiku makinën në zbritje që të mos harxhonte karburant

Shqipëria

Aksidenti tragjik me 7 viktima/ Shoferi fiku makinën në zbritje që të mos harxhonte karburant

Më: 12 prill 2014 Në ora: 22:58

Aksidenti i ndodhur më 8 shkurt në aksin rrugor Shishtavec– Kukës, ku humbën jetën 7 persona, ka ardhur për shkak të bllokimit të timonit.

Shoferi 21-vjeçar, Bashkim Çuni, ka fikur makinën për të mos harxhuar karburant, raporton ABC News.

Sipas ekspertëve auto-teknikë të Policisë Rrugore, ka rezultuar se drejtuesi i automjetit Çuni, për të kursyer naftë, ka kthyer çelësin e kuadrit, duke fikur makinën, që pak çaste para aksidentit ishte duke zbritur.

Kjo ka shkaktuar bllokimin e timonit dhe forcimin e frenave. Gjithçka ka ardhur nga mungesa e eksperiencës.

Ekspertët kanë nënvizuar në raport, se pas këqyrjes së makinës ka rezultuar se çelësi kishte rënë nga brava dhe kuadri ishte i fikur, ndërsa gjendja teknike e mjetit ishte e mirë.

Hetuesit konstatuan, se në furgon ndodheshin 13 pasagjerë, pra 4 persona mbi kapacitetin e lejuar për këtë tip mjeti, të kategorizuar si 8+1…

Bazuar në pyetjet e të mbijetuarve dhe referuar këqyrjes së mjetit e vendit të ngjarjes, ka rezultuar se shoferi 21- vjeçar duhet të jetë përpjekur, por nuk ka arritur të ndezë sërish mjetin, për të mos lejuar që ai të përfundonte në humnerë.

Sipas të dhënave të policisë së Kukësit, shoferi Bashkim Çuni kishte 6 muaj që e bënte çdo ditë rrugën nga Shishtaveci në Kukës dhe anasjelltas, edhe pse nuk ishte i pajisur me kategorine e patentës, që duhet ta lejonte te drejtonte mjete të tranpsportit publik.

Ndërsa nga ana e Policisë Rrugore rezulton se 21 vjeçari është gjobitur vetëm në një rast me 600 lekë, por për shkelje që kishin të bënin me mos respektimin e sinjalistikës.

Sipas policisë, 13 pasagjeret e furgonit ishin banorë të fshatrave të Shtrezës, Kollovozës dhe Topojanit, të cilët po udhëtonin drejt Kukësit për ditën e pazarit.

Aksidenti ndodhi pranë urës së Topojanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat