Konfindustria: Çdo rritje çmimi i energjisë, do shtonte mospagesat nga qytetarët

Shqipëria

Konfindustria: Çdo rritje çmimi i energjisë, do shtonte mospagesat nga qytetarët

Më: 12 prill 2014 Në ora: 10:34

Konfindustria ka reaguar nëpërmjet një njoftimi zyrtar duke shprehur mbështetjen për projekt-rezolutën e miratuar nga deputetët e të gjithë përkatësive partiake në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese për mosrritjen e çmimit të energjisë elektrike nga Enti Rregullator i Energjisë në kushtet e humbjeve të rënda financiare, që tejkalojnë gjysmën e prodhimit të përgjithshëm.

Administratori i përgjithshëm i Konfindustria, Gjergj Buxhuku, shprehet se miratimi i rezolutës nga Kuvendi i Shqipërisë do të ishte hapi i parë drejt kthimit, drejt një politike të arsyeshme dhe të moralshme të qeverisë, që tejkalon sektorin e energjisë dhe duhet të përfshijë gjithë ekonominë kombëtare, që shfaqet me shmangie tërësore fiskale deri në 50% të PPB.

Konfindustria vlerëson, se rritja e të ardhurave për operatorin e shpërndarjes së energjisë/CEZ sh.a, mund të jetë i mundur vetëm nga miradministrimi i sistemit pa rritje çmimi për konsumatorët.

Po në këtë linjë thuhet se në rast të kundërt çdo rritje çmimi në kushtet e një sistemi administrimi të dobët do të shtonte trysninë per mospagesë nga qytetarët dhe bizneset, por gjithashtu edhe do të penalizonte rëndë shtresat e shoqërisë shqiptare, që respektojnë ligjin.

Sipas Buxhukut në rast të rritjes së çmimit të energjisë elektrike gjendja do të ishte mjaft e rënduar veçanëisht për industritë e rregullta me ligjin jo vetëm për shkak të rritjes së kostove të prodhimit, por njëkohësisht edhe të prishjes së rregullave të konkurrencës nga subjektet abuzues.

Në vijim të qëndrimit theksohet se Konfindustria në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar nga ekzekutivi, që paketat fiskale sikurse në rastin e marrëveshjes së fundit me FMN, si parim duhet të mbështeten në rritjen e të ardhurave buxhetore nëpërmjet mirëadministrimit të sistemit me taksa të ulta dhe në asnjë mënyre në rritjen e barrës fiskale për qytetaret dhe bizneset, që punojnë në kushtet e tregjeve të hapura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat