INUK i vë tritolin “Grand Hotel” në Dhërmi, sot pritet shpërthimi

Shqipëria

INUK i vë tritolin “Grand Hotel” në Dhërmi, sot pritet shpërthimi

Më: 12 prill 2014 Në ora: 10:32

​Një hotel katërkatësh, vetëm pak metra larg bregut të plazhit të Dhërmiut, pritet të shembet sot me tritol, ndërkohë që nga dita e djeshme kanë nisur përgatitjet për vendosjen e lëndës plasëse. Forcat e INUK-ut dhe ato të xhenios kanë marrë në dorëzim “Grand Hotel” dhe i kanë lënë afat vetëm disa orë pronarit për të hequr materialet që ndodhen në këtë objekt, para se të fillojë puna për hapjen e vrimave për lëndën plasëse.
Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar deklaroi dje se do të prishë një hotel katërkatësh në Dhërmi. Objekti ndodhet në brezin e parë të rërës, ndërsa INUK-u thekson se është pa leje dhe pa dokumente pronësie. Mësohet se INUK-u ka rrethuar zonën dhe po punon për vendosjen e eksplozivit, me qëllim rrëzimin e godinës. Kreu i INUK-ut, Zyhdi Dajti, ndodhet në krye të operacionit, i shoqëruar nga forcat xheniere të ushtrisë. Objekti do të shembet me shpërthim të kontrolluar.

Por, pronari i këtij objekti, Gjika Stramarko, pretendon se e ka me leje ndërtimi dhe se nuk ka marrë asnjë njoftim për prishje, siç e kërkon procedura. Në këto kushte, ai ka shkuar në Vlorë për të bërë kallëzim penal ndaj këtij veprimi. Në hotel ndodheshin bashkëshortja me dy fëmijët dhe babai i pronarit Stramarko. Sipas të dhënave, pronari i hotelit është kryeplaku i fshatit të Dhërmiut, i cili në bashkëpunim me ish-regjistruesin e Hipotekës së Vlorës, Eduart Dervishi, dyshohet se ka tjetërsuar pronën publike, duke përfituar 1600 metra katrorë plazh në vijën bregdetare të këtij fshati. Gjatë ditës së djeshme, u publikua edhe kallëzimi në Prokurorinë e Vlorës, i bërë nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pranë Kryeministrit për ish-kryeplakun Gjika Stramarku dhe bashkëpunëtorit Eduart Dervishi.

Dy muaj më parë, INUK-u i prishi një tjetër ndërtesë trekatëshe, ndonëse Gjika Stramarko pretendonte se dispononte leje ndërtimi. Në këto kushte, INUK-u i ka dhënë afat disa orë për të hequr orenditë e hotelit, ndërkohë që ka nisur puna për vendosjen e lëndës plasëse. Burimet nga INUK shprehen se pritet që shpërthimi i kontrolluar të kryhet gjatë ditës së sotme. Ky është i disati rast i objekteve pa leje që prishen me shpërthim tritoli. Më herët, INUK-u ka prishur ndërtime në Tiranë, Vlorë e Mallakastër me të njëjtën mënyrë, atë të vendosjes së tritolit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat