Fatos Hoxha: PD s'mund të ringrihet me të inkriminuarit

Shqipëria

Fatos Hoxha: PD s'mund të ringrihet me të inkriminuarit

Më: 12 prill 2014 Në ora: 08:09

Ish-deputeti demokrat, Fatos Hoxha shpreh rezerva ndaj mënyrës se si po ringrihet Partia Demokratike pas humbjes së thellë të 23 qershorit 2013. Hoxha, aktualisht anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, beson se kjo parti nuk mund të ringrihet me përgjegjësit e humbjes dhe as me njerëz të implikuar me drejtësinë. Ish-deputeti demokrat apelon se PD-ja duhet të qëndrojë larg njerëzve me precedentë penalë, në të kundërt, ringritja do të jetë e dhimbshme. "PD nuk mund të ngrihet duke shpallur fillimin e ri me shkaktarët e humbjes, me ata që janë përgjegjësit kryesorë të rrënimit të kësaj force. PD nuk mund të ringrihet me ish-drejtorë Doganash, Hipotekash, kompanish energjetike, me ish-drejtues të cilët janë me precedentë penalë në Prokurori, me njerëz të përdorur nga qeveria e sotme etj... PD mund të fillojë realisht ringritjen, kur vetë këta që janë në krye të PD-së të shohin dhe të pranojnë të vërtetën, sado e dhimbshme qoftë ajo", shkruan Hoxha në një koment të tij në rrjetin social të "Facebook"-ut.
RIORGANIZIMI
Partia Demokratike, pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit është përfshirë në një proces të brendshëm zgjedhor për strukturat e reja. Një grup pune prej 40 koordinatorësh ka zbritur në terren prej më shumë se një muaji e gjysmë dhe po ndjek nga afër fazën e parë të zgjedhjeve të PD-së, që ka të bëjë me evidentimin e anëtarësisë së PD-së. Kjo fazë mund të konsiderohet e mbyllur, ndërkohë që brenda pak ditësh pritet fillimi i fazës së dytë të zgjedhjeve, ku një udhëzim i posaçëm do të përcaktojë modalitetet se si do të kryhen zgjedhjet nga baza drejt qendrës. Krahas zgjedhjeve, PD-ja do të bëjë në të gjitha degët e saj edhe analizën e hollësishme të humbjes së 23 qershorit të 2013-ës. Por vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha ka bërë të qartë se nuk do të ketë "koka turku", por evidentim të shkaqeve që sollën humbjen e thellë dhe përmirësimin e tyre. Grupi i koordinatorëve të caktuar nga qendra janë ish-deputetë të PD-së, ish-drejtues institucionesh apo ish-zyrtarë të lartë të qeverisjes demokratike. Ende nuk dihet nëse ata do të ndjekin nga afër edhe fazën e dytë të zgjedhjeve në PD, por disa prej emrave të tyre janë kontestuar edhe më parë nga disa ish- eksponentë të PD-së. Gjithsesi, PD pritet ta mbyllë procesin e zgjedhjeve të strukturave të reja në muajin qershor, kohë kur do të zhvillohet edhe Kuvendi i partisë. Aktualisht, i zgjedhur me votë dhe me mandate është vetëm kryetari Lulzim Basha, ndërkohë që drejtuesve të tjerë dhe forumeve të tjera të PD-së u ka përfunduar mandati dhe duhet të rizgjidhen emrat e rinj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat