Hoffman: Statusi në qershor? Herët për përgjigje. Reforma në drejtësi, e rëndësishme

Shqipëria

Hoffman: Statusi në qershor? Herët për përgjigje. Reforma në drejtësi, e rëndësishme

Më: 12 prill 2014 Në ora: 07:40

Ndërkombëtarët apelojnë për bashkëpunim mes palëve politike me qëllim që Shqipëria të marrë në qershor statusin e vendit kandidat për në BE. Ambasadori i Gjermanisë, Helmut Hoffman beson se Shqipëria ka perspektivë të qartë evropiane, por sipas tij duhen përmbushur reformat që kërkon BE-ja. Ai përmend reformën në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa ve theksin edhe tek krijimi i një administrate shtetërore profesionale.

"Vendimet lidhur me çështjet e zgjerimit merren pikërisht nga Këshilli i Kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Sigurisht që progres-raporti i Komisionit Europian është shumë i rëndësishëm, por qeveritë e vendeve krijojnë edhe një panoramë të tyren rreth zhvillimeve të vendeve aspirante. Vitin e shkuar, Komisioni ka dhënë rekomandime të qarta, por këto rekomandime u pa se nuk u ndoqën. Kështu Komisioni Evropian kërkoi në dhjetor disi më tepër kohë. Sigurisht që Kancelarja Federale shprehu qartë qëndrimin se do të shikojë me një vështrim ose e thënë ndryshe qëndrim pozitiv raportin mbi dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Sigurisht është ende herët të thuhet se si do të jetë ky vendim, por mund të themi se hijëzimi disi pozitiv i vendimit të qershorit dhe duke u shoqëruar gjithashtu edhe me zhvillime pozitive në Shqipëri më bën personalisht optimist dhe më shtyn të mendoj se do të duhet të presim një vendim pozitiv. Është mjaft e rëndësishme që qeveria shqiptare në këtë kontekst të vijojë kursin e reformave veçanërisht do të përmendja këtu luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe krijimin e një administrate shtetërore profesionale. Gjithashtu shumë e rëndësishme është edhe reforma në sistemin e drejtësisë", deklaroi Hoffman për 'Vizion Plus'.

Ndërsa kanë mbetur edhe afro 2 muaj nga marrja e përgjigjes së radhës për statusin e vendit kandidat, shtohen zërat se vlerësimi i Komisionit Europian do të jetë udhërrëfyesi kryesor mbi të cilin vendet anëtare do të bazojnë votën e tyre. E si për të përforcuar këtë qëndrim, ambasadorja Belge për Ballkanin Perëndimor Anick Van Calster deklaroi dje nga Shkodra se "Belgjika do të lexojë me kujdes këtë raport për të shprehur pozicionin e saj". Ndërsa për të ngarkuarin me punë të delegacionit të BE-së në Shqipëri Clive Rumbold, "jo vetëm bashkëpunimi pozitë-opozitë, por i të gjithë faktorëve duhet të shkojë në sinkron me plotësimin e kërkesave që u bënë publike në dhjetor". Sipas tij "nuk përfundon gjithçka me statusin, pasi atëherë nis rruga më e vështirë". Pjesa më e madhe e vendeve anëtare të BE-së kanë deklaruar përmes përfaqësuesve të tyre në vendin tonë, se vlerësimi i KE është barometri matës në këtë proces. Mbetet në duart e klasës politike dhe frymës që ajo do të përcjellë në këto muaj, për përgjigjen e qershorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat