Hetim për akuzat e ish-ministrit të mbrojtjes

Shqipëria

Hetim për akuzat e ish-ministrit të mbrojtjes

Më: 11 prill 2014 Në ora: 21:07

Pas akuzave të ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, se ushtria po përdoret për transportin e lëndëve narkotike, Ministria e Mbrojtjes ka vendosur t’i drejtohet Prokurorisë së Përgjithshme, ku i kërkon nisjen e menjëhershme të hetimeve.
“Ministria e Mbrojtjes i bën me dije opinionit publik se sot, më datë 11 prill 2014, ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme një letër drejtuar kryeprokurorit Adriatik Llalla në të cilën kërkon: të nisë menjëherë hetimet mbi akuzat që deputeti i Partisë Demokratike, z. Arben Imami ka bërë në seancën plenare të ditës së djeshme në Kuvendin e Shqipërisë. Në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, bazuar te Kushtetuta dhe ligjet e vendit, znj. Kodheli i kërkon prokurorit të Përgjithshëm nisjen e hetimeve për këto akuza të rënda në drejtin të Forcave të Armatosura”, tha në një deklaratë për mediat zëdhënësja për shtyp e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes ka shprehur e gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet e hetimit.

“Ministria e Mbrojtjes garanton se në çdo moment do të bashkëpunojë me organet e Prokurorisë për të vënë në dispozicion të saj të gjithë materialet e kërkuara dhe, gjithë ndihmën e nevojshme që ky institucion do të kërkojë lidhur me zbardhjen e plotë të këtyre akuzave”, përfundoi zëdhënësja e Ministrisë.

Në seancën e fundit parlamentare ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami akuzoi ministren Kodheli, se përveç pastrimit te rrugëve, ushtria po përdoret dhe për transportin e lëndëve narkotike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat