Përgjohet ministri Tahiri, Noka lexon mesazhin e Ramës

Shqipëria

Përgjohet ministri Tahiri, Noka lexon mesazhin e Ramës

Më: 11 prill 2014 Në ora: 16:17

Në Komisioni Hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit janë përplasur ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka dhe ministri aktual Saimir Tahir. Noka, duke mos treguar mënyrën se si e gjeti, lexoi nga telefoni i tij një mesazh, të cilin pretendon se Kryeministri Edi Rama ia ka dërguar Tahirit.

Sipas Nokës, ja mesazhi i plotë i Ramës për Tahirin

"Nga muaji mars 2014 dyfish vrasje krahasuar me muajin Mars 2013, gjithashtu janë përkeqësuar gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistike. Kjo nuk është kurrkund ajo që ke marrë përsipër përballë qytetarëve, pra si unë edhe ti. Është e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore karshi teje, por ky kufi nuk mund të shkelet me neglizhencë fatale si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë nuk jam shumë larg së menduari se problemi je ti dhe jo vartësit e tu dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty. Unë besimin që të kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut se meritojnë gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që kanë mbetur bëj më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, nuk bëre mirë e çdo bësh për të riparuar në qoftë se mundesh".

Ministri Tahiri, i thirrur për të raportuar në këtë komision, konfirmoi ekzistencën e mesazhit, por hodhi poshtë aludimet se ja ka dërguar Kryeministri Edi Rama. Tahiri tha se mesazhin e ka dërguar vetë ai ndaj bashkëpunëtorëve të tij.

Por më shumë se përmbajtja e mesazhit, ajo që ka shkaktuar reagimin e mazhorancës është fakti që një ish-ministër bën publik një mesazh të një ministri aktual, duke aluduar se ka përgjuar komunikimin telefonik mes Kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri. Deputeti socialist Blendi Klosi kërkoi ndërprerjen e seancës dhe verifikim për deklaratat e Nokës, ndërsa ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, tha që mënyra se si Flamur Noka të marrë mesazhin të hetohet jashtë komisionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat