Dëmshpërblimi i të përndjekurve, hyjnë në fuqi ndryshimet ligjore

Shqipëria

Dëmshpërblimi i të përndjekurve, hyjnë në fuqi ndryshimet ligjore

Më: 11 prill 2014 Në ora: 08:49

Ministria e Financave publikoi dje ligjin e ri, të ndryshuar, për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë. Ligji parashikon radhën e kompensimit, sipas të cilës do të paguhen të parët personat që nuk kanë asnjë këst dhe personat që janë mes moshës 73 dhe 80 vjeç. Ligji ka 34 nene dhe disa dispozita për rastet specifike, ku përfshihen trashëgimtarët e brezit të dytë e të tretë, rastet kur i dënuari nga regjimi komunist apo të internuarit jetojnë si dhe listën e plotë me dokumentacionit që duhet të plotësohen për të përfituar dëmshpërblim.

Shqyrtimi i kërkesave

Shqyrtimi i kërkesave për përfitimin e dëmshpërblimit, kryhet nëpërmjet shqyrtimit të drejtpërdrejtë dhe të bashkërenduar. Ministri i Drejtësisë vendos pranimin e një kërkese vetëm kur, nga shqyrtimi i drejtpërdrejtë dhe i bashkërenduar, kërkesa plotëson të gjitha kriteret e përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji. Shqyrtimi i drejtpërdrejtë është faza e parë e hetimit, i cili kryhet në sektorin e gjendjes gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë (skedarët e përgjithshëm dhe ato të posaçëm, për të përndjekurit politikë të regjimit komunist) dhe, sipas rastit, në arkivin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Çdo kërkesë i nënshtrohet këtij shqyrtimi, pavarësisht informacionit provues, që i bashkëlidhet dosjes. Kopja e ekstrakteve të arkivit printohet, nënshkruhet nga punonjësi që përpunoi informacionin dhe i bashkëlidhet dosjes së kërkuesit. Informacioni, për çdo kërkesë, kërkohet në të gjitha variantet emër, mbiemër, viti i lindjes, lloji i veprës penale etj., përfshi edhe indiciet për gabime të mundshme, ortografike dhe materiale, të dhëna nga vetë kërkuesi, për gjeneralitetet e tij. Sipas Ministrisë së Financave objekt i këtij ligji është përcaktimi i përfituesve, masës, kritereve dhe procedurës së përfitimit të dëmshpërblimit financiar për ish të dënuarit politikë, të cilët kanë vuajtur persekutimin e drejtpërdrejtë në regjimin komunist, nëpërmjet kryerjes së dënimeve penale të padrejta, si burgim apo masa mjekësore të detyrueshme, si pasojë e një apo disa vendimeve penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme, gjykatave speciale apo të urdhrave të organeve të hetuesisë, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991.

Kur përfitohet dëmshpërblimi

Qëllimi i këtij ligji është dhënia e dëmshpërblimit financiar nga shteti shqiptar për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, për familjarët e viktimave të ekzekutuara dhe personat e internuar ose të dëbuar në kampe, si një angazhim i shtetit demokratik në dënimin e krimeve të regjimit totalitar komunist dhe garantimin për ta, të një jete më të mirë. Dëmshpërblimi financiar, sipas këtij ligji, nuk përjashton marrjen e masave të tjera, të njëkohshme ose të mëvonshme, ligjore apo administrative, në dobi të të persekutuarve e të dënuarve politikë, të cilat i shërbejnë rivendosjes së drejtësisë dhe dinjitetit shoqëror të kësaj shtrese apo krijimit të kushteve favorizuese, për riintegrimin shoqëror të tyre. Procedura e shqyrtimit administrativ të kërkesave dhe masa e dëmshpërblimit financiar për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 01.10.1991, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Dënim penal i padrejtë

Me dënim penal të padrejtë, në kuptim të këtij ligji, për efekt të dëmshpërblimit, nënkuptohet dënimi kapital ose çdo ditë heqje lirie, izolimi, internimi apo dëbimi, për vepra penale politike, në institucionet penitenciare apo një institucion mjekësor, psikiatrik apo jo-psikiatrik, për shkak të një: vendimi apo urdhri hetuesie me vdekje, i ekzekutuar gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991; vendimi, dënim me burgim të përjetshëm; vendimi, dënim me burgim; vendimi, dënim me mjekim të detyruar; vendimi, dënim me vendosje në një institucion mjekësor apo mjekësor psikiatrik; urdhri nga hetuesia; vendimi, dënim me vdekje, i paekzekutuar, si pasojë e rrëzimit të sistemit komunist më 1.10.1991; vendimi, urdhri hetuesie apo vendimi administrativ politik për internim ose dëbim dhe akti administrativ apo dokumenti zyrtar që provon internimin në kampe me rrethim me tela me gjemba.

Kriteret për të përfituar

I dënuari ose familjarët e viktimave të dënuara, të ekzekutuara apo të pushkatuara, për të përfituar dëmshpërblim duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme: të jenë dënuar me dënim kapital, heqje lirie, internim dhe dëbim apo të jenë izoluar në hetuesi ose në një institucion mjekësor psikiatrik, për shkak të një vendimi gjykate të formës së prerë, të një akti administrativ apo të urdhrave të hetuesisë, të dhëna gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991, heqja e lirisë, izolimi në hetuesi apo në një institucion mjekësor psikiatrik, me vendim gjyqësor të formës së prerë apo me urdhër të hetuesisë, të jetë për shkak të një vepre penale politike, siç përcaktohet në nenin 5 të këtij ligji, të ketë kryer ose të ketë vuajtur dënim penal të padrejtë plotësisht ose pjesërisht, të kenë fituar pafajësinë, sipas ligjit nr. 7541, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” dhe sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, të mos ketë kryer veprime të dëmshme, me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 01.10.1991.

Pagesat

Masa e dëmshpërblimit për të burgosurit, të internuarit ose të dëbuarit politik do të jetë si më poshtë:

1. Çdo i dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht, sipas kritereve të këtij ligji, në masën 2 000 lekë në ditë.

2. Për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1 000 lekë në ditë.

3. Për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar parashikohet një skemë pensioni, e cila do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Dëmshpërblimi i përcaktuar në paragrafin më sipër u takon dhe familjarëve të tij, në pjesë të barabarta takuese, kur i dënuari nuk jeton më. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jo-pasurore vetjake.

4. Nga shuma që çdo i dënuar politik përfiton nga ky ligj, zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme.

5. Përfitojnë familjarët e viktimave, të pushkatuara apo të ekzekutuara me dënim politik të padrejtë, për vuajtjen dhe persekucionin, përfitojnë një dëmshpërblim financiar të barabartë, gjithsej, në masën e 8 viteve kompensim dënimi me burgim. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jo-pasurore vetjake. Në kuptim të këtij ligji, me familjarë nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish të dënuarit politik, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave dhe familjarët, në shkallë më të parë, sipas Kodit Civil, përjashtojnë familjarët e tjerë.

Kërkesa për dëmshpërblim

Kërkesa për dëmshpërblim duhet të përmbajë shtatë dokumente. Në ligjin e ndryshuar dhe që po ndiqet aktualisht për klasifikimin e dosjes dhe miratimin e shumës së kompensimit, ajo duhet të përmbajë:

1. Të dhëna për përbërësit e gjendjes civile të ish të dënuarit politik, në kohën e dënimit dhe informacion aktual, sipas rastit, nëse janë ndryshuar emri, mbiemri, datëlindja, vendlindja, vendbanimi, seksi, raportet e atësisë e të mëmësisë për të dënuarit me vdekje, burgim, internim ose dëbim. Për të gjitha ndryshimet në përbërës, kërkesës duhet t’i bashkëlidhet edhe akti, që i ka ndryshuar ato.

2. Të dhëna për periudhën e ekzekutimit (ditën)/vuajtjen e dënimit/dënimeve, hyrje-daljet nga burgimi, izolimi, internimi apo dëbimi.

3. Vendimin e gjykatës, të formës së prerë/aktin e internimit, aktin administrativ apo dokumentin zyrtar që provon internimin në kampe me rrethim me tela me gjemba, apo aktakuzën për izolim, nëse ka.

4. Dokumentacionin për gjendjen familjare aktuale të ish të dënuarit politik.

5. Çdo informacion, që ka ai për gabime ortografike apo materiale të përbërësve të gjendjes civile të tij, në vendim apo aktakuzë, për identifikimin e saktë të tij.

6. Certifikatën e gjendjes civile, që provon të gjithë përbërësit e gjendjes civile dhe një adresë të saktë, të zgjedhur prej tij për komunikim. Certifikata duhet të jetë lëshuar jo më vonë se 45 ditë nga dorëzimi i kërkesës.

7. Për ish të dënuarit, që nuk jetojnë, apo familjarët e viktimave, kërkesa paraqitet nga familjari, sipas rrethit të përcaktuar në këtë ligj. Në këto raste kërkuesi paraqet dokumentacionin që provon lidhjen familjare me ish të dënuarin politik, si dhe dokumentacionin që provon se cilët nga familjarët përfitues të parashikuar në nenin 8 të këtij ligji janë të gjallë.

Fondi i kompensimit dhe plotësimi i dosjes

Rreth 18 milionë dollarë është fondi që do të përfitojnë ish-të përndjekurit politikë për kompensimin e viteve të burgut. Fondi do të shpërndahet së shpejti dhe të parët do të përfitojnë ish-të përndjekurit politikë të shpallur fitues nga qeveria e mëparshme, por që nuk e kanë marrë dëmshpërblimin. Paratë do të ndahen sipas një skeme të re, ku prioritet në ndarjen e kësteve të dëmshpërblimit do të kenë të moshuarit mbi 70 vjeç, personat e sëmurë, si dhe ata që nuk kanë marrë asnjë këst që nga nisja e këtij procesi. Buxheti prej 18 milionë dollarësh do të shpërndahet, duke u dhënë prioritet atyre që nuk e kanë marrë asnjë këst. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se fondi është parashikuar në buxhet edhe është në dispozicion të përfituesve, në pritje të dosjeve. Aktualisht në Ministrinë e Financave janë protokolluar gjithsej 20800 kërkesa nga ish-të dënuar politikë që duan dëmshpërblim. Fatura financiare e përllogaritur për përmbylljen e këtij procesi arrin në 435 milionë dollarë. Ndërkohë sipas Ministrisë së Financave për dosjet me mangësi është parashikuar se, në qoftë se një ose disa nga trashëgimtarët e radhës së parë nuk jetojnë më, atëherë njëri nga trashëgimtarët në marrëveshje, do të postojë katër dokumente. Për të përfituar kompensimin që rrjedh nga trashëgimia duhet të paraqitet pranë Ministrisë së Financave akti noterial i trashëgimisë për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më, certifikatë vdekje për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më, certifikatë të trungut familjar të çdo trashëgimtari të radhës së parë që nuk jeton më, numër llogarie aktive bankare për të gjithë trashëgimtarët e trashëgimtarëve të radhës së parë që nuk jetojnë më dhe fotokopje të kartës së identitetit apo pasaportës të çdo trashëgimtari që vjen nga trashëgimtarët e radhës së parë, të cilit i lind e drejta për dëmshpërblim. Ligji parashikon edhe një rast specifik. Në qoftë se njëri ose disa trashëgimtarë të radhës së dytë nuk jetojnë më, e drejta e tyre për dëmshpërblim në bazë të nuk vazhdon më tej. Në këtë rast, llogaritja e pjesës takuese të këstit bëhet mbi bazën e trashëgimtarëve që janë gjallë. Nga ana e trashëgimtarëve që jetojnë, në marrëveshje, paraqesin certifikatën e vdekjes së trashëgimtarit që nuk jeton, të cilën e postojnë së bashku me numrin e dosjes në adresën sipas paragrafit të parë të këtij sqarimi. Në rastet kur ish- i përndjekuri nuk jeton më, një dosje quhet e rregullt dhe e gatshme për tu paguar, vetëm atëherë kur të gjithë trashëgimtarët pa përjashtim, do të kenë dorëzuar (postuar) dokumentacionin e përmendur më lart për të gjitha rastet e trashëgimisë . Në të kundërt, askush nuk mund të paguhet i veçantë, derisa i gjithë dokumentacioni i dosjes të jetë i plotë për të gjithë.

Ish-të përndjekurit në protestë: Duam dëmshpërblimin

Një grup ish-të përndjekurish politik kanë zhvilluar dje paradite, një protestë përpara ambienteve të jashtme të Parlamentit. Ish-të përndjekurit kanë kërkuar dëmshpërblim për vitet e burgut dhe i bënë thirrje qeverisë që të mos i mashtrojë, por t’iu japë një rrugëzgjidhje. Protesta e zhvilluar kishte në fokus vështirësitë ekonomike që kanë këta të fundit për përballimin e kushteve të jetesës. Po ashtu, ata u shprehën se papunësia është elementi thelbësor që ka lënë pasoja të rënda në të ardhurat e tyre që sa vijnë dhe tkurren pak nga pak. “Po protestojmë për dëmshpërblimin e të burgosurve politikë. DASH kërkoi që në Shqipëri të zbatohet ligji, por në Shqipëri nuk zbatohet ligji. Edi Rama po na vret përditë, vrasje ekonomike dhe politike”,- shprehet një ish-i përndjekur. Më tej një protestues tjetër i ka bërë apel qeverisë, që të mos zërë vendin e mashtruesit të radhës, por të marrë masa konkrete dhe ndërvepruese për hartimin dhe zbatimin e një plani që do të ndihmojë dhe favorizojë ish-të përndjekurit. “I bëjmë thirrje qeverisë, na kanë lënë dhe pa punë s’kemi bukë për të ngrënë. Na gënjejnë, na mashtrojnë, vetëm mashtrime të gjithë. Siç e dha jetën shoku jonë Lirak Bejko, jemi gati të japim jetën. Na gënjeu Enver Hoxha, na gënjeju dhe Berisha, na gënjen dhe ky tani”,- deklaroi një tjetër protestues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat