Blushi: Shqipëria do jetë më aktive se Kosova për bashkim

Shqipëria

Blushi: Shqipëria do jetë më aktive se Kosova për bashkim

Më: 11 prill 2014 Në ora: 00:47

” Sigurisht që, Shqipëria do të ketë më shumë arsye në të ardhmen për të kërkuar bashkimin me Kosovën,sesa vetë Kosova, e cila mund të jetë pak më reflektive apo më pasive në këtë drejtim. Shqipëria do të jetë më aktive”, tha shkrimtari dhe politikani i njohur Benl Blushi, libri i të cilit ”Hëna e Shqiprisë”, sapo ka dalë në treg.
“Hëna e Shqipërisë” sapo ka dalë në libraritë e kryeqytetit. Çfarë është ky libër?

Shkurt do të them se çfarë nuk është ky libër. Nuk është një libër artistik, nuk është profeci dhe besoj të mos jem gabim. Jam i sigurt se këto tri cilësi i ka në mungesë...Në përgjithësi ky libër përpiqet të bëjë një parashikim, duke marrë parasysh Shqipërinë sot dhe Shqipërinë në të shkuarën.

Duke lexuar të shkuarën e Shqipërisë në 100 vjetët e fundit, duke lexuar të tashmen, ndoshta është pak më e lehtë të lexojmë të ardhmen, sigurisht duke parë kontekstin politik ku jetojmë, Europën, rajonin, botën në përgjithësi. Për fat të mirë sot nuk jemi të izoluar, ato që ndodhin edhe larg në Krime, apo në Lindjen e Largët apo në Amerikën Latine, sëmundjet, epidemitë, fenomenet shoqërore, kulturore, teknologjike etj., janë gjëra që na prekin.

Jetojmë ndoshta në rajonin më interesant të botës, i cili për vite e vite sidomos këto të fundit ka prodhuar aq shumë fe, kulturë, politikë, akoma konfliktet më të mëdha të botës janë në Mesdhe ku jemi dhe ne, kam parasysh Sirinë apo Izraelin, Palestinën, kam parasysh Europën në përgjithësi. Pra gjithë këto fenomene në të ardhmen e afërt apo të mesme padyshim që do na prekin. Unë jam përpjekur që të bëj një udhëtim në të ardhmen duke u përpjekur ta ndaj me të tjerët dhe kjo ishte kënaqësi personale.

Flisni për një Shqipëri, ku në të ardhmen do të thellohet pabarazia sociale. Militoni në grupin politik, i cili ka fituar zgjedhjet me premtime ndaj të varfërve, ndaj shtresës së 1 milion të papunëve. Shikoni kontrast me këtë?

Unë kur shkruaj nuk harroj se jam socialist, pavarësisht ngasjes për ta lidhur shkrimtarin me politikanin. Si politikan kam pikëpamje që nuk lidhen me artin e të shkruarit. Mendoj se tri janë qëllimet që Shqipëria ka përpara në 20 apo 30 vitet e ardhshme; Bashkimi me Europën, Bashkimi me Kosovën dhe zbutja e pabarazisë. Bashkimi me Europën jam i bindur që do të ndodhë, çështja është me çfarë kostosh do të ndodhë për ne. Pyetja tjetër, pse u vonua kaq shumë? Kush janë këto procese të brendshme që vetëm na shtyjnë, ndërkohë po paguajmë një kosto më të lartë se gjithë vendet e tjera?

Në anën tjetër, unë them se procesi i Bashkimit me Europën nuk është një proces i lehtë. Ne nuk jemi aq afër sa ç’duhej të ishim, natyrisht jemi më afër se kurrë në histori. Së dyti, Bashkimi me Kosovën. Për mua është një qëllim i madh. Nesër do ishte mirë të ishim bashkë me Kosovën si shtet më i madh, shumë më i organizuar, treg më i madh, me një kulturë kombëtare të konsoliduar etj. Natyrisht ky është një proces.

Në libër them sesi do të avancojë Shqipëria me Kosovën në të ardhmen. Janë dy modele që shkojnë krah për krah, po zhvillohen njësoj politikisht, ekonomikisht, pavarësisht se përbëhen nga i njëjti popull, flasin të njëjtën gjuhë.

Nëse këto dy shtete nuk ecin paralelisht në aspektin e zhvillimit, demokracisë, kulturës etj, bashkimi i të dyjave do të jetë një proces jo i lehtë për të ardhmen, duke marrë parasysh dhe konjukturat ndërkombëtare, çka nuk besoj se do të jetë gjithmonë e favorshme. Ndërsa pabarazia, për mua po kthehet në një problem kombëtar. Pabarazia mes njerëzve, mes shtresave, mes gjeneratave dhe mes territorit. Por pabarazia mes njerëzve është edhe më e theksuar.

Për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, ju renditët një sërë faktorësh nëse ndodh apo jo. Referuar ngjarjeve në Krime, do të thosha që, a mos është siguria ajo që mund të përshpejtojë bashkimin mes dy vendeve? Sepse dy rrugë janë për sigurinë në Kosovë; bashkimi me vendin amë, ose anëtarësimi i saj në NATO?

Shqiptarët janë popull që kanë marrë koncesionet më të mëdha në këtë shekull, sipas meje. Pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin në NATO. Ndoshta, koncesionet më të mëdha që ndërkombëtarët i kanë bërë një vendi që nga Lufta e Dytë Botërore. Nuk mendoj se në të ardhmen, kufizimi i Serbisë apo një konjukturë më e pafavorshme në Ballkan apo në Europë, raportet me Rusinë që do të vazhdojnë të jenë jo gjithmonë miqësore, mund ta rrezikojnë të ardhmen e Kosovës. Kosova nuk e rrezikon të ardhmen si një shtet i pavarur.

Në qoftë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën që një ditë, në kushte të tjera, mund të ndodhë, shtyhet apo vonohet, kjo do të ndodhë për shkak të shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Është paragjykimi që ka bota në përgjithësi dhe ka arsye të ketë për pamjaftueshmërinë tonë për të gjeneruar dhe për të mbajtur shtete në këmbë që na ka dhënë deficite historike. Edhe sot, prapë jemi vendi që ngremë shumë pikëpyetje për aftësinë tonë shtetformuese. Sigurisht që suazat ndërkombëtare; anëtarësimi në NATO na jep një siguri më të madhe.Sigurisht që, Shqipëria do të ketë më shumë arsye në të ardhmen për të kërkuar bashkimin me Kosovën, sesa vetë Kosova, e cila mund të jetë pak më reflektive apo më pasive në këtë drejtim. Shqipëria do të jetë më aktive.

Partitë politike do të fillojnë të bëjnë garë, siç ka ndodhur dhe në zgjedhjet e kaluara, kush është më nacionalist, kush e bashkon më shpejt Shqipërinë me Kosovën, sepse terreni politik i Shqipërisë në të cilën garohet për taksat, për arsimin, për kulturën, po shteron. Pse po ngrihen tonet nacionaliste në Shqipëri? Kjo do të thotë se në të ardhmen do kemi më shumë terren nacionalist, do kemi më shumë garë brenda Shqipërisë, por jo në Kosovë, ku nacionalistët mbase vijnë duke u qetësuar. Ndoshta e kam gabim. Në fakt shpresoj ta kem gabim.

Në 100 vite janë kosovarët ata që, nëse kanë shpëtuar nga asimilimi prej Serbisë, kjo ka qenë ëndrra për bashkim. Sot kemi një parti nacionaliste, e cila ka marrë kryeqendrën e Kosovës, madje ka dhe 10 deputetë në parlament. Nëse rikthehemi në aspektin sportiv, janë kosovarët ata që mbajnë kombëtaren shqiptare në futboll, madje mbushin dhe stadiumet, ndaj nuk më rezulton i drejtë konstatimi se do jetë Kosova ajo që nuk e dëshiron bashkimin…

Unë uroj që të keni të drejtë, por në qoftë se Shqipëria me Kosovën mund të bëjnë një gabim në të ardhmen, është gara nacionaliste se kush e do më shumë bashkimin. Unë nuk kam ndërmend të shtyhem këtu, unë bëj një lexim të fakteve, të tendencave nacionaliste si në Kosovë dhe Shqipëri, të një terreni kulturor politik, i cili është i ngjashëm, por nuk është i njëjtë dhe besoj se për arsye ekonomike, për arsye të diferencave që vazhdojnë të thellohen mes Shqipërisë dhe Kosovës, në disa plane kulturore ekonomike sociale të konfliktualitetit apo jokonfliktualitetit politik.

Nuk kemi raport të mirë mes nesh dhe ligjit Në këtë libër ju parashikoni se çfarë do ndodhë. Ky lloj pesimizmi që ju parashikoni mund të kthehet në depresion dhe si politikan aktiv, çfarë mund të bëni?

Edhe një herë po e përsëris, shpresoj të jem gabim. Do ishte më mirë për të gjithë ne po të isha unë gabim. Në qoftë se shoqëria hyn gradualisht në një fazë pesimizmi, që unë e kam quajtur “sëmundja e hënës” simbolikisht, ky lloj pesimizmi natyrisht ka arsye, por do të ketë dhe pasoja... Dhe për më tepër, jemi në një kornizë sigurie që është NATO, dhe gradualisht jemi dhe drejt Bashkimit Europian, të cilat kanë vetëm një qëllim: të na disiplinojnë si popull për të na thënë kush është raporti i ligjit me ne. Ky është problemi ynë më i madh në histori. Nuk kemi raport të mirë mes nesh dhe ligjit, pra mes njeriut dhe asaj që është kontratë kolektive. Pra, pavarësisht se do të hyjmë në një etapë pesimiste, që kryesisht do ta vuajnë brezat e rinj, një gjeneratë që në masën 70% është e papunë, shoqëria vuan edhe më shumë. Në përgjithësi, në Europë papunësia te të rinjtë është problem, por është dhe më e theksuar në Shqipëri për arsyet tona. Për këto arsye do hyjmë në një fazë pesimizmi, por nuk besoj se kostoja do jetë çmenduria kolektive.

Ju i keni mëshuar tezës se Shqipëria duhet të ketë një klasë të mesme të fuqishme. Politikat aktuale të taksimit, a po shkojnë drejt kësaj klase?

Pabarazia do të theksohet në Shqipëri se, për fat të keq binjakëzimi mes klasës së pasur dhe jetës politike po bëhet edhe më i dukshëm, edhe më i fortë. Kjo do të thotë se të luftosh pabarazinë në një kuptim direkt apo indirekt, duhet të marrësh vendime që i detyrojnë të pasurit të ndajnë pasuritë me të varfërit. Na duhen ndoshta shumë vjet për t’u afruar. Dhe ky është një nga dallimet më të mëdha që kemi sot me Europën. Është mënyra sesi ne i qasemi pabarazisë. Dhe pabarazia në të ardhmen do të ketë efektet e veta; dhe pse populli më i vogël në Evropë, ne jemi kampionë në numrin e emigrantëve që kemi prodhuar... Shqipëria nuk do jetë kaq proeuropiane sa është sot

Ju bëni pjesë në një mazhorancë, që shumë prej këtyre ideve i ka pasur në programin e saj dhe është votuar gjerësisht; rritje taksash, përpjekje për të zbutur pabarazinë etj. Pse përsëri nuk jeni optimist kur janë në pushtet idetë tuaja?

Po më fton në një terren që nuk dua të hyj, sepse nuk kam bërë antiplatformën e platformës që fitoi zgjedhjet dhe as e kam në plan. Por nëse e keni parë në libër, unë kam evituar dy gjëra dhe e kam bërë me qëllim. Qëllimi i parë që i injoroj, pra kam evituar emra partish dhe emra njerëzish që janë aktivë sot në politikë apo që ju besoni se marrin vendime për ne. Nuk jam marrë fare me këtë, i jam shmangur këtij lloj diskutimi, sepse unë nuk kam pasur qëllim të bëj një libër për Shqipërinë e dy apo tri viteve të ardhshme.

Pak a shumë, ne e dimë si do të jetë Shqipëria në dy apo tri vitet e ardhshme. Nëse dikush më bind se, një që e ka rrogën 300 euro në Shqipëri pas kaq vjetësh do ta ketë 1300 euro, unë nuk e besoj. Pra optimizmi im nuk shkon deri këtu. Nëse dikush më bind se, nga Shkodra deri në Sarandë mbas tre vjetësh do shkohet me një autostradë si ajo që më lidh me Berlinin, unë s’e besoj. Por që për shkak të kësaj inercie mund të ketë përmirësime të vogla sistemi, unë këtë e besoj. Por unë nuk jam në këtë pjesë të analizës, flas për disa dekada, kur arritjet e vogla që mund të kemi sot, do të jenë të papërfillshme.

Flisni për një izolim të tretë të Shqipërisë pas dy izolimeve, kjo është ndikuar nga ata që ju i quani nënprefektë. Në këto 100 vite, çfarë mund të bëhet për ta shmangur këtë izolim të tretë të vendit?

Ajo është një metaforë. Për aq sa e njoh unë Shqipërinë, ata janë pjesë e këtij realiteti, besoj dhe për shkak se Europa nuk është vetë në ditët e saj më të mira; kriza ekonomike vazhdon, papunësia po rritet, partitë po rivitalizohen, roli i Kishës po zbehet. Pra në përgjithësi shkëlqimi që ka pasur Europa në botë para 20-30 apo 100 vjetësh nuk është më ai që ka qenë. Konkurrenca Amerikë, Europë, Rusi, Azi, Afrikë, Kina padyshim, India, do ta zbehin rolin e Europës. Meqenëse ky realitet do vazhdojë, sigurisht Shqipëria, sipas meje, nuk do jetë kaq proeuropiane sa është sot. Me statistika, ne jemi sot vendi më proeuropian në Evropë, me 87 %.

Unë them se në të ardhmen nuk do të jetë më kështu, pra vala e shqiptarëve optimistë karshi Evropës do të zbehet për arsye të brendshme dhe të jashtme. Ndaj kam përdorur një metaforë, “nënprefektin”, duke marrë parasysh personazhin e një filmi të dashur që përshkruan një tip social tipik shqiptar, diçka mes orientalit dhe oksidentalit me një dilemë mes të dyjave dhe e kam përdorur si një argument për të thënë që këta tipa ‘nënprefektësh’ që ne i njohim shumë mirë, jo vetëm që janë të pasur, por kanë dhe fuqi të tjera. Këta do kthehen në një makinë të vogël që do të thonë: “Pse duhet të shkojmë në Europë? Mirë jemi kështu, sepse liria jonë është më e vlefshme”.

Thoni se, Shqipëria nuk vërtitet midis Lindjes dhe Perëndimit, por midis lindjes politike dhe lindjes fetare. Mund ta sqaroni pak më mirë këtë dhe, a ka një kontradiktë, sepse sapo thatë që jemi një vend europian?

Gjeografikisht jemi një vend europian. Por nga mënyra sesi kemi avancuar nga 1500-ta deri më 1912-ën, një shenjë oksidenti apo europianizmi në këtë vend nuk u pa. Nuk luftuam ne për të qëndruar në Europë në atë kohë, ndoshta nuk kishim arsye sepse ka njerëz që e besojnë, se perandoria osmane e kohës ishte më e avancuar se rilindja italiane dhe se prodhonte muzikë më të bukur se Beethoveni dhe Mozarti në vitet 1700-1800. Unë nuk e besoj këtë. Nëse i qasemi 20 viteve të fundit, përpjekje europianizimi në Shqipëri kemi parë pak, prandaj them se Shqipëria vërtitet rreth Lindjes politike; që është Rusia post-sovjetike sepse këtë politikë shtetformuese kemi zgjedhur në këto 20 vjet.

Kemi zgjedhur të gjitha fenomenet që kalon Rusia (me përjashtim të ekspansionizmit, ne nuk jemi një vend që pushtojmë vendet e tjera se nuk kemi fuqi), që janë korrupsioni, autokracia, raporti me mediat e lira, sundimi i një pakice ndaj shumicës dhe krijimi i oligarkisë që është tipike ruse. Bindja ime është se kemi qasje politike nga Lindja, që është Rusia, për shkak se kemi qenë pjesë e atij sistemi për gati 40 vjet dhe kemi qasje fetare nga Lindja, që është Turqia dhe gjithë bota që ajo përfaqëson mbas kësaj. /shekulli/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat