Topalli: Rama nuk merr vesh nga shifrat, bëj piktura më mirë

Shqipëria

Topalli: Rama nuk merr vesh nga shifrat, bëj piktura më mirë

Më: 10 prill 2014 Në ora: 13:46

Marrëveshja e qeverisë me FMN është një marrëveshje model, e nënshkruar në funksion të rritjes ekonomike dhe rimëkëmbjes së vendit. Kështu u shpreh sot kryeministri Rama gjatë seancës parlamentare, pas akuzave të opozitës për mungesë transparence lidhur me marrëveshjen me FMN.

Rama tha se qeveria ka shlyer deri tani 200 milionë dollarë borxhe ndaj kompanive, të cilat la trashëgim qeverisja e kaluar.

“U keni shqiptarëve në qafë një situatë borxhesh. I keni lënë një kompani shpërndarjeje në faliment. U është thënë këtu në kuvend nga opozita e mëparshme mos e bëni këtë investim se është i dështuar. Kompania iku para 23 qershorit apo pas 23 qershorit. Këtë kompani që e gjetëm si minë me sahat, ne e kemi fajin?

Je keni bërë që shteti të hyjë në një situatë ku të akumulojë borxhe deri në një pikë që nuk përgjigjet dot. Pse meqë koncesione paskan qenë të rregullta, pse trashëguam gjithë këto borxhe të papaguara ndaj kompanive koncesionare? Këto janë fakte, nuk janë interpretime. Faktet flasin. Fakt është edhe rënia ekonomike nën zero e tremujorit të tretë. Është fakt i pranuar botërisht, siç është fakt se Shqipëria do të vlerësohet nga agjencitë e ratingut ndërkombëtar. Kjo falë politikës tonë të rifutjes në rrugën e rritjes ekonomike. Sot janë mbi 200 milionë dollarë borxhe që i latë ju, të cilat ne i kemi paguar. Ajo që kemi bërë ne dhe që e pohojnë të gjithë ekspertët është që marrëveshja e Shqipërisë me FMN është marrëveshje model”, tha ai.

Ndërsa ish-kryeparlamentarja Topalli akuzoi Ramën se ka harruar premtimet e fushatës. Ajo tha se 300 ditë pas marrjes së pushtetit, qeveria nuk ka kryer as parashikuar asnjë reformë që i shërben ekonomisë. Ajo akuzoi qeverinë për tentativë për kapjen e të gjitha pushteteve.

“Ende nuk ju besohet se jeni kryeministër. Ju bëheni qesharak kur përmendi shifrat. Në shtator deklaruat borxh 400 milionë dollarë borxh ndaj biznesit, pak muaj më pas 600 milionë dollarë. Në dhjetor auditi i Deloite nxori 250 milionë dollarë, Rama tha 900 milionë dollarë. Në mars, ministri Cani tha se janë 720 milionë dollarë. Këto janë shifrat që keni thënë ju. Sot the 1 miliard dollarë. Më vjen keq, në matematikë je i keq, bëj një pikturë më mirë.

Po i afrohemi 300-ditëshit të qeverisë. Nuk ka asnjë reformë që i shërben ekonomisë, punësimit, halleve dhe problemet e njerëzve, të rinjev apo rendin. A ju kujtohen 1 milionë të papunët. Në këtë kalendar nuk ka asgjë për të papunët, as për të varfrit, apo ata që blejnë me lista. A ju kujtohet kur u thoshit shqiptarëve më punësoni, që t’u punësoj juve. INSTAT thotë se janë 40 mijë të papunë më shumë. Papunësia është 17 për qind. Shifër rekord”, tha Topalli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat