Largohet nga NATO Kristaq Gërveni

Shqipëria

Largohet nga NATO Kristaq Gërveni

Më: 10 prill 2014 Në ora: 09:56

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka liruar nga detyra atasheun ushtarak të Shqipërisë në NATO, Kristaq Gërveni. “Kundëradmiral Kristaq Gerveni lirohet nga detyra e Përfaqësuesit Ushtarak në Përfaqësinë e Përhershme të Republikës së Shqipërisë në Shtabin e NATO-s në Bruksel, Belgjikë”, thuhet në nenin 1 të dekretit të Presidentit Nishani. Largimi i Kundëradmiralit Gërveni vjen pas përplasjeve mes Presidentit dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Shkarkimi i tij ishte propozuar nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Në datën 7 mars ministrja ka nxjerrë një urdhër “Për dorëzim detyre dhe kthim në Atdhe” nga ana e kundëradmiral Kristaq Gërvenit për pozicionin që ai mban prej vitit 2011 si përfaqësuesi ushtarak në misionin tonë në NATO”. Argumenti i ministres për këtë kërkesë ka qenë shkelja e ligjit nga ana e kundëradmiralit, i cili në një takim të 170 shefave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, zhvilluar në Bruksel, ka mbajtur uniformën e gradës “Admiral”. Grada “Kundëradmiral” të cilën mban Gërveni, është e ideuar më një vizë të trashë dhe një të hollë në sfond me ngjyrë të verdhë.

Ndërkohë që grada që ka mbajtur ai në këtë takim është më një vijë të trashë dhe tri vija të holla që korrespondon me atë të admiralit. Mandati i Gërvenit si Përfaqësues Ushtarak i Shqipërisë në NATO ka mbaruar më 31 mars të këtij viti, ndërsa vetë Kundëradmirali e ka pranuar këtë fakt. Kodheli i ka propozuar kreut të shtetit që në vend të Gervenit të dekretojë këshilltarin e saj Arjan Zaimi, ish-kandidat për President në vitin 2002. Kristaq Gërveni është një nga personat që hodhën firmën në paktin detar me Greqinë, që u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese, si antligjor. Ministrja Kodheli dhe Presidenti Nishani janë përplasur edhe për shkak të një projektligji që ndryshon mënyrën e emërimit të gjeneralëve. Më herët, dje Nishani ka publikuar një artikull të titulluar “Mbi përgjegjësitë”, ku kërkonte që qeveria të ndalë sulmin ndaj kreut të shtetit, duke ju përgjigjur në të njëjtën kohë, letrës së ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, i cili kërkoi nga presidenti që është edhe kreu i KLD-së, që të vërë në lëvizje këtë institucion. Tahiri kërkoi nga Nishani që KLDja të nisë hetimet për vendimet e dhëna nga gjyqtari i Kavajës, Osman Aliu si dhe për vendimet e gjyqtarëve të Apelit që kanë liruar të dënuar të rrezikshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat