Fatos Klosi: Kisha Ortodokse në Shqipëri e ndjen se ka probleme

Shqipëria

Fatos Klosi: Kisha Ortodokse në Shqipëri e ndjen se ka probleme

Më: 10 prill 2014 Në ora: 09:56

Reagimi i Kishës Ortodokse tregon se ata e ndjejnë që kanë probleme". Kështu u shpreh dje për "GSH" Fatos Klosi, ish- kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, në përgjigje të pyetjes sonë se si e lexoi ai deklaratën e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

"Unë nuk dua të zgjatem, se kam frikë se më mallkojnë", thotë Klosi me të qeshur, por, duke kaluar tek pjesa serioze, ai thekson: "Më vjen mirë që për një deklaratë të përgjithshme timen, ata e ndjejnë të nevojshme të japin shpjegime. Kjo, e ka një domethënie".

Disa ditë më parë, Klosi qe shprehur në një intervistë se, sipas tij, shteti shqiptar duhet të jetë më i kujdesshëm me Kishën Greke sesa me islamikët. "Më i rëndë se problemi i islamikëve është ndërhyrja e Kishës Greke në problemet e Kishës Autoqefale Shqiptare. Shteti shqiptar për mua nuk e ka marrë shumë seriozisht këtë problem dhe i ka bërë shumë lëshime Kishës Greke. Që me pranimin e Janullatosit", deklaronte ai. Në të njëjtën intervistë, ish-kreu i SHIK, merrte si shembull ngjarjet që ndodhën verën e shkuar në Përmet, duke u shprehur se pas këtyre ngjarjeve gjithmonë është Greqia. Ndërkaq, vetë Kisha Ortodokse, në një njoftim për mediat, i mohoi akuzat e bëra ndaj saj, duke mos pranuar të jetë e varur nga Kisha Greke e shteti grek.

"Bëhet fjalë për komente arbitrare, çorientuese dhe të pabazuara për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, që përpiqen të helmojnë opinionin publik dhe njëkohësisht të tërheqin vëmendjen nga serioziteti që mbartin ngjarjet e fundit", thuhej në njoftimit e KOASH. Më tej, theksohej se "në aktivitetin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, që është krejtësisht e pavarur nga Kisha e Greqisë, kanë kontribuuar, përveç kuadrove vendas, edhe grupe bashkëpunëtorësh të huaj nga Greqia e ShBA...". Sa i takon ardhjes së Kryepeshkopit Anastas Janullatos, kisha shprehej se "teoria e çuditshme (e Klosit) mund të shprehë dëshirën e një qytetari që ka bindje të ndryshme fetare dhe filozofike, por jo pikëpamjet e ortodoksëve të Shqipërisë", cition Ballkanweb.

Prej kohësh, kryepeshkopi Janullatos është bërë objekt kritikash në Shqipëri, nga emra të ndryshëm intelektualësh, jo aq për drejtimin e kishës, sesa për drejtimin e parë të ndikuar nga kombësia e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat