Lehtësohet marrja e rimbursimit të TVSH-së

Shqipëria

Lehtësohet marrja e rimbursimit të TVSH-së

Më: 10 prill 2014 Në ora: 09:55

Pas kërkesave të fasonistëve dhe të gjithë eksportuesve të tjerë, Ministria e Financave ka ndërmarrë iniciativën duke reflektuar për rimbursimin në një kohë të shkurtër të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), nëpërmjet sistemit të thesarit. Me propozim të Ministrisë së Financave, Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për kategoritë e eksportuesve, të cilët rimbursimin e TVSH, ose e marrin automatikisht, me paraqitjen e kërkesës, ose e marrin brenda 30 ditëve. Ky afat është sa gjysma e kohës që u jepet tatimpaguesve të tjerë, për të cilët koha e rimbursimit është 60 ditë.

Si trajtohej dhe çfarë ndryshon konkretisht?

Eksportuesit kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim kur teprica e tyre tejkalon shumën 400.000 lekë. Organet tatimore bëjnë rimbursimin e tepricës kreditore të TVSH-së për këtë kategori tatimpaguesish, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Ndërsa Këshilli i Ministrave përcakton kategorinë e eksportuesve. Deri më sot nuk kishte një vendim qeverie që të përcaktonte kategorinë e eksportuesve, për efekt të procedurës së rimbursimit të TVSH-së. Për këtë arsye, vendimi plotëson këtë vakuum nënligjor. Propozohet që të konsiderohet eksportues, çdo tatimpagues i cili plotëson tre kushte: a. Eksporton sipas Kodit Doganor të RSH; b.Vlera e eksporteve të bëra në periudhën tatimore për të cilën kërkohet rimbursim, përbën më shumë se 60% të vlerës totale të shitjeve përfshirë eksportet; c. Ka tepricë kreditore që tejkalon shumën 400.000 lekë.

Plotësimi i këtyre tre kushteve për një tatimpagues- eksportues e qartëson dhe e dallon atë nga kategoria tjetër e tatimpaguesve, të cilëve kontrolli dhe verifikimi i tepricës kreditore iu bëhet brenda 60 ditëve. Për efekt të procedurës së rimbursimit të TVSH-së, kjo kategori eksportuesish, propozohet të ndahet në një nën kategori tjetër - eksportues me risk zero, të cilëve, kërkesat për rimbursim TVSH-je të të cilëve, mund të procedohen pa qenë nevoja e kontrollit në vend. Për këtë arsye, vendimi përcakton kushtet që duhet të plotësojë një eksportues për t’u klasifikuar si “eksportues me risk zero” nga administrata tatimore, për efekt të rimbursimit të TVSH-së, pa kontroll tatimor. Kushtet e propozuara që duhet të plotësojnë kjo kategori eksportuesish janë: a.Vlera e eksporteve të bëra në periudhën tatimore për të cilën kërkohet rimbursim, përbën 100% të vlerës totale të shitjeve; b. Ka aktivitet eksportues mbi dy vjet; c. Paraqet si dokument prove të kryerjes së eksportit Deklaratën Doganore të Eksportit, lëshuar sipas legjislacionit doganor në RSH; d. Nuk ka detyrime të papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat