Tritan Shehu: Evropa, pro politikave të djathta

Shqipëria

Tritan Shehu: Evropa, pro politikave të djathta

Më: 10 prill 2014 Në ora: 09:54

Në Evropë po fryn era e politikave të djathta e cila mund të përfshijë dhe Shqipërinë. Kështu komenton demokrati Tritan Shehu fitoren e të djathtëve në Francë dhe Hungari.

Zoti Shehu si e vlerësoni fitoren e së djathtës në Francë e Hungari?

Rezultati i zgjedhjeve në dy vende të BE-së, Francë dhe Hungari tregon për një rikthim të frymës së qendrës së djathtë, të së djathtës si filozofi dhe praktikë. Nëse do shikojmë fitoret në këto dy vende, në një prizëm mund të duket një farë ndryshimi në konceptet e fitores së të djathtës apo humbjen e së majtës. Së pari është ai element që ra në sy kryesisht në Francë dhe që e pranoi në fjalën e tij dhe kryeministri i ri i Francës, që dështoi filozofia e politikave të taksave të larta, filozofia ekonomike e centralizimit, pra qytetarët votuan për filozofinë ekonomike të qendrës së djathtë që është filozofia e taksave të ulëta, e decentralizimit, e iniciativë së lirë, e shtimit të investimeve dhe në këtë mënyrë e sigurimit të rritjes së vendeve të punës dhe mirëqenies qytetare. Interesante është se këtë gjë e pranoi para disa javësh, dhe kryeministri italian Renci i cili tha se tashmë Italia duhet të largohet nga politikat ekonomike të taksave të larta dhe të futet në politikën ekonomike të taksave të ulëta. Ndërsa po të shikosh elementin tjetër të fitores së të djathtës në Hungari, do shikojmë se kemi një fitore, një persistencë të konceptit europeist. Pra fitoi ideja e Bashkimit Evropian, e të qenurit në BE dhe të ekzistencës së BE-së. Në këto dy zgjedhje dolën dy elementë filozofikë të qendrës së djathtë që fituan. Elementi filozofik i taksave të ulëta dhe i konsolidimit dhe ruajtjes së BE-së.

Fitorja në këto dy vende është frymëzim për të djathtën shqiptare?

Padyshim që është një trend i cili është provuar që pastaj përfshin gjithë hapësirën evropiane dhe vendet që janë të lidhura me BE-në edhe pse mund të mos jenë anëtare, ashtu siç jemi ne.

Sa mund të përfshijë Shqipërinë kjo frymë kur më pak se 1 vit më parë, kur u zhvilluan zgjedhjet PD-ja pësoi humbje të thellë?

Edhe në Francë nuk pati shumë kohë që u zhvilluan zgjedhjet dhe fitoi François Hollande por politikat e tij të gabuara ekonomike bënë që ai të humbasë dhe të fitojnë konceptet e Nicolas Sarkozy, e qendrës së djathtë dhe e taksave të ulëta. Mos harrojmë që Sarkozy humbi para pak kohësh shumë thellë por ishte partizan i taksave të ulëta. Hollande ishte partizan i taksave të larta dhe përsëri humbi thellë, pra u konfirmua mbështetja e politikave të taksave të ulëta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat