Flamur Noka takoi shefin që arrestoi babain e Tahirit

Shqipëria

Flamur Noka takoi shefin që arrestoi babain e Tahirit

Më: 10 prill 2014 Në ora: 09:51

Ish-shefi i krimit ekonomik në Ministrinë e Brendshme, Arjan Hoxha është futur në Ministrinë e Brendshme, në 25 mars 2012, pak momente pas arrestimit të babait të Saimir Tahirit, akuzuar për kontrabandë ilacesh. Akuza u bë dje nga deputetët socialistë, anëtarë të Komisionit Hetimor për Lëvizjet në Polici, që treguan edhe regjistrat e hyrjeve dhe daljeve në Ministrinë e Brendshme ditën e aksionit të arrestimit të Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm. Hoxha, në ditën e dytë të dëshmisë së tij para komisionit, e mohoi këtë, pavarësisht se deputetët e PS-së i treguan dokumentet, duke e akuzuar për arrestim të dirigjuar, sepse ai është takuar në ministri me ishministrin e Brendshëm, Flamur Noka dhe ish-zv.drejtorin e Policisë, Agron Kuliçaj. Mbledhja e djeshme e Komisionit Hetimor mori një rrjedhë tjetër në lidhje me arrestimin e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, mëse një vit më parë, kur deputetët e PS-së, thanë se, gjatë ditës së arrestimit të babait të ministrit, Hoxha u takua më pas me ish-ministrin e Brendshëm, Flamur Noka si dhe me ish-zv.drejtorin e Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj. Hoxha i hodhi poshtë këto akuza si të pavërteta. “Absolutisht që jo, nuk jam takuar atë ditë me ministrin në Ministrinë e Brendshme.

Për takime të tjera s’e mbaj mend, sepse kanë qenë në kuadër të detyrës”, ka thënë Hoxha. Por nga ana e saj mazhoranca tregoi fakte që e implikonin Hoxhan se ai është takuar në po atë ditë me ish-ministrin Noka, duke treguar regjistrat e hyrjeve dhe daljeve në Ministrinë e Brendshme ditën e aksionit të arrestimit të të atit të Sajmir Tahirit. Ndërkohë që kryetari i këtij komisioni, Arben Ristani tha se çdo provë që nuk është pjesë e dosjeve të këtij komisioni, nuk merret në shqyrtim. Ndër të tjera, nëpërmjet pyetjeve të drejtuara nga anëtarët e këtij komisioni, ish-shefi i anti-krimit ekonomik sqaroi aksionin policor që solli në arrestimin e shtetasit Bashkim Tahiri, ku madje u shpreh se deri në momentin e fundit nuk e ka ditur që personi të cilin po ndiqnin ka qenë i ati i ministrit aktual Saimir Tahiri. Ai shkoi më tej kur tha se lirimi i tij nga detyra si dhe i punonjësve të tjerë në këtë sektorë ka ardhur pas kërcënimit që i ka bërë Tahiri në lidhje me këtë aksion. “Për operacionin ku u arrestua babai i ministrit aktual janë liruar katër persona, ndërsa janë transferuar në detyra të tjera efektivë të tjerë të njësisë së antikrimit ekonomik që drejtoja unë. Pra në total 8 efektivë të njësisë ku unë punoja kanë pësuar lirime dhe transferime si rezultat i arrestimit të ligjshëm të babait të ministrit aktual, për kontrabandë ilaçesh. Veprimet e mia në arrestimin e Bashkim Tahirit kanë qenë tërësisht ligjore. Të ligjshëm arrestimin e Bashkim Tahirit e ka vlerësuar dhe Gjykata e Tiranës. Por nuk e di çfarë po bëhet me këtë çështje në gjykatë.”-tha Hoxha, duke u shprehur në të njëjtën kohë se është i gatshëm që të përballet me Tahirin. “Saimir Tahiri më ka thënë, pasi është arrestuar babai i tij, se: “Lutu që të mos fitojmë ne zgjedhjet”. Unë jam i gatshëm që të ballafaqohem për çdo gjë që kam thënë”, shtoi ai.

Akuza për falsifikim

Ish-shefi i anti-Krimit Ekonomik, Arjan Hoxha pritet që të përballet me organet e drejtësisë, kjo pas paralajmërimit që bëri në mbledhjen e djeshme, deputeti Taulant Balla në lidhje me falsifikimin e firmës së listës së notave me të cilat ka hyrë në strukturat policisë. Ai e komentoi lirimin e tij nga detyra me motivacionin për rifreskim strukture dhe pamundësi emërimi në një detyrë tjetër. “Lirimin e konsideroj si hakmarrje personale dhe politike. Ndaj akuza që mu bë për falsifikim të diplomës së Akademisë së Policisë është tërësisht e pabazuar. Sot kam marrë në Akademinë e Policisë vërtetimin që tregon që kam kryer Akademinë nga `94 deri në vitin `99, bashkë me listën e notave. Ndërkohë, deputeti i PS, Balla i është përgjigjur Arjan Hoxhës së lista e notave rezulton e falsifikuar. “Akt-ekspertiza e drejtorisë së policisë për listën e notave të vitit ‘99, ku rezulton se firma e drejtorit Luan Veliqoti ishte e falsifikuar. Ju keni falsifikuara firmën e drejtorit në vitin 99”- është shprehur Balla. Ndërkohë që Flamur Noka u shpreh se Balla po intimidonte dëshmitarin Hoxha. “Madje keni përdorur një dokument jo origjinal për të ngritur akuza të falsifikuara ndaj Arjan Hoxhës”- tha Noka.

Babai i Tahirit u arrestua për kontrabandë

Një nga ngjarjet që bëri bujë për uniformat blu të Policisë së Shtetit, një vit më parë, ishte arrestimi i Bashkim Tahirit, babait të ministrit aktual të Brendshëm, Saimir Tahiri. Arrestimi, sipas policisë, erdhi si rezultat i një aksioni, ku Bashkim Tahiri u akuzua për kontrabandë ilaçesh. Misioni u krye nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, ku në krye të kësaj drejtorie ishte pikërisht Arjan Hoxha.

Policia deklaroi atëherë se pas një punë operative hetimore dhe proceduriale u mundësua dokumentimi ligjor i përfshirjes së 3 të arrestuarve për një periudhë 3-mujore hetimi, ku u arrit që të siguroheshin provat e mjaftueshme për t’u vërtetuar faktin, që ata kanë mundësuar në bashkëpunim me njëri tjetrin transportimin e medikamenteve. Nga hetimet e kryera u konkludua se shtetasit e lartpërmendur këtë aktivitetet të kundraligjshëm e kryenin, duke bashkëpunuar me njëri tjetrin prej 1 viti, me synim tregtimin e mallrave kontrabandë për t’ju shmangur detyrimeve doganore e tatimore. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për hetime të mëtejshme.

Hoxhaj mohon akuzën për falsifikim

Xhemal Qefalia: Po ju kujtoj që ju jeni ndëshkuar me masë disiplinore për moskryerje të detyrës si dhe gjobë dhe prerje të ditës së punës. Cila është arsyeja që ju jeni liruar për herë të tretë nga detyra? Lirimin e parë e ke në `97-`98 me çfarë je marrë gjatë kësaj periudhe?

Flamur Noka: Është marrë më gjueti. Ka dalë tu gjuajt

Arjan Hoxha: Kam qenë i papunë.

Xhemal Qefalia: Jeni i kthjellët që keni qenë në 25 mars të 2013 në Ministrinë e Brendshme dhe keni takuar ish- ministrin Noka?

Arjan Hoxha: Absolutisht jo.

Flamur Noka: Ke bërë gabim që s`më ke takuar.

Xhemat Qefalia: Jeni regjistruar në regjistrin e hyrjeve në ministri, keni lënë gjurmë.

Gent Strazimiri: E shoh që po sjellin nëpër dhëmbë një pyetje dhe nuk po ua bëjnë dot. Mos jeni ju nga Tropoja?

Arjan Hoxha: Kam lindur e rritur në Tropojë, por jam nga Kukësi.

Xhemal Qefalia: Një arsye më shumë që të do kaq shumë Flamuri.

Taulant Balla: Akt ekspertiza e drejtorisë së policisë për listën e notave të vitit `99, ku rezulton se firma e drejtorit Luan Veliqoti rezulton e falsifikuar. Ju keni falsifikuara firmën e drejtorit në vitin ‘99. Këtë ne do ta çojmë në Prokurori. Do të duhet të marrësh avokat.

Flamur Noka: Mos do të duhet të marrësh avokat edhe ti.

Taulant Balla: Në respekt të ligjit dhe nenit përtaës të Kushtetutës ne do t`ia referojmë Prokurorisë së Përgjithshme.

Arben Ristani: Ju thatë se ju ka kërcënuar ministri se do t`iu shkarkojë nga puna. Është e saktë?

Arjan Hoxha: Po, shumë e saktë

Arben Ristani: Jeni i gatshëm të ballafaqoheni me z. Tahiri?

Arjan Hoxha: Absolutisht që po.

Breçani: Lirimi im nga detyra, pas përplasjes me Tahirin

Ish-zv.drejtori i policisë mohon sërish se shkroi mesazh në Facebook kundër Edi Ramës, pas humbjes së PD-së në zgjedhje

Ish-zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani gjatë raportimit të tij në komisionin Hetimor, lëshoi akuza mbi ministrin e Brendshëm për lirimin e tij nga detyra. Ndërkohë që deputeti i PS-së, Taulant Balla e akuzoi se ka dhunuar deputetët e majtë kur ka qenë në opozitë si dhe ka bërë thirrje kundër kryeministrit aktual në Facebook.

Taulant Balla: Z.Breçani, a mendoni se largimi juaj nga detyra është bërë mbi bazën e një urdhër-pezullimi për shkak se në median e shkruar është publikuar një lajm në 2 korrik 2013, sipas të cilit ju keni publikuar këtë mesazh drejtuar Kryeministrit të atëhershëm Berisha: “Përshëndetje liderit historik të shqiptarëve, Doktor Sali Berishës. E duam ndihmën tënde se jemi mësuar me ty që të na prish derisa të largojmë pinjollët e komunistëve me në krye Edvin Ramën. Ta largojmë këtë Enver të dytë që dikur studentë të ’91 shembëm diktaturën enveriste. Do gjejmë forcë dhe optimizëm. Do ngrihemi të tërë se bashku me rininë, që të mos e lëmë këtë Hitler të gjunjëzojë shqiptarët!”. Mendoni që ka ndonjë lidhje këtu?

Erzen Breçani: Nuk besoj se ishte këtu motivacioni i shkarkimit, por në karrierën time profesionale 20-vjeçare, Drejtori i Përgjithshëm që është sot dhe të tjerë i di kontributet e mia për Policinë e Shtetit. Flamur Noka: A keni trajnime, vlerësime, certifikata për punën tuaj?

Erzen Breçani: Po, kam shumë trajnime dhe dëshmi nga kualifikimet në vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe dekoratë nga Presidenti i Republikës. Konfliktet i kam pasur për shkak të origjinës sime dhe punës dhe këta i kthyen në konflikte personale dhe hakmarrje. Dhe për mendimin tim, në Policinë e Shtetit duhet të ketë dhe nga veriu dhe nga jugu, edhe të majtë edhe të djathtë. Largimi im ka ardhur për hakmarrje.

Pjerin Ndreu: Z.Breçani, sa herë jeni konfliktuar me deputetët e opozitës?

Erzen Breçani: Jam konfliktuar sa herë deputetët e opozitës kanë shkelur ligjin. Në një rast, për shembull: Me çfarë të drejte deputeti ofendon uniformën e policisë dhe e kap për rrobash etj... apo si në rastin e shkollës “Bajram Curri” me rastin e zgjedhjeve, kur deputetët e opozitës më akuzuan mua për vjedhje votash ndërkohë që për atë deputet më thanë “Lëre atë se ka pirë raki!”. Nga goja ime nuk ka dalë asnjë fjalë fyese për deputetët!. Pas një muaji e gjysmë rezultatesh shumë të mira, mendoj se vetëm konfliktet me Tahirajn kanë ndikuar që unë të jem sot pa punë.

Taulant Balla: A keni një biznes privat? Si p.sh. “Breçani Security?” Erzen Breçani: Ju mund ta verifikoni vetë tani, unë nuk kam asnjë lidhje me të, por janë vëllezërit e mi, njerëz me arsim të lartë e të ndershëm, që punojnë e kanë hallet e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat