“Serveri i Tatimeve”, Adriatik Llalla largon prokurorin

Shqipëria

“Serveri i Tatimeve”, Adriatik Llalla largon prokurorin

Më: 10 prill 2014 Në ora: 08:24

Sherret politike lidhur me hetimet për dosjen penale të serverit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, kanë përfunduar me shkarkimin nga posti i drejtuesit të njësisë Task-Forcë, të prokurorit Gentian Trenova. Drejtuesi i njësisë hetimore në prokurorinë e kryeqytetit është larguar nga kjo detyrë me një vendim të kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili ditën e djeshme vendosi ta zëvendësojë me një prokurore, e cila quhet Deniona Katro. Kjo e fundit është komanduar për një periudhë katër mujore në krye të Task-Forcës së Tiranës, ndërkohë që ish-drejtuesi Genti Trenova është ulur në detyrë, duke u lënë prokuror i thjeshtë pranë kësaj njësisë.

Pjesë e këtij grupi prokurorësh që hetojnë veprat penale të korrupsionit, është bashkuar dhe prokurori Ramadan Troci, duke bërë që tashmë kjo trupë të plotësohet me 10 prokurorë. Vendimi i kryeprokurorit Llalla, ka vënë në lëvizje dhe prokurorë të tjerë si në Durrës, Elbasan dhe Vlorë.

Sulmet për serverin
Çështja e fshirjes së faturave financiare nga serveri i Drejtorisë së Tatimeve, u përdor nga maxhoranca dhe opozita politikisht, duke sulmuar njëra-tjetrën. Për këtë çështje në prokurorinë e Tiranës është duke u hetuar shtetasi Renald Riska, ish-shef “IT” në Tatim-Taksa dhe disa persona të tjerë. Disa ditë pas rregjistrimit të procedimit penal, u shfaqën disa pamje filmike ku tregohej deputeti Spartak Braho, njëherësh kryetari i komisionit të sigurisë dhe Ermal Beqiri.

Pamjet filmike bënë që opozita të sulmonte drejtpërdrejt Spartak Brahon, ndërkohë ky i fundit në disa dalje publike deklaroi se kishte qënë në Drejtorinë e Tatim-Taksave në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Sigurisë. Më tej Braho, ka pohuar se kjo dosje nuk mund të hetohej nga prokurori Trenonva, duke e sulmuar drejtuesin e njësisë Task-Forcë, të cilin e etiketoi figurativisht me emrin Shkëlzen Trenova. Sipas PS dhe LSI kishte lidhje miqësie me djalin e Sali Berishës. Gati 3 muaj pas këtyre sulmeve, kryeprokurori Llalla ka vendosur të largojë nga detyra e drejtuesit prokurorin Gentian Trenova dhe të komandojë në vend të tij, prokuroren Deniona Katro.

Ndryshime në 3 akuza
Vendimi i kryeprokurorit Adriatik Llalla ka prekur dhe tre njësi të tjera në prokuroritë e Durrësit, Vlorës dhe Elbasanit. Më konkretisht në njësinë Task-Forcë në Durrës, janë komanduar dy prokurorët Dritan Gina dhe Alma Kola, duke bërë që numri total në këtë njësi të shkojë në 5 prokurorë. Ndërkohë në Vlorë është komanduar prokurori Albert Kuliçi, ndërsa në njësinë Task-Forcë në Elbasan janë komanduar prokurorët Enkelejda Millonai, Bledar Mustafaraj dhe Kreshnik Ajazi. Vendimi për plotësimin e njësive Task-Forcë me prokurorë të tjerë është argumentuar nga kryeprokurori Llalla, si veprim për të rritur luftën kundër korrupsionit.

“Gjatë muajve të fundit është konstatuar rritje e ndjeshme e ngarkesës së punës në Njësitë e Përbashkëta Hetimore. Për këtë arsye, duke e konsideruar luftën kundër korrupsionit si prioritet kryesor të punës së prokurorisë, kryeprokurori Adriatik Llalla e vlerëson të domosdoshme forcimin e Njësitë e Përbashkëta Hetimore me kapacitete njerëzore dhe infrastrukturorë”-thuhet në njoftimin zyrtar të prokurorisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat