Busti i Zogut, PD: Komunistët të nxirren jashtë ligjit

Shqipëria

Busti i Zogut, PD: Komunistët të nxirren jashtë ligjit

Më: 10 prill 2014 Në ora: 07:54

Tentativa e dështuar për të rrëzuar shtatoren e Ahmet Zogut ka sjellë përplasje mes Partisë së Punës së Riorganizuar dhe demokratëve. Pas pranimit nga ana e PPR-së për kryerjen e këtij akti, deputetja demokrate Mesila Doda ka propozuar dje rikthimin e nenit që nxjerr të jashtëligjshme partitë ekstremiste. Sipas Dodës të tilla akte nuk janë rrufe në qiell të hapur. Propozimit të Dodës i kundërpërgjigjet sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPR-së, Marko Dajti. Sipas tij zonja Doda nuk duhet të harrojë se më shumë se gjysma e anëtarëve të Partisë Demokratike, deri dy dekada më parë kanë qenë ish-anëtarë të PPSH-së.

Përplasja

“Kërkova nxjerrjen jashtë ligjit të gjithë Partive Komuniste. Përpara vitit '97 ka qenë i ndaluar krijimi i partive ekstremiste komuniste apo fashiste, nen i cili pushoi se ekzistuari pas vitit '97. Në ditët e sotme, me tendencën që po shfaqet në këto forca ekstremiste për akte terroriste dhe akte dhune, siç ishte tentativa për rrëzimin e bustit të Ahmet Zogut bëhet domosdoshmëri rikthimi i nenit që ndalon krijimin dhe pezullon aktivitetin e këtyre mostrave politike”, - deklaroi dje Doda. Sipas saj po kaq të dënueshme janë dhe kërkesat për glorifikimin e së kaluarës. “Për të disatën herë kërkohet festimi me pompozitet i LANÇ-it dhe ridimensionimi i Enver Hoxhës si komandant lufte. Në fakt ishte pikërisht kjo luftë e cila përfundoi si një luftë jo kundra pushtuesit por si luftë vëllavrasëse”, - pohon Doda ndërsa përmend vrasjen e 6000 kosovarëve apo masakrën e Tivarit. “Këtë 70- vjetor krimesh kërkojnë sot që të nderojnë pushtetarët e sotëm dhe aleatët e tyre. Të gjithë progresistët e këtij vendi duhet të bëhen bashkë për ti thënë jo qëllimit makabër për të ndërtuar të kaluarën komuniste, vëllavrasëse e terroriste të këtij vendi”, - shkruan Doda në rrjetin social, facebook. Propozimi i saj mbështetet dhe nga ish-ministrja e Integrimit, ligjvënësja demokrate, Majlinda Bregu. “Është e turpshme dhe mbi të gjitha e dhimbshme për një vend si Shqipëria, që akoma s' i ka larë hesapet me komunizmin e vuan pasojat e një diktature makabre, që është vend anëtar i NATO-s e ecën drejt BE-së, që të ringjallësh "ethet komuniste" e të bësh elegji për diktatorin”, - shkruan Bregu në facebook. Deklaratat e tyre kanë sjellë reagimin e Partisë së Punës së Riorganizuar. Në një deklaratë për median, sekretari i saj, Marko Dajti shprehet se: “Me keqardhje konstatoj se zonja Doda i qenka rikthyer historive të saj të vjetra me palma. Por ajo nuk është gjë tjetër veçse produkt tipik i kësaj shtrese politikanësh që kanë uzurpuar pushtetin, që shëtitin nga ajri i kondicionuar i shtëpisë në ajrin e kondicionuar të makinave luksoze, për të shkuar në ajrin e kondicionuar të zyrës”. Sipas Dajtit, Doda nuk duhet të harrojë se më shumë se gjysma e anëtarëve të partisë së kusarëve, siç shprehet ai, të Partisë Demokratike, deri dy dekada më parë kanë qenë ish-anëtarë të PPSH-së, ose bashkëpunëtorët tanë të ish-Sigurimit të Shtetit. “Sa për ne, komunistët, kemi mbijetuar edhe në ilegalitet, madje kemi dalë më të fortë. I kërkoj sot me forcë kësaj shtrese politikanësh kusarë të largohen sa më parë nga rruga e abuzimit dhe e tradhtisë ndaj këtij populli dhe këtij vendi. Të mos u shtojnë një krim të ri krimeve të tyre të mëparshme. Jemi ne, komunistët, që, jo vetëm do t’i nxjerrim jashtë ligjit këto kusarë dhe tradhtarë të shoqërisë, por edhe do t’i vëmë përpara përgjegjësisë për gjithë krimet që po kryejnë ndaj këtij populli”, - përfundon deklarata e Dajtit. Pak ditë më parë sekretari i PPR-së pranoi se ishte partia e tij që tentoi të rrëzonte shtatoren e Ahmet Zogut. Madje, sipas tij, janë përjashtuar nga partia ata persona që nuk mund të realizonin qëllimin. Përpara vitit 1997 ndalohej me ligj krijimi i organizatave me ideologji ekstremiste, nen që u hoq më tej.

PLL letër Tahirit: Masa për tu prerë rrugën qëndrimeve destruktive

Partia Lëvizja e Legalitetit kërkon ndërhyrjen e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri pas pranimit nga Partia e Punës e Riorganizuar për tentativën e dështuar për rrëzimin e bustit të Ahmet Zogut. Në një promemorie të

kryetarit të PLL-së, Sulejman Gjana, dërguar ministrit Tahiri thuhet se veprime te tilla ekstremiste të qarqeve të caktuara bien ndesh me rendin kushtetues dhe ligjet e vendit. Sipas tij, në një shoqëri pluraliste dhe demokratike respektohen të drejtat, liritë dhe bindjet e gjithsecilit, përderisa nuk shkelin dhe cenojnë liritë, bindjet dhe ndjeshmëritë e të tjerëve. Ndërsa vlerëson rolin e Mbretit Zog I në hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar, Gjana shton se: “Ne nuk besojmë kurrë se subjekti politik që inicion veprime të jashtëligjshme, duke qenë anëtar i koalicionit të mazhorancës, përfaqëson idetë dhe bindjet e kësaj mazhorance. Ndaj u drejtohemi ju, zoti ministër, që të ndërmerrni të gjitha masat dhe veprimet konkrete, qoftë politike, qoftë pjesë e detyrës suaj si ministër i Brendshëm, për t’i prerë rrugën veprimeve të tilla destruktive që cenojnë rëndë ndjenjat, bindjet dhe besimin jo vetëm të legalistëve, por të qindra, mijëra shqiptarëve brenda kufijve shtetëror si dhe në të gjitha trojet shqiptare dhe në Diasporë, nga Australia gjer në Amerikë”. Sipas Gjanës, PLL-ja është treguar mjaft e matur pasi kredoja e saj politike i shërben kohezionit shoqëror e paqes sociale dhe jo anarshisë e destabilizimit. Promemoria e kreut të PLL-së i është dërguar për dijeni dhe Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama.

Shehu: Evropa pro politikave të djathta

Në Evropë po fryn era e politikave të djathta e cila mund të përfshijë dhe Shqipërinë. Kështu komenton demokrati Tritan Shehu fitoren e të djathtëve në Francë dhe Hungari. Sipas tij fryma që ka marrë mbështetje së fundi është ajo e taksave të ulëta dhe ekzistencës së Bashkimit Evropian.

Zoti Shehu si e vlerësoni fitoren e së djathtës në Francë e Hungari?

Rezultati i zgjedhjeve në dy vende të BE-së, Francë dhe Hungari tregon për një rikthim të frymës së qendrës së djathtë, të së djathtës si filozofi dhe praktikë. Nëse do shikojmë fitoret në këto dy vende, në një prizëm mund të duket një farë ndryshimi në konceptet e fitores së të djathtës apo humbjen e së majtës. Së pari është ai element që ra në sy kryesisht në Francë dhe që e pranoi në fjalën e tij dhe kryeministri i ri i Francës, që dështoi filozofia e politikave të taksave të larta, filozofia ekonomike e centralizimit, pra qytetarët votuan për filozofinë ekonomike të qendrës së djathtë që është filozofia e taksave të ulëta, e decentralizimit, e iniciativë së lirë, e shtimit të investimeve dhe në këtë mënyrë e sigurimit të rritjes së vendeve të punës dhe mirëqenies qytetare. Interesante është se këtë gjë e pranoi para disa javësh, dhe kryeministri italian Renci i cili tha se tashmë Italia duhet të largohet nga politikat ekonomike të taksave të larta dhe të futet në politikën ekonomike të taksave të ulëta. Ndërsa po të shikosh elementin tjetër të fitores së të djathtës në Hungari, do shikojmë se kemi një fitore, një persistencë të konceptit europeist. Pra fitoi ideja e Bashkimit Evropian, e të qenurit në BE dhe të ekzistencës së BE-së. Në këto dy zgjedhje dolën dy elementë filozofikë të qendrës së djathtë që fituan. Elementi filozofik i taksave të ulëta dhe i konsolidimit dhe ruajtjes së BE-së.

Fitorja në këto dy vende është frymëzim për të djathtën shqiptare?

Padyshim që është një trend i cili është provuar që pastaj përfshin gjithë hapësirën evropiane dhe vendet që janë të lidhura me BE-në edhe pse mund të mos jenë anëtare, ashtu siç jemi ne.

Sa mund të përfshijë Shqipërinë kjo frymë kur më pak se 1 vit më parë, kur u zhvilluan zgjedhjet PD-ja pësoi humbje të thellë?

Edhe në Francë nuk pati shumë kohë që u zhvilluan zgjedhjet dhe fitoi François Hollande por politikat e tij të gabuara ekonomike bënë që ai të humbasë dhe të fitojnë konceptet e Nicolas Sarkozy, e qendrës së djathtë dhe e taksave të ulëta. Mos harrojmë që Sarkozy humbi para pak kohësh shumë thellë por ishte partizan i taksave të ulëta. Hollande ishte partizan i taksave të larta dhe përsëri humbi thellë, pra u konfirmua mbështetja e politikave të taksave të ulëta.

Frymëzim nga fitoja e së djathtës në Francë dhe Hungari ishte kryefjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjata fjalës së tij mbajtur dje më mbledhjen javore të Grupit Parlamentar. Basha e nisi fjalën e tij pikërisht duke përshëndetur simotrat evropiane ashtu si sukseset e dikurshme të partive komuniste në botë. “Më lejoni të ndajmë së bashku me partitë aleate, me anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike dhe me gjithë zgjedhësit e qendrës dhe qendrës së djathtë në Shqipëri gëzimin për lajmet e ditëve dhe javëve të fundit në lidhje me fitoret e partive të së djathtës në zgjedhjet lokale në Francë dhe në zgjedhjet parlamentare në Hungari. Në rastin e parë zgjedhësit francezë kanë ndëshkuar me votë politikat e së majtës në qeveri. Në rastin e dytë zgjedhësit hungarezë kanë rikonfirmuar e promovuar me votë politikat e qeverisë së qendrës së djathtë, duke mos rënë pre e iluzioneve populiste dhe demagogjike të opozitës së majtë, siç ka ndodhur më parë në disa vende të Evropës”, - deklaroi dje Basha. Sipas tij, kjo tendencë po shndërrohet në frymë të kohës që po jetojmë. “Partia Demokratike përshëndet nxehtësisht fitoret e partive simotra në këto vende të Evropës, duke lexuar në to një tendencë të qartë të zgjedhësve evropianë për të përqafuar e votuar ato parti dhe ato politika që kanë në fokus reformat në funksion të zhvillimit, sigurisë, punësimit dhe mirëqenies”, - deklaroi ai në mbledhjen javore të grupit demokrat.

Basha ‘rehabiliton’ Gorenë dhe Ibron

Partia Demokratike ‘rehabiliton’ mbështetësit e pushtetit të djathtë. Kreu u demokratëve, Lulzim Basha ka firmosur ditën e fundit emërimin e Arqile Goresë në postin e drejtorit të logjistikës në selinë blu. Goreja gjatë 8 viteve të pushtetit të demokratëve ka qenë drejtor i Postës Shqiptare. Basha a firmosur gjithashtu emërimin e Arben Ibros si drejtor i financave në PD. Ibro ka qenë drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit post nga i cili dha dorëheqjen në vitin 2013. Ibro ka shërbyer në SHIK në '97-ën, periudhë kjo kur në krye të këtij institucioni ishte Bashkim Gazidede. Më pas në vitin 2003 ai ka shërbyer si komisar në Rinas, por ish ministri i Rendit, Igli Toska e përjashtoi nga radhët e policisë pas zbulimit se në Rinas ishin riaktivizuar rrugët e vjetra nga ku kalonin klandestinët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat