Shpërthen Nishani: Frenoni sulmin politik. Tahiri, dacibao kineze ndaj meje

Shqipëria

Shpërthen Nishani: Frenoni sulmin politik. Tahiri, dacibao kineze ndaj meje

Më: 10 prill 2014 Në ora: 07:38

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me anë të një analize me titull “Mbi përgjegjësitë” i bën thirrje qeverisë të ndalë urgjentisht shantazhimin e gjyqtarëve dhe sulmet politike në adresë të tij. Reagimi i kreut të shtetit, vjen si përgjigje ndaj letrës që ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i dërgoi pak ditë më parë, ku i kërkonte të nxiste KLD-në që të shqyrtojë vendimin e gjyqtarëve Edmond Gogo, Fatmira Hajdari dhe Gramoz Levanaj për të lënë në detyrim paraqitje Gjin Nikën i cili u vra rreth një javë më parë.
***
Shteti diktatorial, me strukturën e tij të thjeshtë shtypëse, duket i fortë, por është i dobët, dhe provizor, jetëshkurtër. Shteti demokratik, me mekanizma të ndërlikuara dhe ligje të shumta, duket i dobët por është i fortë, dhe jetëgjatë. Shpjegimi është i thjeshtë: Diktatura zgjat relativisht pak, dhe ngec, kalbet dhe shembet, sepse në diktaturë përgjegjësitë janë të përqendruara tek Një individ. Demokracia zgjat shumë më tepër, epet, përkulet, sigurisht dhe vuan, sidomos në fillimet e saj, por mbijeton, sepse në Demokraci përgjegjësitë janë të shpërndara tek të gjithë individët. Mosmarrja dhe moszbatimi i përgjegjësive në Demokraci, është fatale. Pa mbajtjen e përgjegjësive prej secilit individ, Demokracia nuk ekziston. Mosmarrja e përgjegjësive është ajo cilësi rrënuese që Demokracinë e denatyron, e hedh pak nga pak në humnerë dhe rrezikon që ta kthejë në një episod tepër të rrezikshëm dhe të frikshëm: në diktaturë. Mbarëvajtja e një shteti demokratik varet nga ruajtja e ekuilibrit, brenda marrëdhënies që lidh mbajtjen ose mosmbajtjen e përgjegjësive, me, respektivisht, shtimin ose pakësimin e Lirisë. I mban përgjegjësitë që të përkasin - je i lirë. Nuk i mban përgjegjësitë - nuk je i lirë, je skllav. Ku jemi ne shqiptarët nga pikëpamja e mbajtjes së përgjegjësive dhe të qenit të lirë? A funksionon organizimi ynë institucional, shoqëror, politik, ekonomik qytetar, në raport me marrjen ose mosmarrjen e përgjegjësive që secilit individ dhe secilit institucion i përkasin? Sigurisht kemi bërë dhe po bëjmë përparime. Zinxhir i pafund i përgjegjësive dhe lirive; morale, ligjore, individuale, institucionale, komunitare, private, shoqërore, që ndjekin njëratjetrën pa u ndalur, është pjesë e një “agregati” që tek ne funksionon. Funksionon, sepse ne shqiptarët, bashkë me zgjedhjen për të jetuar të lirë, i kemi marrë përsipër përgjegjësitë e zgjedhjes që kemi bërë, kemi marrë përsipër barrën për të paguar çmimin përkatës. Megjithatë, meqenëse shtimi i lirisë kushtëzohet nga marrja përsipër dhe zbatimi i përgjegjësive, një numër individësh ende jo i pakët, për arsye nga më të ndryshmet, që variojnë nga moskuptimi, paaftësia, pamundësia, e deri te mosrespektimi i përgjegjësive për qëllime të mbrapshta, stepen, frikësohen, ngurrojnë, që në fund të fundit do të thotë se me apo pa dashje, duke mos marrë përgjegjësitë kanë refuzuar liritë. Refuzimi i Lirisë që rrjedh nga mosmarrja e përgjegjësive, fatkeqësisht, nuk është ndër ne një dukuri e rrallë. Refuzimi Lirisë, çfaqet më së shpeshti si “transferim i përgjegjësisë”. Transferimi i përgjegjësisë nga një individ tek një tjetër individ, ose nga një institucion tek një tjetër institucion, me të gjitha kombinimet e shumta në mes, është një ping-pong individual dhe institucional tepër i rrezikshëm që nëse vazhdon shndërrohet në një shtjellë përpirëse brenda së cilës po ramë, zor se dalim dot. Për ilustrim, rasti i fundit i kësaj dukurie negative sa e dëmshme dhe e rrezikshme, është ai i Ministrit të Brendshëm i cili në mënyrë të përsëritur ka tentuar të transferojë përgjegjësitë nga vetja tek Presidenti i Republikës. Ajo që më së shumti bie në sy në këtë rast është diçka joserioze, e padenjë, banale: Ministri, në pamundësi të frenojë institucionalisht dhe individualisht fluksin e krimeve që po ndodhin, përmes transferimit të përgjegjësisë tek Presidenti, rreh të pakësojë fluksin e kritikave që po i bëhen. Me keqardhje detyrohem të qartësoj Ministrin duke i vënë në dukje disa gjëra; - Faktin se ndërkohë që duhet të jetë dhe duhet të komunikojë si ekspert që zbaton Ligjin, po reagon dhe komunikon si njeri i medias, është një lëvizje manipulative trashanike. - Nuk i falet Ministrit të mos e dijë se Drejtësia, ajo që është, ashtu si është, dhe gjithçka që lidhet më të, duhen respektuar pa asnjë mëdyshje, pa asnjë hezitim, sado të këqija apo të padrejta të duken. - Respektimi i Drejtësisë, dhe përpjekjet për ta përmirësuar Drejtësinë, të cilat Ministri i bën lëmsh, janë dy gjëra të ndryshme që kurrsesi nuk duhen ngatërruar me njëra-tjetrën. - Pretendimi për ta përmirësuar Drejtësinë duke mos e respektuar, është një gabim shumë i madh, tejet i dëmshëm, tepër i rrezikshëm, që nuk i lejohet absolutisht askujt, e jo më një ministri. - Pretendimi për ta identifikuar Presidentin e Republikës me Drejtësinë në përgjithësi, është një sulm politik, një “naivitet” malinj i pashoq. - Ministri i Brendshëm nuk mund të “gjykojë” një vendim Gjykate. Aq më pak kur rastet në fjalë janë ende në gjykim. Është i pari rast në historinë e Shqipërisë post-diktatoriale që një Ministër i Brendshëm “gjykon” një vendim Gjykate, dhe nuk e le ta bëjë këtë një Gjykatë më e lartë. - Policia e Shtetit të përmbushë detyrat e saj duke bërë sa mundet në parandalimin e krimeve, mes tjerash, si në rastin në fjalë, duke mbajtur në mbikëqyrje personat ende në gjykim. - Për verifikimin e shkeljeve procedurale në gjykata, Qeveria të mos aktivizojë Ministrin e Brendshëm, por atë të cilit i përket kjo detyrë, Ministrin e Drejtësisë. Në kujdes të pandërprerë për të marrë dhe zbatuar përgjegjësitë e mia si President i Republikës, e siguroj shumicën parlamentare, se do jap të gjithë mbështetjen institucionale në ndërmarrjen sa më parë të reformave të nevojshme në Drejtësi sipas modeleve më të mira evropiane, për rritjen e profesionalizmit dhe efikasitetit të punës së sistemit gjyqësor. - Qeveria të ndalë urgjentisht shantazhimin e gjyqtarëve nga Ministri i Brendshëm. - Qeveria të ndalë urgjentisht sulmet politike ndaj Presidentit të Republikës, roli kryesor i të cilit në këtë mes nuk është t’u përgjigjet letrave të hapura kundër “gjyqtarëve të lidhur me krimin” që të kujtojnë stahanovizmin sovjetik, Daci Baot maoceduniane, Fletë Rrufetë enveriste, por ai i garantit për të mos lejuar interferimin e Drejtësisë me pushtetet e tjera, dhe mbrojtjen nga rreziku i kapjes së saj nga grupet e interesit. Drejtësia ndreqet duke e respektuar Drejtësinë. Drejtësia ndreqet duke marrë secili përgjegjësitë që i përkasin, pra duke vepruar institucionalisht. Duke denoncuar në Prokurori gjithçka që vlerësohet e padrejtë, e dënueshme, kriminale, etj. Ka ardhur koha që më së fundi edhe ne t’i dimë dhe t’i aplikojmë këto të vërteta kaq të thjeshta dhe kaq të dobishme. Ka ardhur koha që në rrugën e vështirë të progresit ne të mos mbyllim, por të hapim korridore Lirie, të mos ngremë, por të sheshojmë pengesat ndaj njëri-tjetrit. Të bëjmë çmos ta “drejtojmë” Drejtësinë. Duke mbajtur dhe zbatuar secili përgjegjësitë e veta. Qytetari i pari. Me respektimin e Ligjit, seriozitetin, punën, votën e vet. Pastaj politikani, ligjbërësi, prokurori, gjykatësi, polici etj. Shqiptarët kanë dëshmuar se dinë t’i marrin dhe zbatojnë përgjegjësitë. Progresi i deritanishëm është prova.
* titulli që Presidenti i Republikës i kishte vendosur analizës së tij ishte “Mbi përgjegjësitë”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat